Lajm14 Jun 2018

Raportohet i zhdukur gazetari serb që hetonte vrasjen e Ivanoviçit

Policia serbe po heton zhdukjen e raportuar të një gazetari që pretendoi se kishte zbuluar detaje të reja mbi vrasjen e politikanit serb të Kosovës Oliver Ivanoviç.

Autor: Filip Rudic BIRN Beograd
Printo

Gazetari i zhdukur Stefan Cvetkovic. Foto: Medija centar.

Policia serbe të enjten tha se ata kishin nisur kërkimin për Stefan Cvetkoviç, një gazetar që mbulonte vrasjen e politikanit serb të Kosovës Oliver Ivanoviç, pasi makina e tij e braktisur u gjet në qytetin e tij të lindjes të Bela Crkva në Serbinë veriore.

Policia tha se ata gjetën makinën që po përdorte Cvetkoviçi të parkuar me dyert e hapura dhe dritat ishin ende të ndezura.

“Policia ka filluar një kërkim për Stefan Cvetkoviç, i cili po kërkohet intensivisht,” tha Ministria e Brendshme e Serbisë.

Ministria tha se kishte caktuar disa dhjetëra anëtarë të njësisë speciale të policisë së xhandarmërisë së bashku me zhytës, qen kërkimi dhe dy helikopterë për të ndihmuar në gjetjen e Cvetkoviçit.

Cvetkoviç tha në një konferencë për shtyp në shkurt se vrasja e Ivanoviçit ishte paguar 40,000 euro. Ai gjithashtu tregoi fotografi të personave të dyshuar si të përfshirë në vrasje.

Ivanoviç u vra në janar të këtij viti në Mitrovicën veriore nq Kosovë. Një kampion i pakicës serbe në Kosovë, ai gjithashtu ishte përplasur me partinë qeverisëse të Serbisë, duke ngritur kështu një sërë teorish mbi faktin se kush qëndron pas vrasjes së tij të pazgjidhur.

Cvetkoviç është ankuar gjatë viteve se kishte marrë kërcënime nga politikanë dhe oligarkë lidhur me punën e tij, njoftoi agjencia e lajmeve Beta.

Në mars 2017, ai u dënua me dy vjet e tre muaj burg, pasi disa zyrtarë të Partisë Progresive në pushtet e paditën atë për shpifje.

Gjykata e Lartë në qytetin serb të Pancevos i anuloi vendimet në prill të këtij viti.