Shqipëria shënoi ditën më të rëndë të pandemisë të premten me numrin më të lartë të infektimeve, numrin më të lartë të vdekjeve dhe me viktimën më të re të pandemisë.
Dita e premte shënoi numrin më të lartë të viktimave ditore të COVID-19 si dhe numrin më të lartë të infektimeve ndërsa vendi regjistroi edhe viktimën më të re deri më sot nga pandemia, një foshnjë 16 muajshe.
Ministria e Shëndetësisë njoftoi se në 24 orët e fundit në Shqipëri janë konfirmuar 836 pacientë të rinj me koronavirus, një shifër që thyen rekordin e vendosur vetëm një ditë më parë, kur u identifikuan 786 persona të prekur.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, foshnja 16 muajshe ishte trajtuar për shenjat klinike të sëmundjes S. Kaëasaki, një sëmundje e rrallë me shkaqe të panjohura.
Numri ditor i personave të prekur vijon të rritet tashmë që prej nëntë ditësh ndërsa mesatarja lëvizëse 14 ditore vijon të rritet pa ndërprerje që nga 1 nëntori.
Shqipëria urdhëroi mbajtjen e maskave me detyrim që nga 15 tetori ndërsa ndërmori masa shtesë në nëntor për të penguar përhapjen e virusit. Masat e marra deri tani nuk kanë sjellë ngadalësim të përhapjes së virusit.
Të dhënat sipas rajoneve tregojnë se pandemia vijon të përhapet në tetë nga 12 qarqet e vendit ndërsa Gjirokastra, Kukësi dhe Elbasani kanë shënuar një rënie të lehtë të numrit të rasteve aktive ndërsa Dibra ka qëndruar në kuota të pandryshuara. Aktualisht Tirana ka 892 të sëmurë aktivë për çdo 100 mijë banorë ndërsa Dibra ka prevalencën më të ulët me 123 të konfirmuar të sëmurë për 100 mijë banorë.