Investigim21 Nov 2018

‘Rendi i Ri Botëror’: Fushata për ‘Familje Natyrore’ Bëhet Globale

Fillimisht martesa gej, pastaj demokracia liberale... ndërsa një lëvizje botërore ultra-konservatore sjell luftën e saj të vlerave në Ballkan, autokratët po e ndjekin me vëmendje.

Autor: Claudia Ciobanu BIRN Bukuresht, Varshavë, Bruksel dhe Zagreb
Printo

Një prift Ortodoks rumun në Kishën e Re të Shën Spiridhonit në Bukuresht nxit grigjën të votojnë në një referendum në tetor për përkufizimin e martesës në kushtetutë. Foto nga Mihai Stoica

Në Kishën e Re të Shën Spiridhonit, kisha më e madhe Ortodokse në Bukuresht, prifti kishte një mesazh të rëndësishëm për grigjën e tij.

“Ky i sotmi është një nga ato momente në histori kur kristianët e vërtetë dallohen nga plehrat,” i tha ai besimtarëve gjatë një meshe dyorëshe, ndërsa fëmijët luanin në dyshemenë para altarit. “Ata që e konsiderojnë vetveten kristianë, duhet të ngrenë zërin tani.”

Kjo ishte e diela e referendumit që u zhvillua përgjatë një fundjave në tetor me synimin e rishkrimit të kushtetutës së Rumanisë për të ripërkufizuar martesën si një institucion i vlefshëm vetëm për çiftet heteroseksuale. Pjesëmarrja ishte e ulët dhe priftërinjtë në të gjithë vendin po nxisnin besimtarët të votonin.

Jashtë një qendre votimi në qendrën e zhurmshme të Bukureshtit, disa e ndoqën këshillën.

“Jam i bindur se do të fitojmë,” tha Damian Joita, një student njëzetvjeçar i jurisprudencës, pasi votoi për ndryshimin. “Nuk kam qenë kurrë më shumë krenar se sa sot si rumun.”

Madalin Costache, një 24 vjeçar baba i dy fëmijëve, tha se ai po votonte për të mbrojtur fëmijët e tij.

“Nëse homoseksualët adoptojnë, fëmijët e tyre do të rriten duke menduar se të qenit gej është normale. Por nuk është e drejtë. Nuk është ashtu siç e mendonte Zoti.”

Në fund, pjesëmarrja shumë poshtë kufirit ligjor prej 30 për qind bëri që referendumi i 6-7 tetorit nuk vlejti për asgjë. Përkufizimi kushtetues që është neutral për martesën si “lidhje mes bashkëshortëve” mbetet e pandryshuar.

Por fushata zbuloi vijat ndarëse në të gjithë shoqërinë rumune, të cilat ishin theksuar ngadalë që nga viti 2016 kur një grup pak i njohur i quajtur Koalicioni për Martesën mblodhi tre milionë firma për të organizuar referendumin.

Megjithëse kodi civil i Rumanisë e ndalon martesën gej, koalicioni bindi shumë njerëz se legalizimi ishte shumë pranë. Dhe sapo çiftet gej të martoheshin ligjërisht, argumentuan ata, çfarë do t’i ndalonte ato të adoptonin dhe të “konvertonin” fëmijë në homoseksualitet?

I përbërë nga më shumë se 40 shoqata vendore, koalicioni e përshkroi veten si një mbrojtëse aktiviste e vlerave tradicionale rumune. Materialet e saj publicitare përdornin veshje popullore dhe ngjyrat blu, të verdhë dhe të kuq të flamurit të Rumanisë.

Por larg të qenit një iniciativë me rrënjë vendëse, akademikët dhe grupimet e të drejtave të njeriut e përshkruajnë atë si pjesë të një lëvizjeje botërore ultra-konservatore të dedikuar në përmbysjen e martesave gej.

Nga partneritetet civile dhe abortet, te riprodhimi i asistuar dhe edukimi seksual në shkolla, lëvizja po shtyn pas ndryshimet ligjore dhe politikat që ajo i sheh si minuese të “familjes natyrore”.

Dhe ajo është duke u organizuar. Një investigim nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Investigative, BIRN, zbuloi se si një rrjet në rritje aktivistësh ultra-konservatorë, juristësh dhe konsulentësh po shkëmbejnë strategji dhe burime përtej kufijve.

Lëvizja nxjerr frymëzim dhe ekspertizë nga burimet shumë larg qendrave të votimit si dhe nga tabelat e njoftimeve të kishave të Ballkanit. Këto burime përfshijnë grupimet evangjeliste amerikane pranë Shtëpisë së Bardhë të Trump si dhe oligarkë rusë me lidhje me Kremlinin, sipas dokumenteve të brendshme dhe raportimeve në media.

Ndërkohë, udhëheqësit populistë të Europës me prirje gjithnjë e më shumë joliberale po zbulojnë se është me leverdi për ta të bashkohen me karvanin e fitimtarëve. Duke përzierë retorikën e tyre me joshjen e të ashtuquajturës familje natyrore dhe duke ngritur politika që duket se e mbështesin atë, ata presin të fitojnë vota dhe të forcojnë pushtetin e vet.

