Ministria e Brendshme deklaroi se kishte evakuuar familjet e rrezikuara nga përmbytjet, por në Babrru ka ende familje që përballen të vetme me tërbimin e lumit të Tiranës.
Gëzim Ferraj dhe dy djemtë e tij po qëndrojnë në një strehë anës një rrugice pranë Urës së Babrrusë në Tiranë, ndërsa shpresojnë që tërbimi i Lumit të Tiranës të qetësohet dhe ata të mund të kthehen në barrakën e tyre pranë lumit.
“Lumi na e përmbyti shtëpinë dje,” thotë Ferraj, kryetar i një familjeje me gjashtë anëtarë, i cili e ka ngritur barrakën e tij fare pranë shtratit të lumit njëzet vjet më parë, pasi zbriti nga qyteza e vogël e Klosit në veri të Shqipërisë.
Fqinji i tij, Festim Mustaku, babai i katër fëmijëve, po qëndron si të mundet brenda shtëpisë së tij modeste, e cila është përmbytur nga dy pëllëmbë ujë.
Në të dyja krahët e Lumit të Tiranës, pranë vendit të quajtur Ura e Babrrusë, disa qindra familje të varfra kanë ngritur shtëpi modeste ose barraka përgjatë viteve të fundit. Një pjesë e tyre përmbytet sa herë që bie shi, megjithëse vendësit thonë se përmbytjet e 6 janarit 2016 qenë ndër më të egrat që mbajnë mend.
Shqipëria u përfshi nga rreshje të fuqishme gjatë 24 orëve të fundit, të cilat shkaktuan përmbytje, shkarje rrugësh apo ndërprerje të furnizimit me energji elektrike në të gjithë vendin.
Ministria e Punëve të Brendshme deklaroi mesditën e sotme se nga zona e Babrrusë ka evakuuar 24 familje, të cilat qenë “rrezikuar nga përmbytja”. Gjithsesi, banorët me të cilët BIRN foli pasdreken e së mërkurës, thanë se nuk kishin dëgjuar fare për evakuim.
“Askush nuk ka ardhur këtu,” tha Ferraj, i cili ushqen familjen e tij me gjashtë anëtarë vetëm me 6 mijë lekë ndihmë ekonomike në muaj dhe me çfarë mund të nxjerrë nga grumbullimi i mbetjeve të riciklueshme si kanaçe apo plastikë.
Ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri njoftoi se ka vizituar personalisht zonën pranë urës së Babrrusë për t’i ardhur në ndihmë familjeve të rrezikuara. Gjithsesi, familja Ferra dhe Mustaku vijojnë të qëndrojnë aty.
Rreshjet e dendura të shiut kanë përfshirë të gjithë rajonin e Ballkanit. Sipas faqes së internetit Açuweather, gjatë 24 orëve në këtë zonë pritet të bien 25 deri në 75 milimetra shi ndërsa në disa zona malore pritet të bien deri në 127 milimetra shi, një nivel shumë i lartë ky, i mjaftueshëm për të shkaktuar rrëshqitje toke dhe përmbytje. Të enjten, qendra e stuhisë pritet të zhvendoset në brigjet e Detit të Zi dhe rreshjet pritet të reduktohen gradualisht në Ballkanin Perëndimor.
Rreshjet e shiut gjatë 24 orëve të fundit qenë aq të fuqishme, sa situata elektroenergjetike e Shqipërisë u përmbys papritur nga kriza në bollëk. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, KESH, e cila vetëm pak ditë më parë nënshkroi kontrata për të blerë 5.2 milionë euro energji elektrike nga importi me çmimet më të larta në një vit, deklaroi sot se ka reduktuar importet dhe se ka vënë në kapacitet të plotë dy nga tre hidrocentralet e Drinit.
“Shtimi i ndjeshëm i reshjeve në orët e fundit po jep ndikimin e tij pozitiv në rritjen e rezervës energjitike në Kaskadën e Drinit”, deklaroi KESH. Në liqenin e Fierzës, i cili është liqeni më i madh në kaskadën e Drinit, prurjet arritën në 1,800 metra kub për sekondë, një kuotë shumë e lartë kjo. Prurjet mesatare vjetore të Drinit janë rreth 350 metra kub për sekondë. Niveli i liqenit u rrit me 1.4 metra brenda 24 orëve. Hidrocentrali i Fierzës po mbahet aktualisht i mbyllur për të akumuluar rezervë hidrike, pasi thatësia e pazakontë e dhjetorit të kaluar solli rënien e Fierzës në nivelin 276 metra (mbi nivelin e detit). Fierza është hidrocentrali me liqenin më të madh në kaskadën e Drinit. Në Koman, hidrocentrali më i madh i vendit me fuqi të instaluar prej 600 MW, prurjet dytësore janë 600 metra kub për sekondë, të mjaftueshme për ta mbajtur hidrocentralin në punë me kapacitet të plotë. E njëjta gjë ndodhi edhe në Vaun e Dejës, një hidrocentral me fuqi të instaluar prej 250 MW, ku prurjet anësore u rritën në 440 metra kub për sekondë.
KESH njoftoi gjithashtu se prodhimi i energjisë elektrike nga hidrocentralet private u rrit gjatë 24 orëve të fundit nga 50 në 200 MW, ndërsa prurjet e stërmëdha në kaskadën e Drinit bënë që vëmendja të zhvendoset te rreziku i përmbytjes në zonën e nën-Shkodrës. Gjatë viteve të shkuara, ka ndodhur shpesh që prurjet mbi 1500 apo 2 mijë metra kub për sekondë kanë shkaktuar përmbysje të një zone të gjerë në të dy krahët e Drinit dhe të lumit Buna. Për momentin, për shkak se Fierza është pothuajse e zbrazët, rreziku i përmbytjeve është i vogël.