Komiteti Teknik i Ekspertëve për menaxhimin e pandemisë së koronavirusit të ri nuk mori masa administrative shtesë në mbledhjen e së hënës, e cilësoi situatën “me rëndim të lehtë” dhe këshilloi qytetarët për më shumë kujdes.
Komiteti i Ekspertëve bëri të ditur të hënën se universitetet do të vijojnë të punojnë vetëm me mësim në distancë ndërsa shkollat do të mbeten të hapura pavarësisht shtimit të shpejtë të rasteve, të vdekjeve dhe të hospitalizimeve me COVID-19. Komiteti deklaroi se për momentin janë qytetarët ata që duhet të ndihmojnë për ndalimin e përhapjes së pandemisë duke u kujdesur për higjenën personale dhe duke kufizuar në mënyrë vullnetare daljet në ambjente me rrezik infektimesh si baret dhe restorantet.
“Beteja me COVID nuk është thjeshtë betejë spitalore, beteja me COVID është betejë e të gjithëve,” deklaroi Mira Rakacolli, zëvendësministre e Shëndetësisë dhe drejtuese e komitetit. “Jemi në kushtet kur mund ta ndalojmë pandeminë,” shtoi ajo duke i kërkuar qytetarëve të mbajnë rregullisht maskën, të ruajnë distancën me të tjerët dhe të zbatojnë me rreptësi rregullat e higjenës personale si masa të domosdoshme për ndalimin e infeksioneve.
“Rëndim i lehtë”
Numri mesatar dyjavor i rasteve të reja shënoi shifrën 611 ditën e dielë ndërsa pjerrtësia e rritjes së kurbës së infektimeve nuk ka shënuar ndonjë ngadalësim që nga fillimi i nëtorit. Megjithatë, Komiteti i Ekspertëve bëri të ditur se situata konsiderohet “me rëndim të lehtë”.
“Ka një rëndim të lehtë të situatës por situata vijon të mbetet tërësisht e kontrolluar, si në drejtim të testimeve ashtu edhe në drejtim tëmenaxhimit të rasteve,” deklaroi Rakacolli.
Shqipëria gjendet në ditën e 260 të pandemisë së koronavirusit, e cila ka prekur zyrtarisht afro 33 mijë shqiptarë dhe ka shkaktuar deri më sot zyrtarisht 699 viktima. Aktualisht ka 449 persona të shtruar në spitale. Gjatë javës së fundit, numri i të shtruarve në spitale është rritur me mesatarisht 8 persona në ditë. Autoritetet shëndetësore thonë se të katër spitalet COVID-19 kanë një kapacitet prej 550 shtretërisht ndërsa drejtuesi i urgjencës kombëtare pranoi në konferencë për shtyp se aktualisht ka një “rritje të kohës së pritjes” pa shpjeguar nga sa në sa.