Rezultati i kësaj është një gërryerje e lirive politike dhe civile në demokracitë që po ecin drejt autoritarizmit, thonë analistët politikë.

Andrea Peto, një historian në Universitetin e Europës Qendrore në Budapest, e përshkruan rritjen e grupimeve të tilla si Koalicioni për Familjen si një “përgjigje neokonservatore ndaj krizës së rendit botëror neoliberal”.

“Është në themel një fenomen i ri që nisi për hatër të krijimit të një rendi të ri botëror, kështu që kjo duhet të përbëjë shqetësim për çdokënd që mendon për demokracinë dhe të drejtat e njeriut,” tha Peto.

Vlad Viski, president i grupimit të të drejtave të njeriut MozaiQ në Rumani, foli më hapur. “Homoseksualiteti është tashmë fushëbetejë.”

Burra rumunë mbajnë ikona kristiane gjatë Marshimit të Normalitetit, një aktivitet i organizuar nga NouaDreapta, një lëvizje ultra-nacionaliste e të djathtës ekstreme në Rumani dhe Moldavi. Foto nga Mihai Stoica

‘Ideologjia Gjinore’

Në një intervistë para referendumit, Mihai Gheorghiu, udhëheqës i Koalicionit për Familjen, mbrojti objektivat e organizatës së tij.

“Ne kemi të drejtë të mbrojmë vlerat tona dhe mënyrën tonë të jetesës,” i tha ai BIRN. “Familja natyrore mbështetet në martesën mes një burri dhe një gruaja dhe kjo është esenca antropologjike e asaj që ne jemi the themeli i ekzistencës së fëmijëve”.

Gheorghiu, një filolog 51 vjeçar, ishte ulur në një kafene në Muzeun e Fshatarësisë Rumune në Bukuresht, ku ai është zëvendësdrejtor. Ndërsa ai po ngrohej me temën e tij, një grup të rinjsh hipi rumunë po shijonin veten në karriget e stilit tradicional me dru të gdhendur.

“Ne e dinim se revolucionit kulturor dhe seksual që ndodhi në Perëndim eventualisht do të mbërrinte në Rumani dhe ne duhej të ishim gati,” tha ai.

‘Personi homoseksual është tashmë fushëbeteja’

Vlad Viski, president i MozaiQ

Gheorghiu ka një emër për dekadencën që ai po lufton – “ideologjia gjinore”.

Kjo nuk duhet të ngatërrohet me studimet gjinore apo ndonjë disiplinë tjetër akademike por është një term i shpikur nga ultra-konservatorët për të kapur një këndvështrim të botës në luftë me konceptet fondamentaliste të familjes natyrore.

Sipas kësaj linje mendimi, “xhenderizmi” zuri rrënjë mes elitës së intelektualëve të Perëndimit në vitet 1960 para se të infektonte universitetet, gjykatat, parlamentet dhe institucionet ndërkombëtare me atë që konservatorët e shohin si relativizëm moral të rrezikshëm.

Ata që i përkasin kampit “anti-gjinor” e shohin përparimin e të drejtave të gejve dhe politikave pro-zgjedhjes si simptoma të një lloj pushtimi neo-kolonialist të normave shoqërore të dhëna nga Zoti.

“Rumunët kanë jetuar sakaq nën komunizëm, kur një minorancë mendonte se kishte të vërtetën absolute dhe ia impononte atë të tjerëve,” tha Gheorghiu. “Ne nuk mund të lejojmë që kjo të përsëritet.”

Koalicioni për Familjen nuk është vetëm në mbrojtjen e spektrit të xhenderizmit.

Mes viteve 2012 dhe 2015, aktivistët organizuan referendume në Kroaci, Slloveni dhe Sllovaki në përpjekje për të përkufizuar në kushtetutë martesën si marrëdhënie ekskluzive mes burrit dhe gruas.

Ata ishin të suksesshëm në Kroaci. Sllovenët e hodhën poshtë martesën gej në kutitë e votimit para se politikanët më vonë ta bënin atë të ligjshme. Dhe në Sllovaki, pjesëmarrja nuk arriti kuotën e kërkuar prej 50%.

Në Poloni, një peticion për të kufizuar ligjin sakaq strikt të abortit në vend detyroi parlamentin të diskutojë çështjen në vitin 2016 deri sa protesta të mëdha e detyruan atë të tërhiqet. Këtë vit, Bullgaria refuzoi të ratifikojë një traktat të Këshillit të Europës për luftën kundër dhunës në familje pas protestave popullore ku konservatorët thanë se përkufizimi i gjinisë relativizonte kufijtë mes sekseve.

Por ky nuk është vetëm një fenomen Europiano-lindor.

Që nga viti 2012, një grup francez i quajtur La Manif pour tous (Protestë për të Gjithë) ka grumbulluar mbështetës kundër martesës gej dhe riprodhimit të asistuar, duke frymëzuar lëvizje të ngjashme në Itali, Gjermani dhe Finlandë.

