Turqia thotë se nuk mund ta përballojë dot barrën e më shumë se katër milionë refugjatësh, por një kërcënim për të hapur kufijtë e saj duhet të shihet në kontekstin më të gjerë të luftës siriane, marrëdhënieve Turqi-BE dhe politikave të Ballkanit.
I gjendur përballë një valë të re të mundshme refugjatësh sirianë nga bastioni i rrethuar rebel i Idlibit, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan bëri një paralajmërim në një takim të Partisë së tij Drejtësi dhe Zhvillim këtë muaj:
“Ne do t’i hapim kufijtë,” tha ai. “Le të mendojë Europa për refugjatët!”
Kërcënimi pasqyron barrën në rritje të Turqisë nga më shumë se katër milionë refugjatë në tokën e saj dhe perspektivën për mbërritjen aty të një milion të tjerëve, ndoshta edhe më shumë, nëse qyteti veriperëndimor sirian i Idlibit bie në dorë të forcave besnike të presidentit sirian Bashar al-Asad.
Fluksi i emigrantëve dhe refugjatëve që kalojnë përmes Turqisë dhe Ballkanit për të mbërritur në Bashkimin Europian, i cili arriti kulmin në vitin 2915, u ngadalësua ndjeshëm pasi BE-ja arriti një marrëveshje në vitin 2016 për t’i paguar Ankarasë më shumë se 6 miliardë dollarë që kjo e fundit të forcojë kufijtë e saj.
Por shifrat po rriten përsëri dhe Erdogan thotë se dëshiron që BE-ja të paguajë më shumë dhe të pranojë ndërhyrje më të madhe turke në veri të Sirisë.
“Ne i thamë Europës dhe gjithë botës se nuk do të merremi vetëm me këtë fluks të ri refugjatësh. Ata do ta ndajnë këtë barrë me ne,” tha Erdogan në takimin e partisë në qytetin veriperëndimor të Eskisehirit.
Vëzhguesit pyesin nëse lideri turk, nën presionin politik që nga vuajtja e një humbje të madhe në zgjedhjet lokale këtë vit, do të rrezikonte vërtet duke hapur kufijtë.
Por shifrat e atyre që kalojnë përmes Ballkanit deri më tani këtë vit sugjerojnë se kriza po rritet përsëri.
Shifrat po rriten në vitin 2019
Vendet e Ballkanit panë 44,000 ardhje të reja në gjysmën e parë të vitit 2019, pothuajse 50 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2018, sipas agjencisë së Kombeve të Bashkuara për refugjatët.
“Rruga përmes dhe nga Shqipëria për në Mal të Zi dhe Bosnjë mbeti më e frekuentuara edhe në vitin 2019,” tha Neven Crvenkoviç, zëdhënësi i UNHCR për Europën Juglindore.
E vetmja zgjidhje e vërtetë, tha Yasin Duman, një studiues në Qendrën për Besim, Paqe dhe Marrëdhënie Sociale në Universitetin Coventry në Mbretërinë e Bashkuar, është t’i jepet fund luftës tetë vjeçare në Siri, që nuk është aspak një “detyrë e lehtë”.
“Njerëzit po lënë shtëpitë e tyre për shkak të kushteve ekzistuese të rrezikshme për jetën,” tha Duman për BIRN.
“Në vend që të mbështesin njërën anë ose tjetrën në një konflikt, aktorët ndërkombëtarë duhet të përqendrohen në përfundimin e konfliktit dhe lehtësimin e pajtimit nëpërmjet mekanizmave jo të dhunshëm,” tha ai.
“Unë nuk mendoj se kjo është një detyrë e lehtë jo vetëm sepse konfliktet në Siri janë shumë komplekse, por edhe sepse aktorët ndërkombëtarë dhe vendet në rajon përqendrohen kryesisht në interesat e tyre në këtë fazë.”
Zona neutrale e Sirisë Veriore
Turqia aktualisht është shtëpia e më shumë se katër milionë refugjatëve të regjistruar, përfshirë 3.6 milion sirianë dhe një milion të tjerë të paregjistruar.
Sipas ministrisë së brendshme të vendit, Ankaraja ka shpenzuar më shumë se 40 miliardë dollarë për t’i pranuar ata.
