Blog7 Nov 2017

Refugjatët nuk janë krijuesit e krizës. Ata janë viktimat.

Refugjatët nuk janë vetëm një problem i vitit 2015 apo 2017, por një problem i botës bashkëkohore dhe shteteve të saj. Refugjatët janë një çështje të drejtash njeriu dhe mbrojtjeje dhe një problem i madh i këtij shekulli deri më tani.

Autor: Liliana Lyra Jubilut Weforum
Printo

Refugjatët dhe mbrojtja e refugjatëve janë kthyer në çështje globale në shumë aspekte të ndryshme.

Fillimisht, gjeografikisht. Nuk ka rajon të botës që s’është prekur, qoftë si prodhues apo pritës i refugjatëve, apo edhe si vend tranzit.

Së dyti, në shkaqet e migrimit. Këto shkaqe formojnë një spektër të gjerë, përfshirë migracionin e detyruar, për shkak të persekutimeve, konflikteve, çështjeve mjedisore dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut; migracioni ekonomik, migracioni vullnetar dhe, në disa raste, njerëz që migrojnë për arsye të ndryshme, por ndjekin të njëjtat rrugë në të njëjtën kohë. Kjo shumëllojshmëri krijon një sfidë për nevojat specifike të mbrojtjes së refugjatëve, sidomos kur veprimet globale dhe politikat që kontribuojnë në migracionin nuk shpallet përgjegjëse për këtë.

Së treti, në numrin e madh të refugjatëve. Sipas UNHCR, ekziston një rekord i lartë prej 65.6 milionë personash të zhvendosur me forcë për shkak të konflikteve, persekutimeve dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut, prej të cilëve 22.5 milionë janë refugjatë dhe 2.8 milionë janë azilkërkues.

Kohët e fundit, ky fluks i madh refugjatësh ka filluar të njihet si “krizë refugjatësh”. Duke marrë parasysh shifrat, edhe kështu mund të jetë. Por në një kontekst historik, çështja është paksa ndryshe. Në vitin 2015, 27 vendet anëtare të BE-së morën 942,400 kërkesa për refugjatë. Por gjatë krizës së refugjatëve të vitit 1992, me vetëm 12 vende anëtare, BE mori 696,500 kërkesa për refugjatë. Njëzet e pesë vjet më parë, BE-ja merrte me shumë kërkesa për refugjatë për shtet proporcionalisht.

Retorika aktuale “krizë refugjatësh” nënvizon, në të vërtetë, mungesën e vullnetit politik për të mbrojtur refugjatët. Kjo reflektohet nga mbyllja e kufijve, nga sigurizimi i migracionit dhe nga kriminalizimi i migracionit dhe emigrantëve, të paraqitur nëpërmjet logjikës së “sigurisë kombëtare”. Shtetet nuk po i hedhin poshtë plotësisht të drejtat e njeriut, në favor të “sigurisë kombëtare”. Në vend të kësaj, ata miratojnë një logjikë “të të drejtave të njeriut, por”. Ata i pranojnë të drejtat e njeriut, por pohojnë se shqetësime të tjera të tilla si siguria kombëtare dhe mbrojtja ekonomike – të justifikuara apo jo – janë më të rëndësishme dhe duhet të kenë përparësi.

Kjo politikë krijon një hendek të madh midis nevojave për mbrojtjen e refugjatëve dhe atë që shtetet janë të gatshëm të ofrojnë. Ky është thelbi i krizës reale për refugjatët.

Kjo qasje e shteteve kontribuon në shkeljen e mëtejshme të të drejtave të njeriut, siç janë vdekjet e emigrantëve dhe rreziqet në rritje gjatë udhëtimeve të tyre për shkak të kontrabandistëve dhe trafikantëve; fëmijë të pashoqëruar ose të ndarë që emigrojnë vetëm dhe zhdukje të fëmijëve pasi ata arrijnë në “territore të sigurta” (ndoshta deri në 60% të tyre, sipas disa studimeve).

Kjo nxit gjithashtu një logjikë të “ne kundër të tjerëve”, në të cilën emigrantët konsiderohen si “të tjerët”, “të huajt në dyert tona” dhe vegla në beteja të tjera politike. Kjo krijon një krizë për refugjatët, të cilët e gjejnë veten në një rreth shkeljesh të vazhdueshme të të drejtave të njeriut – ndonjëherë edhe nëpërmjet politikës së një shteti.

Këto politika përfshijnë:

  • tërheqje (d.m.th. moslejim i refugjatëve për të kaluar kufijtë apo edhe kthimin e tyre pasi kanë arritur kufirin)
  • marrëveshje transferimesh (si në rastin e BE-Turqi)
  • shkelje të parimit të mos ekstradimit (guri themeltar i Ligjit Ndërkombëtar të Refugjatëve)
  • shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, si:
  1. ndalim i emigrantëve ( përfshirë emigrantë fëmijë dhe për periudha të gjata kohore).
  2. shitje e refugjatëve si skllevër
  3. trafikim i refugjatëve
  4. trafikim organesh
  5. shkelje të të drejtës për të jetuar
  • mungesë respekti ndaj dobësive specifike (siç janë ato të fëmijëve, grave, të moshuarve, personave me aftësi të kufizuara dhe refugjatëve LGBT).

Këto shkelje ndodhin kur refugjatët janë në lëvizje, pasi ata kanë arritur në territore “të sigurta” dhe madje edhe kur kanë gjetur strehim. Merrni si shembull kampet e refugjatëve, ku qasja në të drejtat ekonomike dhe sociale dhe zgjidhjet e qëndrueshme janë të pakta. Për më tepër, numri i vendeve të zhvendosjes po zvogëlohet, së bashku me fondet që edhe në nivelet më të larta nuk ishin të mjaftueshme për të plotësuar nevojat e refugjatëve.

Refugjatët janë njerëz që largohen nga një frikë e madhe persekutimi për shkak të fesë, kombësisë, racës, opinionit politik ose i përkasin një grupi shoqëror. Në disa pjesë të botës, siç është Amerika Latine, ata po largohen edhe nga shkelja e rëndë dhe e përgjithësuar e të drejtave të njeriut. Një person mbetet si refugjat për mesatarisht 20 vjet. Ndërkohë që refugjatët janë tashmë viktima të shkeljeve të të drejtave të njeriut, skenari aktual ndërkombëtar po i riviktimizon ata ndërsa kërkojnë mbrojtje.

Megjithatë, shkelje të tilla të vazhdueshme nuk e ndalojnë migrimin. Ato thjesht e bëjnë atë më të vështirë dhe më të rrezikshëm. Ata vënë në rrezik jetët e refugjatëve dhe vënë në rrezik të drejtën për të migruar.

Ne duhet të përballemi me këto sfida. Refugjatët nuk janë vetëm një problem i vitit 2015 apo 2017, por një problem i botës bashkëkohore dhe shteteve të saj. Refugjatët janë një çështje të drejtash njeriu dhe mbrojtjeje dhe një problem i madh i këtij shekulli deri më tani.

Marrë nga Weforum.org