Marrëdhëniet në përkeqësim mes Turqisë dhe Europës kanë rritur shqetësimet në Bullgari dhe Rumani për një valë të re refugjatësh – një ide që rrëqeth të dyja vendet.
Në një mëngjes herët, në një vilë të vjetër në qendër të Bukureshtit, 12 gra po bisedojnë rreth një tavoline. Të moshës 20 deri në 40, shumica prej tyre me shami në kokë, ato presin të fillojnë leksionet e përjavshme në rumanisht.
Gratë janë refugjate që kanë ardhur në Rumani vitet e fundit, pasi janë larguar nga atdheu i tyre në luftë. “Ne nuk jemi terroriste. Ne jemi njerëz normal,” thotë Laila [nuk është emri i saj i vërtetë], e cila u largua nga Alepo në Siri rreth dy vite më parë. Ajo së pari shkoi në Turqi, por përfundoi në Rumani ku mori statusin e refugjatit.
Laila ishte me fat që kishte miq në Bukuresht që e ndihmuan të gjejë një punë. Tani ajo po mëson rumanisht për t’u integruar më mirë në komunitet.
“Rreth 90 për qind e refugjatëve me të cilët merremi duan të qëndrojnë në Rumani,” thotë Razvan Samoila, drejtore e ARCA, një OJQ me bazë në Bukuresht që merret me refugjatët dhe migrantët dhe ku organizohen leksionet.
Por Rumania nuk është veçanërisht destinacion miqësor për refugjatët. Kapacitetet për t’i strehuar ata janë të kufizuara, ndërsa shumë njerëz e kundërshtojnë pranimin e tyre.
Situata në Bullgarinë fqinje është e njëjtë.
Ankaraja ka lënë të kuptohet se mund ta rrëzojë marrëveshjen kontroverse të arritur me BE-në për të kufizuar valën e migracionit përmes Turqisë në këmbim të ndihmës financiare. Bullgaria do të preket më së shumti nga vala e re e refugjatëve, por Bullgaria dhe Rumania po i ndjekin tensionet në rritje mes Turqisë dhe Europës me shqetësim.
Shtohet fryma armiqësore në Bullgari:
Në Sofje, tre të reja yazidi nga qyteti i Sinjarit në Irak diskutojnë në dhomën e tyre në qendrën e refugjatëve në lagjen Vrazhdebna.
“Vrazhdebna” nënkupton ‘armiqësore’ – një term i saktë, për ironi, teksa armiqësia ndaj refugjatëve në Bullgari është rritur ndjeshëm që nga 2013, kur u shfaq kriza e refugjatëve në Bullgari.
Një sondazh i fundit nga Gallup International Bulgaria, i publikuar në shkurt, tregoi se 73% e bullgarëve e miratonin një ndalim të hyrjes së myslimanëvenë vend.
Në shenjë të ndjesisë në rritje anti-refugjatëve, vendasit në disa qytete së fundmi protestuan kundër mirëpritjes së refugjatëve.
Por mes katër mureve të dhomës së sapo rinovuar të tyre, Maho, 19, Hlas, 20 dhe Dalia 24, nuk janë në dijeni të ndonjë armiqësie në botën e jashtme.
Pasi ia kanë mbathur nga rreziku i rrëmbimit, torturës dhe përdorimit si skllave seksi nga ushtarët e ISIS, fat i ndarë nga shumë nxënëse, dhe pasi kanë kaluar tre vjet në një tendë kampi refugjatësh në Kurdistanin irakian, ato më në fund ndihen të sigurta.
“Ndihemi të qeta dhe të sigurta në Bullgari,” thotë Maho, përpara se të pranojë që Bullgaria është vetëm një ndalesë e shkurtër në rrugën e saj për në Gjermani, ku jeton tashmë familja e saj.
“Nuk mund të rrimë në Bullgari. Jemi vajza të vetme,” shton ajo, duke u dridhur nga nervoziteti.
Të treja vajzat kanë lënë shkollën për t’i shpëtuar ISIS dhe mbajnë mend vetëm frikë dhe mjerim nga këto tre vite që kur janë larguar nga atdheu.
Në Gjermani, ato shpresojnë të mbarojnë shkollën dhe të vazhdojnë jetën. “Nëse ia dalim,” thotë Maho pa optimizëm.
Numri i migrantëve të paligjshëm po rritet:
Bullgaria dhe Rumania janë kryesisht vende transit të rrugës ballkanike për refugjatët. Të dyja vendet vitin e shkuar panë një rritje në numër të migrantëve të paligjshëm në kufijtë e tyre.
Të dhënat zyrtare rumune tregojnë se 1624 njerëz u përpoqën të kalojnë në mënyrë të paligjshme në Rumani vitin e shkuar, shumica prej tyre në kufijtë me Serbinë dhe Bullgarinë. Rreth 140 u identifikuan si trafikantë, thotë kryekomisari Bogdan Budeanu nga Inspektoriati i Përgjithshëm i Policisë Kufitare në Rumani.
Në Bullgari, numri i të arrestuarve në përpjekje për të kaluar ilegalisht kufirin ishte edhe më i lartë – 18,844 u kapën nga autoritetet vitin e kaluar.