Turqia ka një interes strategjik se si zgjidhet lufta në Sirinë fqinje, e shqetësuar, ndër të tjera, nga forca e luftëtarëve kurdë sirianë pak më tej kufirit të saj jugor. Erdogani dëshiron një zonë neutrale dhe po përdor kërcënimin e refugjatëve si gur shahu për të ta pasur diçka të tillë me mbështetjen ushtarake të SHBA-së.
“Turqia është shumë e përfshirë në konfliktin sirian dhe kjo ndërlikon gjithçka,” tha Duman. “Koalicioni qeverisës i Erdogan gjithashtu humbi një pjesë të rëndësishme të mbështetjes, sidomos në zgjedhjet lokale.”
Lideri turk se një qëndrim i ashpër ndaj refugjatëve do të bëjë që ai të rifitojë përsëri votuesit.
Por vendet e Ballkanit nuk janë në gjendje të përballen me një valë tjetër emigrantësh dhe refugjatësh të ngjashme me atë të vitit 2015.
“Asnjë nga vendet e Ballkanit nuk ka burimet e nevojshme për të akomoduar emigrantët, as nuk kanë aftësi të krijojnë programe të përshtatshme për të lejuar lëvizjen e qetë të valës së rritur të emigrantëve,” tha Anesa Agoviç, drejtore ekzekutive në Qendrën për Kërkime Sociale – Global Analitika në kryeqytetin boshnjak, Sarajevë.
Agoviç tha se organizatat ndërkombëtare si UNHCR, Organizata Ndërkombëtare për Migracionin, IOM, dhe Fondi i Emergjencës i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, UNICEF, duhet të hartojnë një strategji të re për të monitoruar dhe menaxhuar migracionin.
“Vendet në rajon duhet të punojnë dhe bashkëpunojnë hapur dhe me ndershmëri,” tha Agoviç për BIRN. “Jo si më parë, secili më vete dhe duke ia transferuar problemin vendit tjetër.”
Crvenkoviç tha se, “Numri i largimeve dhe incidenteve të tjera, përfshirë ato që lidhen me situatën psiko-sociale të më të prekurve midis refugjatëve dhe azilkërkuesve, është rritur në të gjithë rajonin.”
Taktika të tilla të rënda, tha ai, i shtyjnë emigrantët dhe refugjatët “akoma më shumë në duart e kontrabandistëve, trafikantëve të njerëzve dhe grupeve të tjera kriminale”.
Turqia përfiton
Safet Musiç, një analist i pavarur në Bosnje, tha se BE-ja, Turqia dhe shtetet e Ballkanit duhet të koordinojnë përgjigjen e tyre.
“BE-ja duhet të tregojë më shumë përgjegjësi dhe të përmbushë detyrimet e saj ndaj Turqisë, në mënyrë që Turqia të mund të planifikojë zgjidhje afatgjata për problemin e migracionit,” tha Musiç.
“Përkeqësimi eventual i marrëdhënieve të Turqisë me BE-në mund të ndikojë më tej situatën e emigrantëve në shumë mënyra.”
Selin Unal, zëdhënësi i UNHCR në Turqi, tha se Ankaraja kishte vërtet nevojë për ndihmë.
“Përgjegjësia e rëndë me të cilën është përballur Turqia që nga fillimi krizës siriane duhet të ndahet në nivel ndërkombëtar,” tha Unal.
“Ndërkohë Turqia ka bërë progres të madh në vitet e fundit, nevojitet më shumë mbështetje nga komuniteti ndërkombëtar.”
BE-ja thotë se ka paguar pothuajse të gjitha paratë e premtuara, por Erdogan e kundërshton këtë, duke thënë se Turqia ka marrë vetëm gjysmën.
Megjithatë, Duman, nga Universiteti Coventry, dyshon se Erdogani do të vazhdojë para me kërcënimin e tij për një sërë arsyesh:
“Së pari, refugjatët sirianë shihen si një gur shahu në politikën rajonale dhe ndërkombëtare. Së dyti, refugjatët sirianë konsiderohen një forcë e lirë pune në të gjithë vendin. Së treti, departamentet qeveritare marrin sasi të konsiderueshme financimesh nga vendet europiane dhe BE-ja, disa prej të cilave shpenzohen në rajone nën kontrollin e shtetit turk.