Lajm1 Dec 2017

Reshjet e shiut bllokojnë rrugët dhe përmbytin shtëpi në qarqet kryesore

Moti i keq ka shkaktuar probleme të shumta në Shqipëri, ku disa qindra qytetarë janë evakuuar dhe segmente rrugore janë bllokuar për shkak të ujit. Shumë fshatra kanë hasur probleme në furnizimin me energji elektrike.

Autor: Ivana Dervishi BIRN Tiranë
Printo

Autoritetet ndihmojnë një familje te evakuohet pas shirave të furishëm në fshatin Hasan, 25 kilometra nga Tirana | AP Photo/Hektor Pustina)

Reshjet e shiut, të cilat nisën të enjten dhe pritet të zgjasin deri të hënën e javës së ardhshme kanë shkaktuar probleme në disa qarqe të vendit.

Sipas Drejtorisë së Emergjencave Civile disa qindra qytetarë janë evakuuar në zona të ndryshe të Tiranës, Shkodrës dhe Gjirokastrës.

Në Tiranë, uji ka bllokuar aksin rrugor Tiranë-Durrës në Kashar pranë qendrës tregtare “City Park”, ku janë evakuuar 100 persona të bllokuar nga uji dhe ku Ministria e Brendshme lajmëron se po punohet për të larguar ujin nga forca të ushtrisë dhe ndërhyrjes së shpejtë.

Gjithashtu fshatrat Marikaj, Laknas, Valias janë rrezikuar nga përmbytjet për shkak të nivelit të lartë të ujit.

Furnizimi me energji elektrike ka qenë problematik në zona si Sauk, Paskuqan, Ibë, Zall-Bastar, Pezë, Shkallë, Mullet, Pezë Helmes, Shenmeri, Prezë, Tufinë, Gjokaj, Ndroq, Mëzez, Valias, Paskuqan dhe Kombinat.

Moti i përkeqësuar pritet të shkaktojë probleme edhe në furnizimin me ujë të pijshëm.

Në qarkun e Durrësit, familje të shumta janë evakuuar prej vërshimit të ujit në shtëpi në zonën e Kënetës, në fshatin Derven dhe në Fushë-Krujë. Akset rrugorë Durrës-Plepa dhe Fushë-Krujë – Laç janë bllokuar prej reshjeve të shiut.

Në Shkodër, disa dhjetëra hektarë tokë janë përfshirë nga uji si në Rrencë, Dajç dhe në Anë të Malit, ndërsa në Fushë-Arrëz dhe Pukë janë dëmtuar prej erës së furishme çatitë e dy shkollave dhe qendrës shëndetësore Pukë.

Përrenjtë e Glinës dhe Tamizit sipas Emergjencave Civile kanë rrezik të dalin nga shtrati, ndërsa po merren masa parandaluese.

Janë bllokuar akset rrugore Shkodër – Theth, në vendin e quajtur Qafë Thore ndërsa aksi Shkodër – Breg Lumi, në vendin e quajtur “Mali i Shoshit” është i kalueshëm me zinxhirë.

Shumë njësi administrative në qarkun e Shkodrës dhe në Dibër kanë pasur probleme me energjinë elektrike.

Disa banesa rrezikohen të përmbyten nga prurjet e lumit të Setës në Dibër dhe në fshatrat përreth.

Në Lezhë ura mbi lumin Droj është shembur, ndërsa aksi rrugor Lurë-Kurbnesh-Rrëshen është bllokuar.

Në Gjirokastër, situata paraqitet kritike ku aksi rrugor Tepelenë-Gjirokastër është bllokuar, ndërsa shtatë familje në lagjen “Zinxhira” janë evakuuar.

“Në liqenin e Viroit ka rënë muri anësor mbrojtës i rrugës nacionale”, raportojnë emergjencat ndërsa në Dropullin e Sipërm rrezikohen 400 kokë bagëti nga prezenca e ujit.

Po ashtu në Gjirokastër njësitë administrative si Memaliaj Fshat, Luftinj, Buz, Lazarat, Lunxhëri, Çarçovë, Zagorie dhe Frashër kanë pasur probleme me energjinë elektrike.

Komiteti i Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave paralajmëroi se situata pritet të përkeqësohet në jug të vendit.

Ministria e Brendshme u bëri thirrje qytetarëve të shmangin qarkullimin në këmbë dhe me makinë në zonat problematike dhe paralajmëroi qytetarët që banojnë pranë shtretërve të lumenjve të jenë vigjilentë në rast të nevojës për evakuim. Qytetarët gjithashtu janë nxitur të telefonojnë në numrin 112 në rast emergjencash për të marrë ndihmën e autoriteteve.