Shumica 9,267, u kapën brenda vendit, që do të thotë se kishin kaluar me sukses kufirin pa u vënë re.
Rreth 5000 njerëz u arrestuan duke dalë nga vendi, kryesisht në Serbi, ndërsa një numër i vogël, 216, u përpoqën të largohen nga Bullgaria përmes kufirit me Rumaninë.
Dy vendet po punojnë së bashku për të ndaluar valën e paligjshme të imigrantëve përmes itinerarit të Ballkanit Perëndimor, me ndihmë nga Frontex, Agjencia Europiane e Rojës Kufitare dhe Bregdetare.
Në kufirin e Bullgarisë me Serbinë, të dhjetë rojat e Frontex janë rumunë, ndërsa në kufirin e Bullgarisë me Turqinë, 21 nga 69 policët janë nga Rumania.
Kushte të këqija për refugjatët
Ndërsa “korridori” përgjatë Ballkanit, që dikur lejonte refugjatët të shkonin në Europën Perëndimore, tani është mbyllur, shtetet europiane në rajon mbeten një shënjestër për njerëzit nga zona të trazuara.
Rreth 1,886 persona kanë aplikuar për azil në Rumani vitin e shkuar, shumica nga Siria, Iraku, Pakistani dhe Afganistani. 554 migrantë të tjerë u rivendosën nga Greqia dhe Italia në Rumani nën skemën e kuotave të BE-së.
Rumania ka pranuar të marrë rreth 4,200 refugjatë në total, sipas një vendimi të marrë nga ministrat e brendshëm të BE-së në shtator 2015.
Vendi do të hapë tri qendra të reja për refugjatët, përveç gjashtë ekzistueseve, të cilat kanë një kapacitet total prej vetëm 1,500 vendesh, sipas të dhënave zyrtare nga policia kufitare.
Bukureshti ka përmirësuar standardet në lidhje me të sapoardhurit në vitet e fundit, por ka ende shumë për të bërë. Një problem janë fondet e dhëna për një azilkërkues, të cilët marrin vetëm 4 euro në ditë për ushqim dhe nevojave themelore. Disa të holla shtesë jepen për rroba dhe kujdes shëndetësor.
Bullgaria është në një situatë më delikate. Dhjetë herë më shumë njerëz kanë aplikuar për azil atje gjatë vitit të kaluar, 19,418 persona, – 45 për qind e të cilëve ishin nga Afganistani. Mbi 1.300 morën azil, ndërsa 9000 të tjerëve iu anuluan procedurat e azilit – pasi u larguan nga vendi. Ata e përdorën vendin vetëm për transit.
Kushtet e dobëta që dy vendet ofrojnë për azilkërkuesit janë arsyet kryesore pse refugjatët nuk preferojnë të vendosen, por vazhdojnë udhëtimin e tyre në shtetet më të pasura të BE-së si Gjermania, Suedia apo Britania e Madhe.
“Do të nisemi për në Gjermani – për të ardhmen e fëmijëve tanë. Bullgaria është një vend i varfër, çfarëdo që të bësh, paratë nuk janë të mjaftueshme për dy familje”, tha për BIRN Mohamed, nga qyteti sirian Hasaka.
Ai përfundoi në kampin e refugjatëve Vrazhdebna bashkë me gruan e tij Birvan dhe vajzën e vogël dhe motrën e ve të tij Shirin, nënë e dy fëmijëve.
Edhe pse Komisioni Europian i ka akorduar Bullgarisë 160 milionë euro ndihmë për të menaxhuar krizën e refugjatëve, azilkërkuesit nuk përfitojnë shumë nga kjo shifër, pasi mbi 90 për qind e buxhetit është e dedikuar për sigurimin e kufijve të vendit.
Agjencia Shtetërore për Refugjatët ka marrë 3.6 milionë euro për të siguruar ushqim dhe shërbime për azilkërkuesit në qendrat e pritjes, por nuk ka fonde të ndara për aktivitetet e integrimit.
Që nga fillimi i vitit 2014, vendi nuk ka pasur programe operacionale të integrimit, si kurse të gjuhës, trajnime karriere dhe orientim kulturor.
Pa këtë ndihmë shumë të nevojshme, ata janë të detyruar ose vrasin kohën në kampet e refugjatëve, pa pasur ku të shkojnë, ose të largohen nga vendi – siç zgjedhin të bëjnë shumica.
Duke u kthyer në klasën ARCA, refugjatët në Rumani janë përballuar me shumë vështirësi në jetën e përditshme. Amal [emër jo i vërtetë], një refugjate kurde nga Siria, thotë se në teori ajo ka të njëjtat të drejta si çdo rumune tjetër, me përjashtim të të drejtës së votës, por në realitet përballet me shumë kufizime.
“Bankat nuk më lejojnë të hap një llogari bankare. Mendoj se kjo vjen ngaqë jam shtetase siriane,” thotë ajo. “Dua që njerëzit të na trajtojnë si çdo person tjetër”, përfundon Amal.
Ky artikull u prodhua si pjesë e një projekti për Bashkëpunim Rajonal të financuar nga Trusti Deti i Zi.