Lajm2 Apr 2021

Resortet e zbrazura të Malit të Zi presin me ankth sezonin veror

Me masat kufizuese shëndetësore ende në fuqi në Malin e Zi, vendasit në qytetet bregdetare të varura nga turistët enden me shpresë dhe frikë nëpër rrugët e tyre të shkreta, të heshtura dhe me kafenetë e mbyllura.

Autor: Samir Kajosevic BIRN Podgoricë
Printo

Rruga kryesore e zbrazur në qytetin bregdetar të Perastit në Gjirin Boka. Foto: BIRN/Samir Kajosevic.

Vendasit në qytetet turistike bregdetare të Malit të Zi druhen se i pret një tjetër sezon i keq turistik, pasi shumica e resorteve në brigjet e Adriatikut janë ende pothuajse bosh. Vendi po regjistron një numër të lartë rastesh me COVID-19, masat shtrënguese mbeten në fuqi dhe ora policore fillon në orën 22:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit. Ndalohet edhe trafiku ndërqytetas.

Duke parë rrugët e zbrazëta dhe të ngushta të Kotorrit, të cilat zakonisht janë të mbushura me njerëz, Igor Raciç tha se viti i kaluar ishte i vështirë për turizmin malazez dhe se dyqanin e tij me suvenire edhe tani po e vizitojnë shumë pak klientë.

“Kur anijet kroçerat hynin në Gjirin e Bokës, Qyteti i Vjetër mbushej me turistë dhe biznesi shkonte mirë. Tani nuk ka anije turistike për shkak të pandemisë dhe asnjë shkollë nuk e viziton Qytetin e Vjetër, kështu që askush nuk blen suvenire”, tha Raciç për BIRN.

Për vite me radhë, paratë e shpenzuara nga turistët që dynden në vijën bregdetare me diell të Malit të Zi kanë qenë një shtyllë kryesore e ekonomisë së vendit, duke gjeneruar rreth 21 për qind të PBB-së vitin e kaluar.

Të dhënat e Zyrës së Statistikave thonë se gjatë vitit të kaluar, vizitat turistike ranë ndjeshëm me 83.2 për qind. Ajo tha se 20 për qind e vizitorëve ishin nga Serbia dhe 17 për qind nga Rusia, ndërsa 8 për qind ishin nga Ukraina.

Në përpjekje për të shpëtuar ekonominë e varur nga turizmi, Ministria e Shëndetësisë ka lejuar hyrjen pa nevojën e një testi për COVID për qytetarët e Serbisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Shqipërisë dhe Kosovës fqinje. Qytetarët e vendeve të tjera të botës gjithashtu mund të hyjnë në Malin e Zi pasi të pajisen me një test negativ.

Ndërkohë, ministria ka lejuar që kafenetë dhe restorantet të rihapen, megjithëse vetëm jashtë, dhe në të njëjtën tavolinë mund të ulen vetëm dy persona me një distancë prej 1.5 metrash midis tavolinave. Por muzika live, koncertet dhe tubimet publike mbeten të ndaluara, ndërsa qendrat tregtare dhe palestrat janë gjithashtu të mbyllura.

Marko Ivanoviç, një punonjës picerie në qytetin bregdetar të Sutomores, shpreson që sezoni i verës të jetë më i mirë, ose mjaftueshëm i mirë për të shpëtuar vendin e tij të punës.

“Në shumicën e vendeve të rajonit procesi i vaksinimit ka filluar, kështu që bregdetin tonë këtë verë mund ta vizitojnë më shumë turistë. Nuk do të jetë si më parë, por presim që këtë sezon të paktën të ruajmë punët tona”, tha ai.

Në 17 mars, Ministri i Zhvillimit Ekonomik Jakov Milatoviç njoftoi se Mali i Zi ishte gati për sezonin e verës, duke këmbëngulur se vendi do të ishte një destinacion i sigurt deri në fund të qershorit, periudhë deri kur rreth 35 për qind e popullsisë do të vaksinohen për COVID-19. Ministria tha se priste turistë veçanërisht nga Rusia, Ukraina, Izraeli dhe vendet e rajonit. Sipas Institutit të Shëndetit Publik, në vend ka aktualisht 6,446 raste aktive me COVID-19.