Në Spanjë, HazteOir (Ngri Zërin) ka bërë fushatë kundër abortit, martesave gej dhe edukimit seksual në shkolla që nga viti 2013.

Një grua rumune mban një flamur ylberi në Marshin e Larmishmërisë, kulmimi i një festivali njëjavor dedikuar të drejtave LGBT në Bukuresht. Foto nga Mihai Stoica

‘Axhenda Europë’

Ekspertët thonë se nuk është koincidencë që iniciativa të tilla lindën të gjitha në të njëjtën kohë.

Pas në janar 2013, rreth njëzet aktivistë udhëheqës të fushatës anti-abort dhe konsulentë strategjikë nga e gjithë Europa dhe Shtetet e Bashkuara u mblodhën në lagjen Belgravia të Londrës për një konferencë dyditore e prezantuar si një forum për “zhvillimin e strategjive për lëvizjet pro-jetës në Europë,” sipas një kopjeje të axhendës të parë nga BIRN.

Pjesëmarrësit patën kohë gjithashtu për sesione “reflektimi shpirtëror”, meshë në Katedralen e Uestminsterit dhe darkë në klubin eksluziv Royal Automobile.

Axhendat e tre takimeve të mëvona – të vulosura si “rreptësisht konfidenciale” të cilat gjithashtu u panë nga BIRN – treguan se konferenca në Londër u transformua në një samit të përvitshëm të njohur si Axhenda Europë. Samitet u zhvilluan në Mynih më 2014, Dublin më 2015 dhe Varshavë më 2016.

“Që nga themelimi i saj, ajo [Axhenda Europë] është rritur duke përfshirë udhëheqësit kyçë pro-jetë dhe pro-familje në çdo vend të Europës,” shkruan organizatorët në shënimet shoqëruese të axhendës së vitit 2015.

Aktivistë të mirënjohur anti-abort nga SHBA u vendosën si folës të rëndësishëm në këto samite.

Asnjë nga pjesëmarrësit e kontaktuar nga BIRN nuk iu përgjigjën kërkesave për intervista.

‘Aktorët nga SHBA sjellin njohuri’

Neil Datta, sekretar i Forumit Parlamentar Europian mbi Popullsinë dhe Zhvillimin

“Aktorët nga SHBA sjellin njohuri,” tha Neil Datta, sekretar i Forumit Parlamentar Europian mbi Popullsinë dhe Zhvillimin, EPF, një rrjet parlamentarësh europianë që promovojnë të drejtat riprodhuese.

“Lëvizja në SHBA ka 30 vjet më shumë eksperiencë. Ata kanë testuar të gjitha këto gjëra. Ata kanë norma në politika në duar të cilat mund të adaptohen në kontekstet vendore dhe janë më të aftë se Europianët në çështjet e litigimit strategjik.”

Një dorë ndihmë
Në librin e tij E Djathta Globale dhe Përplasja e Politikës së Botës, shkencëtari politik Clifford Bob nga Universiteti Duquesne, përshkrua se si, më 2006, pastorët evangjelistë në Rumani kërkuan ndihmën e aktivistëve kundër aborteve në Shtetet e Bashkuara për të organizuar fushatë për “martesë natyrore”.
Kur pastorët në Rumani krijuan një organizatë për të mbrojtur martesën tradicionale më 2007, Aleanca për Mbrojtjen e Lirisë, ADF, ndihmoi.
“Dukshëm kishte nevojë dhe dëshirë atje,” citon Bob Krue këshilltarin e ADF, Benjamin Bull. “Ne thjesht ndihmuan për t’i dhënë formë dhe për ta përkufizuar organizatën.”
ADF u rishfaq gjatë fushatës së vitit 2016 për një referendum të udhëhequr nga Koalicioni për Familjen, duke mbushur një dokument këshillues në Gjykatën Kushtetuese, e cila po shqyrtonte nëse referendumi ishte apo jo kushtetues.
Grupe të tjera nga SHBA të specializuar në procese ligjore në favor të vlerave evangjeliste, përfshirë Liberty Counsel, dorëzuan gjithashtu argumente.
Pyetur se çfarë lloj mbështetjeje ofroi ADF për Koalicionin e Familjes, Adina Portaru, një avokate ligjore në stafin e ADF International, zyra në Bruksel, u përgjigj me një deklaratë me shkrim: “Si avokate rumune, unë përfaqësova ADF International para Gjykatës Kushtetuese për të argumentuar se iniciativa e qytetarët duhet të lejohet të vijojë.”
Në një deklaratë tjetër të dërguar me email, ajo tha: “Koalicioni Rumon për Familjen dhe ADF International janë organizata të pavarura, Ne bashkëorganizuam konferencën Referendum për Familjen: Analizë dhe Implikime në parlamentin e Rumanisë në Bukuresht më 2017 dhe një konferencë të dytë më 2018 [në parlament] mbi çështjen e perspektivave kombëtare dhe ndërkombëtare mbi martesën. Në konferencën e vitit 2018, kishte gjashtë bashkëorganizatorë, njëri prej të cilëve ishte ADF International.”
Folësit në konferencë në parlamentin e Rumanisë këtë vit argumentuan për urgjencën e organizimit të referendumit. Ato përfshinë aktivisten kroate kundër abortit Zeljka Markic, themeluese e Në Emër të Familjes, dhe Ludovine de la Rochere, udhëheqës i organizatës ultra-konservatore franceze La Manif pour tous.
Në Bruksel, ADF International ndan të njëjtën zyrë, një apartament me qira, me European Dignity Watch, EDW.
Ndërsa EDW është një grup më i vjetër – themeluar më 2010, pesë vjet para ADF International – ajo duket se punon në simbiozë me ADF International.
Sophia Kuby, ish drejtoreshë ekzekutive e EDW, u bë drejtor advokimi për BE-në në ADF Internationam më 2015.
EDW organizon trajnime komunikimi dhe advokimi për aktivistët. Zeljka Markic ka qenë trajnuese për EDW. Sipas fotove në faqen e internetit të EDW, Ana Corina Sacrieru, një avokate që përfaqëson Koalicionin e Rumanisë për Familjen, ka marrë pjesë në trajnimet e EDW. Sipas të dhënave financiare vjetroe të EDW të dorëzuara në Gjykatën Tregtare të të Brukselit, EDW pagoi 1,324 euro për Zeljka Markic më 2015.
EDW nuk iu përgjigj pyetjeve mbi pagesën dhe drejtori refuzoi një kërkesë për intervistë. Markic nuk iu përgjigj pyetjeve me shkrim ose kërkesës për intervistë.

