Analize17 Jul 2017

Republika Popullore Imperialiste e Afrikës?

Nëse e quajmë Kinën një fuqi kolonialiste, atëherë ne pakësojmë tmerret e vërteta që janë përjetuar nga bashkësitë e kolonizuara. Por kjo nuk do të thotë se vendet e Afrikës mund të jenë të kënaqur ndërkohë që aktorët Kinezë vijojnë të thellojnë angazhimin e tyre ekonomik në këtë kontinent.

Autor: Hannah Ryder Project Syndicate Pekin
Printo

Pak muaj më parë, një kopertinë e revistës New York Times mbartte titullin pyetës: “A është Kina Fuqia e Re Kolonialiste e Botës?” Ideja se Kina është një kolonizator i shekullit të njëzet e një nuk është e re: komentuesit e kanë hedhur atë vërdallë që prej një dekade. Por, për çdokënd që ka përjetuar apo ka studiuar kolonializmin, pretendimi duket i papërshtatshëm e ndoshta fyes.

Kolonializmi i përshkruar te libri i Joseph Conrad Zemrat e Errësirës, ose libri i Walter Rodney Si e La të Prapambetur Afrikën Europa, apo libri i Franz Fanon Lëkurë e Zezë, Maskë e Bardhë,  është tinzar dhe i fuqishëm. Po, kishte marrëdhënie të forta tregtare dhe të investimeve, por qe gjithmonë një dominancë e hapur, e simbolizuar nga kurikullat shkollore të imponuara, ndalim-qarkullimet dhe kufizimet në lëvizje të bazuara te ngjyra e lëkurës.

Në vendet që përjetuan një kolonializëm të tillë – përfshirë atdheun tim, Kenian – efektet mund të ndjehen edhe sot e kësaj dite. Nëse e quan Kinën një fuqi koloniale atëherë i pakëson tmerret e vërteta me të cilat u përballën komunitetet e kolonizuara, përfshirë të afërmit e mi, të cilët u arrestuan nga autoritetet koloniale Britanike.

Por, përtej ngathtësisë morale të krahasimit, kjo përqasje është thjeshtë jo e vlefshme. Etiketimi i Kinës si “kolonizues” ose “bamirës” nuk ndihmon për të kuptuar natyrën e vërtetë të marrëdhënies së saj me kontinentin e Afrikës, aq më pak për rajone të tjera të tilla si Karaibet. Dhe, nëse marrim parasysh dinamikën e pushtetit të njëanshëm, kuptimi i kësaj marrëdhënieje është veçanërisht i rëndësishëm.

Unë së fundmi punova me kompaninë e konsulencës së specializuar China Africa Advisory për të eksploruar në thellësi se si aktorët Kinezë po operojnë në disa vende kyçe në Afrikë, përfshirë kryerjen e një studimi krahasues mes vendeve. Tre vëzhgime janë domethënëse.

E para, ne zbuluam se kompanitë shtetërore dhe private të Kinës, departamentet qeverisëse dhe organizatat jofitimprurëse parapëlqejnë të bëjnë biznes në vendet e Afrikës që sakaq kanë lidhje të formalizuara me Kinën. Kjo nuk është mënyra se si funksionon zakonisht kolonializmi, për ata që vijojnë të këmbëngulin në këtë krahasim.

Një formalizim i tillë shpesh ndodh përmes memorandumeve të mirëkuptimit, të cilat duket se shërbejnë si rrugë hyrëse për aktorët kinezë. Për shembull, Kenia, e cila ka së paku 17 memorandume të tilla me aktorë të qeverisë së Kinës, ka tërhequr një numër të madh kompanish dhe organizatash Kineze për aktivitete të tilla si menaxhimi i zonave speciale ekonomike, nisja e projekteve infrastrukturore të mëdha dhe projekte bujqësore. Tanzania dhe Mozambiku fqinj secila ka më pak se sa dhjetë marrëveshje të tilla dhe kanë tërhequr më pak aktivitet Kinez.

Vëzhgimi i dytë është që aktorët Kinezë nuk i shmangin vendet që kanë qeveri që mbrojnë interesat e shtetasve të vet (sërish një dallim ky nga kolonizatorët). Për shembull, vendet Afrikane që kanë ligje të fuqishme për të drejtat e punës kanë qenë në gjendje jo vetëm të tërheqin kompani nga Kina të cilat janë angazhuar në infrastrukturë dhe në projekte të tjera, por këto kompani kanë gjithashtu tendencën të punësojnë më shumë vendës në raport me punësimet e tyre të përgjithshme. Një vrojtim i kohëve të fundit nga McKinsey me mbi 1 mijë kompani në tetë shtete të Afrikës gjeti se gati 90% e të punësuarve qenë vendës.

