Britani dhe Greqia janë shumë të ndryshme, por referendumet e mbajtura në të dy vendet ofrojnë mësime për mbështetësit e një votimit të dytë për qëndrimin apo largimin e Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja.
Kur u riktheva në Greqi për pushime në korrik 2015, pak ditë pas referendumit të shpëtimit të BE-së në kulmin e konfrontimit të vendit me BE-në, u përpoqa të organizoj mbledhjen tonë të zakonshme të miqve.
Megjithatë, dy persona e refuzuan ftesën, kur mësuan se mbështetës të qeverisë SYRIZA do të ishin në darkë.
Mbështetësit e SYRIZA-s nuk patën asnjë shqetësim të tillë. Ata ishin më të relaksuar, pothuajse duke shijuar zhgënjimin e miqve të tyre “të moderuar”.
Ky incident m’u kujtua kur pashë një nga postimet e fundit në Twitter të akademikut britanik Matthew Goodwin:
“Vetëm 9 për qind e të mbështetësve të Brexit do ta kishin problem nëse një i afërm i tyre martohet me një përkrahës të qëndrimit në BE. Por 37 për qind e atyre pro qëndrimit në BE do ta kishin problem nëse një i afërm i tyre martohet me një pro-Brexit.”
Në të dy referendumet, votimi ishte një gjë shumë personale. Në Britani, zgjedhja e një miku ose të afërmit tënd mund të kërcënojë statusin tënd në vend. Në Greqi, ajo mund të vendoste nëse mund të kishe apo jo akses në llogarinë tënde të kursimeve.
Çështja se kush mund të ishte i ftuari tjetër në një darkë papritmas po merrte një domethënie të re.
Britania dhe Greqia zor se mund të jenë më ndryshe. Britania e Madhe ka një ekonomi të fortë, të fuqishme dhe monedhën e vet, jashtë zonës Shengen. Ajo ka kontribuar bujarisht në buxhetin e BE-së. Ajo gjithashtu luan një rol të rëndësishëm në sigurinë europiane.
Institucionet e saj politike kanë një histori vazhdueshmërie të admirueshme gjatë disa shekujve dhe sistemi i saj politik qëndron në të djathtë të Europës, me një traditë të fuqishme liberale dhe pa lidhje historike me komunizmin.
Greqia është një shtet i falimentuar. Anëtarësimi i saj në monedhën e përbashkët dhe eliminimi i kufijve me vendet europiane lidhen drejtpërdrejt me sigurinë e saj.
Institucionet e saj politike janë historikisht të rinj dhe u vunë në provë deri para pak vitesh, para se ajo të hynte Komunitetin Ekonomik Europian.
Gjatë viteve të fundit, një parti neo-naziste, Agimi i Artë, vazhdimisht ka dalë e treta në zgjedhje. Ai është i vetmi vend në Bashkimin Europian që qeveriset nga një koalicion i së majtës radikale me një grup tjetër të djathtë.
Është pikërisht për arsye se dallimet ndërmjet dy vendeve janë kaq shumë të dukshme që ngjashmëritë midis Brexit dhe Grexit janë interesante.
Referendumi i Greqisë i vitit 2015 është rishfaqur në diskursin publik të Britanisë si një studim i rastit për një referendum të dytë të BE-së.
“Nëse Greqia arriti të mbante një referendum për tetë ditë në vitin 2015, pse ne nuk mund ta bëjmë?” shkroi komentatori politik i njohur John Rentoul në Independent të Mbretërisë së Bashkuar.
Organizata Instituti për Qeverisje e Britanisë së Madhe vlerëson të paktën se pesë muaj përgatitjet (miratimi i projektligjit, konsultimet publike mbi çështjen, etj.) janë të nevojshme për një referendum të dytë për BE-në në Britani të Madhe.
Natyra e nxituar e referendumit grek dhe shkelja e rregullave themelore për mbajtjen e tij – vetëm pesë ditë fushatë ishin në dispozicion për t’iu përgjigjur një pyetjeje të gjatë teknike me kutinë për të shënuar “Jo” të vendosur mbi kutinë për të shënuar “Po” në fletët e votimit – bëjnë që shumica e krahasimeve në mes të dy procedurave të jenë të parëndësishme.
Megjithatë, edhe pse referendumi grek ishte shumë jo orthodoks, votimi antiestablishment i vitit 2015 ishte i ngjashëm me votimin e Brexit dhe ofron kështu mësime për përkrahësit e një votimi të dytë për qëndrimin ose jo të Britanisë së Madhe në BE.
Kush i qeveris vërtet këto vende?