Gjatë fillimit të viteve 1990, shumë grupe të mëdha konservatore dhe kristiane në SHBA – të themeluar kryesisht nga evangjelistët – morën famë kur ata luftuan kundër gjërave që i shihnin si fitore të pakëndshme të organizatave të lirive civile, veçanërisht në të drejtat e grave dhe atyre LGBT.

“Nën administratën [e Presidentit të SHBA Barack] Obama, kristianët amerikanë ndjenë se po humbnin betejën në shtëpi dhe zgjeruan angazhimin e tyre në ‘luftërat kulturore’ përtej detit,” tha Peter Montgomery, një kontribues në Right Wing Watch, një organizatë që monitoron aktivitetin e të djathtës fetare në SHBA.

“Gjykatat amerikane në disa raste huazojnë argumente nga Europa. Konservatorët [atëherë] shpesh mërziteshin nga përdorimi i precedentëve ndërkombëtarë progresiv, por tani ata e shohin fitoren e gjyqeve konservatore nëpër botë si një mundësi.”

Një nga grupimet më të mëdha konservatore kristiane në Shtetet e Bashkuara, Aleanca për Mbrojtjen e Lirisë, ADF, vendosi të zgjerojë rrjetin e vet të avokatëve kristianë në Europë në vitin 2010. Përgjatë tre viteve të fundit, të ardhurat e saj vjetore kanë kapërcyer 48 milionë dollarët, sipas raporteve financiare të audituara të saj.

Raportet vjetore të dorëzuara në autoritetet fiskale në SHBA dhe të disponueshme në internet tregojnë se organizata e rriti financimin e saj në Europë në 2.5 milionë dollarë më 2016 nga 800 mijë më 2013. Gjatë kësaj kohe, ADF krijoi ADF International, me zyra në Belgjikë, Austri, Francë, Britani dhe Zvicër.

Ndërkohë, fati i ADF-së është përmirësuar edhe në shtëpi. Në një investigim të vitit 2017 për revistën Nation, gazetarja Sarah Posner tregoi se sa pranë është ky grupim me Presidentin Donald Trump.

Përfaqësuesi i Përgjithshëm i SHBA Noel Francisco, emëruar në këtë pozicion nga Shtëpia e Bardhë, ka qenë një jurist i lidhur me ADF, zbuloi ajo. Ish-prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions, një aleat i Trump, u konsultua me ADF kur hartoi udhërrëfyesin e Departamentit të Drejtësisë për lirinë fetare. Dhe Trump ka emëruar katër gjykatës federalë me lidhje me këtë grup.

Ndërkohë, ZëvendësPresidenti i SHBA Mike Pence, një kristian evangjelist, konsiderohet një aleat i nivelit të lartë të grupimeve që përpiqen të kufizojnë të drejtat LGBT dhe të drejtat e grave.

“Mike është një besimtar solid dhe i kupton këto probleme,” i tha kreu i ADF Michael Farris Agjencisë Katolike të Lajmeve vitin e kaluar. “Mendoj se kemi një vesh dëgjues në Departamentin e Drejtësisë.”

Një nga pak themeluesit e njohur publikisht të ADT është familja e Sekretarit të Arsimit Betsy DeVos, familje që është gjithashtu donatore madhore e Partisë Republikane. Shumica e dhuratave nga individë dhe organizata që përbëjnë të ardhurat e ADF janë sekrete.

