Policia e Durrësit sekuestroi një tjetër sasi lënde narkotike të dyshuar si kokainë dhe të ndarë në 8 pako, në vijim të tre operacioneve të mëparshme në portin e qytetit në kontejnerët e nisur për të njëjtën kompani, pronarët e të cilës janë arrestuar ose janë në kërkim.
Policia e Durrësit sekuestroi një tjetër sasi lënde narkotike të dyshuar si kokainë dhe të ndarë në 8 pako, në vijim të tre operacioneve të mëparshme në portin e qytetit në kontejnerët e kompanisë “Alba Exotic Fruit”.
Policia njoftoi se lënda naroktike ishte fshehur në një kontejner të ngarkuar me banane dhe të ardhur nga Ekuadori. Droga u gjet në pjesën fundore të kontejnerit, tek kapakët e motorrëve frigoriferik, një pozicion ku vendoset përgjithësisht droga nga trafikantët dhe sasia e kapur që dyshohet si e llojit kokainë ishte e ndarë në 8 pako, me peshë totale 7 kilogramë e 700 gramë.
Ky ishte rasti i katërt në 3 muajt e fundit që gjendet kokainë në kontejnerët e porositur prej kësaj kompanie.
Operacioni policor i koduar “Rada” nisi me kapjen e sasisë së parë të kokainës në kontejnerët me banane të porositur nga kjo kompani, më 13 korrik dhe deri më tani policia ka mundur të arrestojë një prej ortakëve të kompanisë “Alba Exotic Fruit”, Barjon Gumeni dhe vijon kërkimin për kapjen e administratorit të saj dhe ortakut tjetër Eduard Dauti.
Në operacionin e sotëm dhe në tre operacionet e mëparshme policia në total ka sekuestruar rreth 33 kg kokainë, një sasi e vogël krahasuar me dërgesat e tjera të kapura në port. Ndërsa më 6 gusht në Portin e Durrësit brenda një kontejneri me prodhime deti të importuara nga Ekuadori u gjet një tjetër sasi prej 7 kilogramësh kokainë. Ngarkesa ishte për llogari të një firme importi produktesh deti.
Operacioni i sotëm u realizua nga Task-Forca e vendosur në Portin e Durrësit dhe hetimet për rastin po vijojnë nën drejtimin e një grupi të posaçëm prokurorësh të Prokurorisë së Durrësit dhe të SPAK-ut.