Ata që përkrahin referendumet u japin atyre një dimension emocional, duke i përshkruar ato si mundësi unike për shprehje të sinqerta popullore kundër establishmentit.
Sipas kësaj narrative, ata do të lejonin qytetarët në Greqi dhe në Mbretërinë e Bashkuar të vendosnin për një program të rreptë dhe përkatësisht mbi kushtet e anëtarësimit në BE, që i kishte hartuar “drejtoria” në Bruksel.
Kjo narrativë anti-establishment është pjesë e një ndjenje më të gjerë pakënaqësie me politikën tradicionale: supozohet se një lëvizje spontane nga poshtë kërkon të shkundë rendin e vendosur, i cili në anën tjetër reagon, duke zhvlerësuar vullnetin e vërtetë të popullit.
Kjo qasje i sheh ata që janë të prirur negativisht ndaj referendumeve të tilla si skeptikë rreth demokracisë së drejtpërdrejtë.
Kur ministrat pro-europianë në qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar paralajmëruan se largimi nga BE-ja do të sillte një rënie në të ardhurat familjare, euro-skeptikët u përgjigjën se ishte koha që njerëzit t’i shpërfillnin bisedat në lidhje me rrezikun dhe të tregonin se “kush e qeveris në të vërtetë këtë vend”.
Përkatësisht, ata në Greqi që paralajmëruan se referendumi do të rrezikonte identitetin europian të vendit, u akuzuan se po shpërfillnin të drejtën e popullit për të vendosur të ardhmen e tij.
Mund të pritet që përkrahësit e një referendumi të dytë në Mbretërinë e Bashkuar të luajnë një kartë të ngjashme anti-sistem, siç nënkupton emri i lëvizjes, “Votimi i Popullit”.
Në fund të fundit, Brexit tani është pozita zyrtare e të dyja partive kryesore në Mbretërinë e Bashkuar. Megjithatë, votimi i Brexit ka ndodhur shumë afër, kështu që do të duhen vite për t’u perceptuar si pikëpamja e establishmentit.
Po, subjekt kushtesh
Është interesante të shikosh kur të njëjtën njerëz që e lavdërojnë referendumin si shprehje përfundimtare dhe jo të negociueshme të popullit përfundojnë duke degraduar referendume të njëjta.
Referendumi grek tashmë në vetëdijen kolektive perceptohet si taktika e fundit dhe e dështuar negociuese e qeverisë greke.
Kryeministri Alexis Tsipras shpresonte që një refuzim grek i marrëveshjes në një referendum do ta detyronte BE të lëshonte pe për kundërshtimet greke ndaj memorandumit.
Grekët vërtet e refuzuan marrëveshjen e shpëtimit, por qeveria e nënshkroi atë pa e marrë parasysh këtë duke shpërfillur vullnetin e popullit.
Në Britani, shumë përkrahës të Brexit në Partinë Konservatore iu afruan referendumit me një arsyetim të ngjashëm. Argumenti i tyre fillestar ishte se nëse njerëzit do të votonin për Brexit, BE-ja do të tërhiqej dhe do të propozonte kushte të reja për qëndrimin e Mbretërisë së Bashkuar.
Populli britanik më pas do të duhej të pajtohej përsëri me këto kushte dhe do të thirrej për të votuar, këtë herë në mënyrë të afirmuar, në një referendum të dytë detyrues.
Kështu, “Jo”-ja e referendumit të parë do të bëhej, “Po”-ja e të dytit”, “subjekt kushtesh”.
Pas dy vjetësh negociata të pasuksesshme, disa anëtarë të Partisë Laburiste të opozitës po i kthehen idesë së konservatorëve, t’i jepet fund bllokimit të Brexit.
Tani ata janë të gatshëm të mbështesin marrëveshjen e Brexit të kryeministres Theresa May në këmbim që ajo të garantojë një referendum tjetër, këtë herë përfundimtar.
Por është e vështirë në një vend kaq të ndarë të shohësh se si një referendum mund të jetë përfundimtar. Me fjalët që Tsipras iu drejtua paraardhësit të May, David Cameron, në vitin 2016: “Vetëm dy rezultate janë të mundshme dhe ju duhet të jeni të përgatitur për të dy.”
Sot ne e dimë se sa i përgatitur ishte Tsipras për një nga rezultatet. Populli i tha “Jo” një tjetër marrëveshjeje shpëtimi me BE-në dhe kryeministri grek thjesht i shpërfilli ata. Dhe kjo ishte përfundimtare.
Mendimet e shprehura në sektorin e Opinioneve janë vetëm ato të autorëve dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.