“Aktorët amerikanë mund të japin ca para,” tha Datta nga EPF. “Kjo nuk është në vetvete një gjë e keqe. Por konservatorët [grupimet e krahut të djathtë në Europë] janë në mënyrë të vendosur diskretë mbi çështjen se nga i marrin paratë. Ndërsa progresivët i rendisin financuesit e tyre, konservatorët nuk e bëjnë. Ata angazhohen në fshehjen e burimeve të tyre.”

Pyetur mbi qëllimin që ka zgjerimi i ADF-së në Europë, Adina Portaru, një avokate rumune në stafin e ADF International në zyrën e Brukselit, i tha BIRN: “ADF International mbron minorancat fetare nga persekutimi dhe mbron të drejtat e njeriut përmes rrjetit të vet të avokatëve aleatë nëpër të gjithë botën.”

Ajo shtoi se ADF International bashkëorganizoi, sëbashku me Koalicionin për Familjen dhe të tjerët, dy konferenca mbi familjen në parlamentin e Rumanisë më 2017 dhe 2018.

Një tjetër grup i madh amerikan që po zgjerohet në Europë është Qendra Amerikane për Ligj dhe Drejtësi, ACLJ, themeluar nga ministri ungjillor Pat Robertson, me të ardhura vjetore gati 20 milionë dollarë.

ACLJ krijoi një Qendër Europiane për Ligj dhe Drejtësi, ECLJ, në Strazburg më 1998 dhe Qendrën Sllave për Ligj dhe Drejtësi në Moskë rreth të njëjtës kohë.

Sipas dokumenteve të disponueshme publikisht që ACLJ ka dorëzuar në autoritetet fiskale amerikane, organizata ka shpenzuar më shumë se 1 milionë euro në Europë çdo vit që nga viti 2009.

Jay Sekulow, kryekëshilltar për ACLJ, është në skuadrën këshillimore ligjire të Trump dhe detyrat e tij përfshijnë përballjen me Këshilltarin Special Robert Mueller dhe hetimin mbi ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet e SHBA në vitin 2016.

Përfaqësues të ADF International dhe ECLJ janë ftuar vazhdimisht në samitet e Axhendës Europë.

Njerëzit valëvisin flamujt në një miting në Bukuresht në mbështetje të koalicionit qeverisës të Rumanisë, i cili ka promovuar vlerat e familjes tradicionale si pjesë e axhendës së vet politike. Foto nga Mihai Stoica

‘Manifesti’ anti-gjinor

Aktivistët e njohur nga Ballkani dhe Europa Lindore janë gjithashtu shpesh të ftuar në samitet e Axhenda Europë.

Efekti Zeljka Markic
Një grua biznesmene në Kroaci, ish-gazetare dhe bijë e një aktivisti anti-abort, Zeljka Markic kryeson atë që ndoshta është koalicioni më i suksesshëm ultra-konservator në Europën Lindore.
Më 2013, lëvizja Në Emër të Familjes mblodhi 750 mijë firma për të organizuar një referendum në Kroaci, i cili solli ndryshim kushtetues për të përkufizuar martesën si ngushtësisht lidhje mes një burri dhe një gruaje.
Që nga referendumi, lëvizja ultra-konservatore e Markic është bërë forcë e rëndësishme në politikën e Kroacisë, sipas aktivistit të të drejtave të njeriut Gordan Bosanac. Ndërsa përpjekja e Markic për të krijuar një parti politike nuk solli sukses elektoral, aleatët e saj morën pozicione në qeverinë e qendrës së djathtë, të kryesuar nga Bashkimi Demokratik i Kroacisë.
“Përmes njerëzve të tyre në qeveri, ata shënjestruan kulturën, shoqërinë civile dhe të drejtat e grave,” tha Bosanac.
Antonija Petricusic, një sociologe në Universitetin e Zagrebit, tha se aktivitetet e Në Emër të Familjes dhe aleatëve të tyre kanë kontribuuar në një “delaicizim të dukshëm dhe në rritje të shoqërisë”.
Këtë vit, Në Emër të Familjes mori një grant trevjeçar nga paratë e taksapaguesve nga Fondacioni Kombëtar për Zhvillimin e Shoqërisë Civile për të zhvilluar programe.
Markic refuzoi të komentojë.

Bogdan Stanciu, kreu i shoqatës Pro Vita Bukuresht, një grupim anëtar i Koalicionit për Familjen, është i renditur si folës. Po kështu është edhe Zeljka Markic, themelues i Në Emër të Familjes, organizata që organizoi referendumin kushtetues në Kroaci.

Në samitin e Varshavës më 2016, Markic u ftua për të drejtuar sesionin mbi “iniciativat aktuale proaktive të martesës”.

As Stanciu dhe as Markic nuk iu përgjigjën pyetjeve apo kërkesave për intervistë.

Ministri polak për çështjet Europiane Konrad Szymanski, nga partia në pushtet Ligj dhe Drejtësi, PiS, ishte gjithashtu në axhendë për të folur në ngjarjen e atij viti.

Shumë nga idetë e ekspozuara nga aktivistët konservatorë i bëjnë jehonë koncepteve të gjetura në një manifest prej më shumë se 100 faqesh me titullin Rimëkëmbja e Rendit Natyror. Një Axhendë për Europën.

