Lajm21 Apr 2020

Reporterët pa Kufij: Përkeqësohet liria e medias në Shqipëri

Shqipëria ka humbur dy vende në Indeksin e Lirisë së Medias në botë të publikuar nga organizata Reporterët pa Kufij për vitin 2019, duke u renditur e 84 nga 180 vende.

Autor: Besar Likmeta BIRN Tiranë
Printo

Gazetarët dhe operatorët e televizioneve raportojnë mbi situatën e episdemisë së koronavirusit në Shqipëri. Foto: LSA

Ligjet kundër medias online, kufizimi i qasjes së gazetarëve në informacion, arrestimi gazetarëve dhe aktivistëve dhe mbyllja e mediave kritike me qeverinë, janë vetëm disa nga problemet që sipas organizatës Reporterët pa Kufij (RSF) kanë çuar në përkeqësimin e lirisë së medias në Shqipëri.

“Kjo- në kombinim me gjuhën denigruese të politikanëve, i kthen reporterët në shënjestra të mundshme dhune,” shprehet RSF.

“Ndërkohë, autoritetet e vendit, i cili ka aspirata të bëhet anëtarë i Bashkimit Europian, kanë dështuar të zbardhin dhe dënojnë sulme fizike dhe kërcënimet serioze ndaj gazetarëve,” shton RSF.

Në mes të dhjetori parlamenti miratoi dy projektligje pjesë të ashtuquajturën ‘paketa anti-shifje’ e cila synon rregullim e përmbajtjes së medias online nga Këshilli i Etikës në Autoritetin e Medias Audiovizive.

Projektligjet u rikthyen në parlament nga Presidenti Ilir Meta si jokushtetuese . Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës  i kërkoi Komisioni të Venecias vlerësimin e tyre dhe qeveria vendosi të pezullojë miratimin e tyre.

“Duke kufizuar lirinë e shprehjes, informacionit dhe të medias dhe kundër praktikave me të mira ndërkombëtare, të dy ligjet rrezikojnë ta rrisin censurën ndaj gazetarëve që janë më vulnerabël ndaj presionit qeveritar,” shprehet RSF.

Pas publikimit të Indeksit Presidenti Ilir Meta është shprehur i shqetësuar  ga regresi i Shqipërisë vit pas viti në raport me lirinë dhe pavarësinë e medias, duke i kërkuar qeverisë të rishikojë paketën anti-shpifje.

“Përkeqësimi në Indeksin Botëror të Lirisë së Medias, sipas konkluzioneve vjetore të organizatës botërore të gazetarëve “Reporterët pa Kufij”, është i papranueshëm dhe kërkon një përgjigje dhe reagim të menjëhershëm nga të gjithë,” tha ai.

“Mbështes plotësisht paralajmërimin e “Reporterëve pa kufij” se e ashtuquajtura paketë “anti-shpifje” do ta përkeqësojë më keq situatën në të cilën ndodhet sot media dhe gazetarët në Shqipëri,” përfundoi Meta.