Kjo mund të ketë ndikim të fuqishëm në vendin pritës. Krijimi i vendeve të punës që rrjedhin nga projektet e ndërtimit dhe investimet në manifakturë ka rëndësi kritike, veçanërisht në vende të tilla si Afrika e Jugut, Namibia dhe St Lucia, ku 40% apo më shumë e të rinjve janë të papunë. Ndryshimi drejt përdorimit të më shumë punëtorëve vendor është veçanërisht i dallueshëm për shkak se, deri në vitin 2015, pothuajse 40% e të gjithë punëtorëve Kinezë jashtë vendit gjendeshin në kontinentin Afrikan.

Gjetja e tretë e kërkimit tonë lidhet me kompleksitetin e vendimeve të Kinës për investime. Si çdo investitor, aktorët Kinezë në Afrikë përqendrohen te maksimizimi i fitimeve – dhe kjo do të thotë se përzgjidhen për investime ekonomitë me rritje të shpejtë. Siç vuri në duke një informacion i kohëve të fundit nga Universiteti John Hopkins, destinacionet e investimeve Kineze, Tanzania, Gana dhe Kenia, kanë përjetuar rritje vjetore mbi 6%.

Por ndryshe nga shumë investitorë të tjerë, aktorët Kinezë kanë treguar gadishmëri për të marrë përsipër rreziqe ekonomike dhe politike. Shihni Afrikën e Jugut, e cila ka një “partneritet tërësor strategjik” me Kinën. Që nga viti 2003, Afrika e Jugut është renditur rregullisht në pesë vendet përfituese më të mëdha në Afrikë nga investimet e Kinës, ku investimet vijojnë të rriten pavarësisht se norma e rritjes ekonomike të Afrikës së Jugut është ngadalësuar.

Në mënyrë të ngjashme, Angola, Republika Demokratike e Kongos dhe Zimbabve – vende me mjedise politike veçanërisht të vështira të cilat zakonisht shfaqen në fund të indekseve botërore për konkurrueshmëri – që të gjitha kanë qenë destinacione jo vetëm për kredi, por edhe për investime domethënëse jo-financiare Kineze gjatë dekadës së fundit.

Ndërsa Kina nuk është një kolonizator, qeveritë e Afrikës e të vendeve të tjera kanë përgjegjësi për t’u siguruar që marrëdhëniet e tyre me Kinën të përputhen me interesat dhe objektivat e tyre për zhvillim. Duke parë rritjen e pranisë botërore të Kinës, përqasja rast pas rasti nuk është më e përshtatshme.

 

Unë sugjeroj që marrëdhënie të tilla të ndërtohen përmes marrjes së katër hapave të rëndësishëm:

 

  • E para, çdo qeveri duhet të përgatisë një “Plan mbi Kinën” të thelluar, një plan që përcakton hapur se çfarë duan shtetasit e këtij vendi nga partneritetet me Kinën. Plane të tilla mundet gjithashtu të mbështesin analizat e thelluara – për shembull, eksplorimin e marrëdhënieve të Kinës me vendet fqinje apo vendet e tjera me nivel të ngjashëm zhvillimi.
  • E dyta, secili vend duhet të kërkojë për aktorë Kinezë që mund të ndihmojnë më shumë për të zbatuar planin e tyre për marrëdhëniet me Kinën. Organizata të tilla si Këshilli i Biznesit Kinë-Afrikë dhe të tjera mund të ndihmojnë në analizë dhe në takime prezantuese.
  • E treta, vendet duhet të negociojnë memorandume mirëkuptimi me kontrata në bazë të praktikave më të mira të njohura. Në kryerjen e negociatave të tilla, vendet Afrikane duhet të jenë të ndërgjegjshme se ato kanë sakaq një fuqi të konsiderueshme negociuese me Kinën, edhe më shumë se sa shumë vende të tjera në zhvillim.
  • Në fund, qeveritë duhet të thërrasin për ndihmë entet vendëse, të tilla si organizatat jofitimprurëse në monitorimin dhe analizimin e pasojave të aktiviteteve të Kinës, veçanërisht ato të lidhura me standardet e punës dhe performancën mjedisore.

Ka ende rreth 389 milionë Afrikanë qe jetojnë nën minimumin e varfërisë – më shumë se gjysma e totalit të të varfërve në botë. Angazhimi i Kinës në Afrikë mund të ndihmojë në reduktimin e këtij numri, por vetëm nëse vendet e Afrikës punojnë për të menaxhuar marrëdhëniet e tyre me Kinën në mënyrë strategjike, duke mbrojtur interesat e veta ndërkohë që krijojnë marrëveshje në përfitim të ndërsjellët me gjigantin Aziatik. Megjithëse Kina nuk është një kolonizues, është gabim të supozosh se rritja e pranisë së saj në botë është tërësisht pozitiv.

 

Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2017. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. The Imperialist People’s Republic of Africa?