Në një kopje të manifestit në anglisht, të parë nga BIRN, autori anonim përshkruan një “qytetërim në rënie në botën Perëndimore” të shkaktuar nga relativizmi moral dhe revolucioni seksual i viteve 1960. Ideologjia gjinore është fajtori kryesor, thotë manifesti.

“Për rrjedhojë është tërësisht e ligjshme të luftosh për legjislacion që kriminalizon abortin, eutanazinë apo sodominë, apo që nxjerr jashtë ligjit ‘martesën brenda seksit’, edhe nëse disa shtetas besojnë se aborti, eutanazia apo sodomia janë moralisht të pranueshme,” thotë më tutje manifesti.

Dokumenti paraqet objektiva konkretë në politika, përfshirë anulimin e të gjitha ligjeve që lejojnë divorcin, partneritetin civil apo adoptimin gej; rivendosjen e ligjeve kundër sodomisë dhe shkatërrimin e “lobimit LGBT”.

Strategjitë që ajo parashtron përfshin peticionet në nivel europian ose kombëtar, nxitja e aktivistëve për të “ekspozuar si qesharake martesën gej” dhe informimin e njerëzve mbi “rreziqet që lidhen me sodominë”.

‘Ekspozo martesën gej si qesharake’

Propozim për strategji në Rimëkëmbjen e Rendit Natyror. Një Axhendë për Europën

“Kur flasim mbi sodominë, përdor këtë term në mënyrë konsistente,” këshillon ajo.

Axhenda Europë nuk ka zëdhënës zyrtar apo zyrtarë por faqja e internetit agendaeurope.org — e regjistruar në emër të drejtorit të marrëdhënieve në aleancë Sophia Kuby te ADF International – mbart deklarata që refuzojnë autorësinë mbi manifestin.

Pyetur mbi manifestin, Kuby përsëritu se nuk ka të bëjë fare me Axhenda Europë dhe tha se dokumenti është zbuluar nga “hakimi ilegal” i organizatës spanjolle HazteOir. “Një hetim kriminal po vijon,” shtoi ajo.

Ndërkohë, shoqata Pro Vita e Bukureshtit publikoi më 2016 një përkthim të manifestit në rumanisht, të rititulluar Një Axhendë për Rumaninë. Në një shënim shoqërues, ajo thotë se “simbolikisht ka marrë pronësinë” e tekstit.

Më 2016, shoqata Pro Vita mblodhi donacione për llogari të Koalicionit për Familjen. Që nga ajo kohë ajo është hequr nga lista e shoqatave anëtare të publikuar në faqen e internetit të koalicionit.

Të rinj që po marrin pjesë në një festë të hapur gjatë Javës së Krenarisë 2018 në Bukuresht. foto nga Mihai Stoica

‘Aleanca të Gjera’

Pavarësisht se kush e ka shkruar manifestin, ekspertët thonë se këndvështrimi i tij mbarëbotëror ka fituar terren në Europë që para se të hynte në skenë Axhenda për Europën, ndihmuar nga një korr në rritje denoncimesh ndaj ideologjisë gjinore nga ana e Vatikanit.

“Në Europë, Amerikë, Amerikë Latine, Afrikë dhe në disa vende të Azisë ka pasur forma të pastra kolonizimi ideologjik,” deklaroi Papa Françesk në një fjalim para peshkopëve polakë më 2016.

“Dhe një nga këto – unë do ta thërras me emrin që ka – është [ideologjia] e ‘gjinisë’. Sot fëmijëve – fëmijëve! – u mësohet në shkolla se çdokush mund të zgjedhë seksin e tij apo saj.”

Në vendet katolike të tilla si Polonia apo Kroacia, gazetarët dhe akademikët kanë dokumentuar përfshirjen e kishës në fushatat antigjinore. Dhe sipas Datta të EPF, intelektualët pranë Vatikanit kanë qenë persona kyç në krijimin e Axhendës për Europën.

‘Sot fëmijët — fëmijët! — mësohen në shkolla se çdokush mund të zgjedhë seksin e tij apo të saj’

Papa Françesk

Megjithatë analistët thonë se lëvizja anti-gjinore nuk është as në mënyrë ekskluzive katolike dhe as në mënyrë ekskluzive, fetare. Në vendet që janë më laike po atje ku reputacioni i kishës është dëmtuar nga skandalet, aktivistët shpesh nënvlerësojnë lidhjet e tyre me religjionin e organizuar.

Sipas Peto nga Universiteti i Europës Qendrore, ideologjia gjinore është “ngjitësi simbolik” që “ka ndihmuar për krijimin e aleancave të gjera dhe ka bashkuar aktorët që në të shkuarën nuk janë bashkëpunuar”, përfshirë kishat e ndryshme kristiane, konservatorët e zakonshëm, partitë e ekstremit të djathtë dhe grupimet fondamentaliste.

Ngjarja kryesore në aktivitetet e aktivistëve antigjinorë nga e gjithë bota është Kongresi Botëror i Familjeve, WCF, që zhvillohet një herë në vit.

