Lajm13 Apr 2018

Redaktori i BIRN fiton çështjen kundër gazetës serbe pro-qeveritare

Një gjykatë në Beograd ka gjobitur gazetën pro-qeveritare Informer për publikim të pavërtetash mbi BIRN Serbinë dhe redaktorin e saj, Slobodan Georgiev.

Autor: Filip Rudic BIRN Beograd
Printo

Vendimi përkrah faqes së parë shpifëse të Informer. Foto: BIRN.

Gjykata e Apelit në Beograd të premten konfirmoi se Informer botoi informacione të rreme dhe dëmtoi reputacionin e redaktorit të BIRN Serbisë Slobodan Georgiev në një artikull të botuar nga tabloidi me titull “Ata donin të merrnin 23.2 milionë euro”.

Sipas vendimit përfundimtar, redaktori i Informer Dragan Vuciceviç dhe kompania e tij botuese, Insajder Tim, duhet të paguajnë një gjobë prej 100,000 dinarësh (rreth 830 euro).

Vuciceviç u urdhërua gjithashtu të publikojë vendimin në numrin e ardhshëm të tabloidit.

Georgiev e nisi çështjen para Gjykatës së Lartë të Beogradit në mars të vitit 2015.

Sulemt kundër BIRN-it nga tabloidi pro-qeverisë filluan pas publikimit të një ivestigimi mbi tenderin publik për pastrimin e minierës së Tamnavës, e cila u përmbyt në vitin 2014.

Tabloidi pretendoi se BIRN kishte “sulmuar qeverinë serbe për korrupsion dhe krime” në emër të BE-së, sepse qeveria refuzoi kërkesën e Brukselit për t’ia dhënë kontratën e minierës Tamnava një kompanie të huaj.

Gjykata e deklaroi kryeredaktorin e Informer përgjegjës për publikim të pavërtetash dhe fyerjesh që vunë në rrezik sigurinë e redaktorit të BIRN-it.

Georgiev tha se pavarësisht vendimit, çështja mbetet e hapur deri kur redaktori dhe botuesi i Informer të paguajnë gjobën dhe të publikojnë vendimin.

“Çështja nuk është e mbyllur deri atëherë,” tha Georgiev.

Kur BIRN i kërkoi kryeredaktorit të Informer një koment për vendimin, ai u përgjigj me ofendime të tjera kundër Georgievit.