Analize11 Aug 2014

Regjistrimi i celularëve në Shqipëri shkakton frikë për përgjime

Deputetë të opozitës dhe aktivistë kanë kritikuar vendimin e qeverisë për të detyruar përdoruesit e celularëve të regjistrojnë kodet IMEI si një mënyrë që i jep mundësi qeverisë të përgjojë komunikimet elektronike

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Mirela Harito

Ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike Mirela Harito | Foto nga : Franc Zhurda/LSA

Partia Demokratike në Opozitë ka dorëzuar një ankesë në Gjykatën Kushtetuese kundër një vendimi qeverie, i cili detyron konsumatorët të regjistrojnë kodin IMEI të telefonave të tyre celularë.

Kjo parti e përshkruan vendimin si ilegal dhe thotë se shkel të drejtën e njerëzve për privatësi.

Sipas një vendimi qeverie, të miratuar më 4 qershor, shqiptarët do të duhet të regjistrojnë IMEI-n ose të përballen me një gjobë. Atyre mund t’i shkëputet shërbimi nga operatorët në rast se nuk binden.

Opozita thotë se regjistrimi i kodit IMEI do t’i japë qeverisë akses te komunikimet celulare përmes internetit dhe mjeteve të tilla si Whatsupp, Viber, SMS dhe të tjera, duke rritur frikën për përgjime të paligjshme.

“Vendimi i [kryeministrit] Edi Rama është antikushtetues, pasi cënimi i të drejtës për jetë private dhe të drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale, është jashtë çdo standardi kushtetutes,” tha deputeti i Partisë Demokratike Eduard Halimi të martën.

“Gjykata duhet ta bllokojë këtë vendim sa më parë të jetë e mundur në mënyrë që të mos shkaktojë dëme të pariparueshme ndaj sundimit të ligjit dhe të drejtave dhe lirive bazë të individëve,” shtoi ai.

Qeveria hedh poshtë akuzat, duke thënë se regjistrimi i kodit IMEI është i nevojshëm për arsye sigurie, për të luftuar përdorimin e telefonave celularë në bomba me telekomandë, metodë që është përdorur shumë herë përgjatë muajve të fundit në një numër vrasjesh.

Dokumente të marra nga Balkan Insight nga Ministria e Financave thonë se regjistrimi i kodit IMEI do të kryhet përkundrejt një “tarife” prej 500 lekës (3.6 euro).

Abonentët, të cilët nuk regjistrojnë kodin IMEI brenda dy muajve do të paguajnë një tarifë më të lartë prej 1,000 lekës (7.2 euro).

Ekspertët thonë se ajo që po miratohet si tarifë është aktualisht një taksë, të cilën qeveria nuk duhet ta vendosë pa miratim nga parlamenti.

International Mobile Station Identity apo IMEI është një numër unik i shkruar në zonën e baterisë të aparatëve celularë dhe përdoret nga rrjetet GSM për të identifikuar celularët e vlefshëm.

Në disa vende, kodi IMEI përdoret për të shmangur vjedhjet e telefonave celularë duke regjistruar numrat e celularëve të vjedhur.

Opozita nuk është e vetme në ngritjen e shqetësimeve se regjistrimi i kodeve IMEI do t’i japë qeverisë akses të pakufizuar te komunikimet përmes internetit nga telefonat celularë.

Një grup ekspertësh të teknologjisë së informacionit të identifikuar vetëm si Zero1, ka nisur një peticion në internet duke paralajmëruar se eksperienca në të shkuarën ka treguar se institucioneve shqiptare nuk duhet t’i besohen të dhënat private.

“Ky vendim detyron të gjithë abonentët e rrjeteve celulare të regjistrojnë numrin IMEI, gjë që lejon monitorim të plotë të të gjitha komunikimeve përmes celularëve, akses te vendndodhja fizike dhe të dhëna personale të abonentit pa një urdhër gjykate apo prokurorie,” thotë ky grupim.

“Në të shkuarën, institucioneve që u janë dhëna akses.. nga ky vendim i Këshillit të Ministrave, janë treguar të papërgjegjshme në administrimin e të dhënave konfidenciale,” shtojnë ata.

Grupi thekson se në Shqipëri ka patur rasje të shpërndarjes së databazës së regjistrit citil, të të dhënave personale të oficerëve të policisë dhe madje edhe rrjedhje të dhënash biznesi nga zyrat e taksave, ngjarje që kanë vendosur në rrezik një numër të madh qytetarësh dhe kanë dëmtuar funksionimin e institucioneve ligjzbatuese.

Në një deklaratë për Balkan Insight, Ministria e Inovacionit dhe Teknologjisë tha se “çdo njeri që nuk është shkelës i ligjit” nuk ka pse të ketë frikë nga regjistrimi i kodit IMEI.

“Ky është një hap përpara që po ndërmerret edhe nga vende të tjera,” tha ministria. “Po ndërtojmë tullë mbas tulle, me vështirësi murin e shtetit dhe sigurisht kjo bën edhe njerëz të pakënaqur, ata që  përfitonin nga çarjet në këtë mur,” shtoi ministria.

Gjithsesi, kur ministritë e inovacionit dhe financave prezantuan argumentet e tyre për vendimin te Këshilli i Ministrave, ata përdorën argumente të ndryshme.

Sipas një dokumenti, të cilin Balkan Insight e ka marrë dhe që shoqëron propozimin e ministrive te Këshilli i Ministrave, arsyeja kryesore për vendimin qe që të rriteshin të ardhurat përmes regjistrimit fillestar të IMEI-t prej 2 milionë përdoruesve të telefonisë celulare në vend.

Qeveria pritet të mbledhë më shumë se 7.2 milionë euro përmes tarifës së regjistrimit.

Ish-ministri i Ekonomisë Florjon Mima i tha Balkan Insight se taksa është prezantuar si tarifë për të shmangur nevojën për ta miratuar atë në parlament.

“Që një pagesë të quhet ‘tarifë’ një shërbim duhet të jepet, ose një e drejtë e garantuar e lidhur drejtpërsëdrejti me koston e shërbimit,” tha Mima. “Në këtë rast, jo vetëm që nuk ka kosto shoqëruese, por nuk ka as shërbim të ofruar, as të drejtë të dhënë [për qytetarët]”, shtoi ai.

Sipas kushtetutës, vetëm parlamenti mund të vendosë taksa.

Mima vërejti se regjistrimi i kodit IMEI është i lidhur ngushtë me krijimin e Byrosë Shqiptare të Investigimit, një agjenci e re ligjzbatuese që qeveria synon ta themelojë së shpejti.

“Prezantimi i kësaj tarife është një mënyrë tinzare për të arritur te numri IMEI, dhe për të monitoruar komunikimet përmes internetit,” tha ai. “Njerëzit kanë arsye për t’u ndjerë të shqetësuar,” shtoi ai.