Këtë vit, WCF h zhvillua në mes të shtatorit në Kishinjev, mikpritur nga presidenti i Moldavisë Igor Dodon, i cili fitoi zgjedhjet më 2016 me një axhendë pro-ruse dhe pro-familje.

Aktiviteti nisi në Pallatin Republikan të Moldavisë, i cili është përlot me mermer të kuq dhe me llambadarë kristali. Pjesa më e madhe e ceremonisë së hapjes, e transmetuar në internet, paraqiste kërcimtarë me veshjet popullore të Moldavisë ose të veshur me të bardha, të cilët mbanin një foshnjë shumë të qetë nëpër skenë.

Dodon filloi pas kësaj një fjalim mbi “gërryerje dhe shkatërrim” të familjes për shkak të një “ideologjie anti-familje, e cila ia heq nënave dhe baballarëve rolet e tyre natyrore në familje”.

Duke e shpallur vitin 2019 Viti i Familjes në Moldavi, ai tha se do të shtyjë përpara masa profamiljes, përfshirë rritje të kohëzgjatjes së lejes së lindjes. Ai shtoi se “propaganda” pro-gej duhet të “dënohet ashpër e madje edhe të nxirret jashtë ligji”.

Presidenti i WCF Brian Broën vijoi me leximin e një mesazhi nga Matteo Salvini, ministri i brendshëm i ekstremit të djathtë në Itali.

“Në një epokë kur ne po shohim sulme shkatërrimtare dhe irracionale në vlerat themelore të kulturave tona, përpjekjet që ju po ndërmerrni për të mbrojtur familjen natyrore, si një element jetësor për mbijetesën dhe zhvillimin e njerëzimit, janë jashtëzakonisht të nevojshme dhe që meritojnë vlerësim,” tha ai.

Lidhja ruse

WCF u krijua më 1997 nga aktivisti anti-abort në SHBA Allan Carlson dhe nga dy akademikë rusë nga Universiteti Shtetëror i Moskës, Anatoly Antonov dhe Viktor Medkov.

Analistët thonë se lidhja ruse ka kuptim për shkak se vlerat tradicionale pajtohen me “Euroasianizmin’, një ideologji që e përshkruan Rusinë si një ndërmjetëse mes Europës dhe Azisë dhe që nënkupton se territoret ish-sovjektike eventualisht do të rikthehen nën kontrollin e saj. Për Kremlinin, ideologjia gjinore është tipar i Perëndimit dekadent.

“Kjo është një ofertë shumë interesante gjeopolitike,” tha datta. “Rusia tashmë mund të shkojë te qeveritë fqinje që janë kritikuar nga Perëndimi për shkelje të të drejtave të njeriut dhe t’i thotë atyre: ‘Mos u shqetësoni, ju jeni ndryshe.'”

Në një investigim të vitit 2014 për revistën amerikane Mother Jones, Hannah Levintova zbuloi se si evangjelistët amerikanë, dukshëm persona nga WCF, ndihmuan zhvillimin e një gjuhe dhe argumenteve kundër të drejtave gej për ligjvënësit dhe aktivistët rusë, gjë që solli miratimin më 2013 të një ligji federal që ndalon “propagandën gej”.

Në samitin e Axhendës Europa në Mynih më 2014, Alexey Komov, përfaqësues i WCF në Rusi, u ftua për të dhënë leksione nga “suksesi” i legjislacionit, sipas axhendës.

Atë vit, WCF ishte planifikuar të zhvillohej në Moskë, financuar nga dy njerëz që konsiderohen si persona pranë Presidentit Vladimir Putin, sipas investigimit të Mother Jones: Vladimir Yakunin, ish-president i Hekurudhave të Rusisë dhe Konstantin Malofeev, një bankier investimesh dhe filantropist i Ortodoksisë.

Malofeev është gjithashtu kryetar i bordit të drejtorëve të grupit mediatik Tsargrad, një platformë për idetën Eurasianiste të ekspozuara nga filozofi me ndikim i ekstremit të djathtë Aleksandr Dugin.

‘Ne duhet të lutemi [që] tymi liberal të dalë nga Europa dhe Amerika’

Konstantin Malofeev, Filantrop rus orthodoks philanthropist

WCF e Moskës nuk u zhvillua për shkak se oligarkët që po e financonin atë u vunë në listën e sanksioneve të SHBA dhe BE-së pasi Rusia aneksoi Krimenë atë vit.

“Në Rusi, tendenca jonë është kthim te ortodoksia, tradita dhe kristianizmi,” thotë Malofeev në një dokumentar të vitit 2018 nga televizioni franko-gjerman ARTE me titull Aborti: Përplasja në Europë.

“Europa po vdes. Perëndimi, në kohën e [Presidentit të SHBA Ronald] Reagan… ndihmoi për largimin e tymit komunist nga Rusia. Tashmë është radha jonë. Ne duhet të lutemi [që] tymi liberal të dalë nga Europa dhe Amerika.”

Vlad Viski, drejtor ekzekutiv i grupimit për të drejtat LGBT MozaiQ, punon në zyrën e tij në Bukuresh. Foto nga Mihai Stoica

‘E ardhmja e Europës’

Përtej Rusisë, udhëheqësit joliberalë të Europës kanë përqafuar anti-xhenderizmin.

Vitin e kaluar, Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban mikpriti WCF-në në Budapest dhe i përshëndeti pjesëmarrësit me një fjalim mbi “Europën, atdheu ynë i përbashkët, që po humbet garën për popullsi mes qytetërimeve të mëdha”.

“Në përpjekjen për të ardhmen e Europës, ndalimi i migrimit ilegal është imperativ,” tha ai. “Kjo përpjekje… është e vlefshme vetëm nëse ne jemi në gjendje ta kombinojmë atë me një politikë familjare që rikthen riprodhimin natyror në kontinent.”

Në tetor, në një lëvizje që habiti shumë, Hungaria ndaloi studimet gjinore, duke e quajtur disiplinën “një ideologji dhe jo shkencë”. Administrata Trump po shtyn gjithashtu heqjen e “gjinisë” nga dokumenti i OKB për të drejtat e njeriut.

Salvini i Italisë po propozon një përzierje të ngjashme politikash nacionaliste, anti-imigratore dhe pro-familjes.

“Ne do të mbrojmë familjen natyrore të themeluar në bashkimin mes burrit dhe gruas. Ne do të ushtrojmë të gjithë fuqinë e mundshme,” i tha Salvini medias italiane në gusht.

Në Gjermani, partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë hyri në parlament më 2017 me një manifest që premton “angazhim për familjen tradicionale,” duke kundërshtuar “rrymën gjinore” dhe duke premtuar se do të kundërveprojë ndaj popullsisë në pakësim me “familje të mëdha në vend të imigrimit në masë”.

Në Poloni, PiS erdhi në pushtet me një përzjerje të fuqishme masash nacionaliste dhe pro-familjes. Politika e saj kryesore njihet si pagesa ‘500+’, pra më shumë se 100 euro për fëmijë për familjet që kanë më shumë se një.

“Grupimet anti-gjinore aktive në Poloni kanë qenë instrumentale për populistët e krahut të djathtë dhe fitoret e tyre në zgjedhje,” tha për BIRN Elzbieta Korolczuk, një sociologe në Universitetin e Varshavës. “Ata mobilizuan njerëzit në terren dhe në kisha. Ata ndihmuan përshkrimin e partisë liberale [kundërshtarëve kryesorë të Platformës Civile] si elitistë dhe të pandjeshëm ndaj nevojave të njerëzve.”

Korolczuk vijoi: “Forcat e reja joliberale ngatërrojnë me njëra-tjetrën elitat liberale kulturore me ato ekonomike kështu që krijohet ndjesia që jo vetëm elitat liberale duan të na rrëmbejnë mjetet e jetesës në kuptim ekonomik por ata duan gjithashtu të ndryshojnë jetën tënde private dhe të kthejnë djalin tuaj në një vajzë.

‘Forcat e reja joliberale ngatërrojnë elitat liberale kultorure me ato ekonomike’

Sociologia Elzbieta Korolczuk

“Kjo ndjesi viktimizimi, zemërimi të drejtë, ka një efket të fuqishëm mobilizues.”

Më 2018, ish strategu politik i Trump, Steve Bannon nisi “Lëvizjen” për të ndihmuar forcat e të djathtës ekstreme dhe ato populiste në zgjedhjet e vitit të ardhshëm për Parlamentin Europian. Salvini ka premtuar mbështetje për Lëvizjen dhe Bannon ka zhvilluar bisedime edhe me Orbanin e Hungarisë.

Ekspertët thonë se pjesëmarrësit me gjasa të Lëvizjes mund të përkufizohen nga ata që janë kundër. Ata janë anti-imigrantë, anti-BE, anti-globalistë, anti-elitistë – dhe anti-gjinorë.

Pas në Rumani, kritikët thonë se fakti që qeveria e udhëhequr nga Partia Social-Demokrate, PSD, kapi kauzën e referendumit, është një shenjë se ajo po rrëshqet drejt iliberalizmit.

PSD ka shtyrë gjithashtu reforma ndryshuese në sistemin e drejtësisë, për të cilat kundërshtarët thonë se dëmtojnë pavarësinë juridike dhe e bëjnë më të vështirë dënimin e korrupsionit të nivelit të lartë.

“Rumunët refuzuan të legjitimojnë një formë diskutimi që synon të diskriminojë kundër bashkësisë LGBT dhe të vërë në pikëpyetje të drejtat themelore të njeriut,” tha Viski i MozaiQ. “Tani për tani, ne ia dolëm të pengojmë dallgën konservatore.”

Ky artikull u realizua si pjesë e Bursës Ballkanike për Gazetari Ekselente, mbështetur nga Fondacioni ERSTE dhe Fondacionet për Shoqëri të Hapur, në bashkëpunim me Rrjetin Ballkanik për Gazetari Investigative.