Pothuajse 200 vjet pas revolucionit të saj të parë, zgjedhja e fundit e një gruaje si presidente dhe e një kryebashkiaku hebre tregojnë se në vendin dikur patriarkal dhe intolerant po ndodhin ende ndryshime të mëdha.
Në hapësirën e vetëm disa muajve, Greqia ka zgjedhur gruan e parë presidente dhe kryebashkiakun e parë hebre në historinë e saj. Në këtë epokë pas krize, e cila ka parë edhe fundin e partisë Neo-Naziste Agimi i Artë, Greqia duket se po zbulon një identitet të ri, liberal. Ky është një bast personal nga ana e kryeministrit reformues, Kyriakos Mitsotakis, një “i huaj” politik në partinë qeverisëse konservatore Demokracia e Re.
Një moment i rëndësishëm ishte edhe zgjedhja e Katerina Sakellaropoulou si presidentja e parë grua e Greqisë. Kur një delegacion parlamentar vizitoi zyrën e saj në Këshillin e Shtetit, për ta ftuar zyrtarisht atë për të marrë përsipër detyrat e saj, ky delegacion ishte tepër i madh – duke numëruar 11 deputetë – vetëm një prej të cilëve ishte një grua, kur në parlament ka 63 gra deputete.
Ndërsa i gjithë vendi shikonte në transmetim të drejtpërdrejtë, ata panë figurën e imët të Sakellaropoulout të rrethuar nga burra, të gjithë të veshur në një mënyrë të ngjashme. Ky ishte një simbol paradoksal i një ndryshimi të madh dhe një ndryshimi në perceptime.
Por vëzhguesit më të mprehtë vunë re edhe një grua tjetër në transmetimin televiziv, përveç asaj të presidentes së re. Në tryezën e Sakellaropoulou, drejtpërdrejt prapa folësit, i cili po mbajti një fjalim me erë të gjatë, ishte një foto e Ruth Bader Ginsburg, fytyra e saj e stampuar në një filxhan kafeje të paharrueshme. Gjykatësi 86-vjeçar i Gjykatës Supreme të SHBA është një ikonë globale për të drejtat e grave dhe shkaqet liberale në përgjithësi.
Zgjedhja simbolike e Sakellaropoulou për të pasur fotografinë e Ginsburgut në filxhanin e saj të kafesë në zyrat e gjykatave greke, të cilat gjithashtu mbizotërohen nga meshkujt, nuk është e rastësishme.
Pabarazia gjinore mbetet një problem në Greqi, ku shkalla e papunësisë midis grave është 23 për qind, përkundrejt 14 për qind që është për burrat. Ky hendek prej nëntë pikësh është gjithashtu më i madhi në Bashkimin Europian.
Një tregues akoma më i madh i rolit që shoqëria greke rezervon për gratë është se sondazhet tregojnë se gratë ende bëjnë 75 për qind të punës pa pagesë në shtëpi. Gruaja në kuzhinë, burri në rrugë, duke punuar për të sjellë bukë në shtëpi. Ky është një stereotip me të cilin janë rritur shumë breza grekësh dhe një trashëgimi që është akoma me ne në kulmin e krizës financiare, papunësia midis grave nga 18-24 vjeç ishte 65 për qind.
Si kryetare shteti, Sakellaropoulou nuk ka një mandat për të adresuar këto probleme, por ardhja në zyrën e presidentit e një juristeje me mendje liberale, e cila ka luftuar për të drejtat e minoriteteve dhe refugjatëve, i dërgon një mesazh simbolik shoqërisë greke.
Profili i liberal i presidentes së re plotëson gjithashtu atë të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis – megjithëse jo domosdoshmërish atë të partisë konservatore që ai drejton. Familja Mitsotakis ka qenë prej kohësh e fuqishme në Demokracinë e Re, por edhe një prani “e huaj” brenda saj. Babai i liderit aktual, i cili ishte kryetar i partisë dhe kryeministër për tre vjet nga viti 1990 deri në vitin 1993, e kaloi gjysmën e parë të karrierës së tij politike si ylli në rritje i kundërshtarit historik të së djathtës greke, Unioni i Qendrës i qendrës së majtë.
Deri në vitin 1978, ai ishte deputet i pavarur, por më vonë u bashkua me Demokracinë e Re dhe brenda gjashtë viteve u bë kryetar i saj. Familja Mitsotakis i përket qendrës liberale; e drejta e partisë njeh popullaritetin dhe suksesin e tyre elektoral, por është gjithashtu skeptike për çdo përpjekje për ta modernizuar atë dhe për të ndryshuar mënyrat e saj konservatore dhe të dala mode. Në mënyrë tipike, Antonis Samaras, paraardhësi i Mitsotakis, kryeministri gjatë viteve të krizës, nuk votoi për Sakellaropouloun në parlament.
Vetë Mitsotakis po përpiqet gjithashtu ta paraqesë zgjedhjen e Sakellaropoulout si presidente si zgjedhjen e tij personale. Në fjalimin në të cilin ai i shpjegoi grekëve zgjedhjen, ai tha se kryeministrat kanë pak shanse të lënë një vulë personale në të ardhmen. Para fjalimit, ai u tha gazetarëve se ai do të vendoste “i vetëm në mal” për emrin e presidentit të ardhshëm, gjatë disa pushimeve në një resort në Metsovo në rajonin malor të Epirit.
Një mrekulli e dytë në veri
Dyzetë e të kilometra larg Metsovos, në Janinë, qendra më e madhe urbane në veriperëndim të Greqisë, një tjetër mrekulli e vogël politike ndodhi në qershor 2019 kur, për herë të parë në historinë e Greqisë, një qytet zgjodhi një kryebashkiak hebre, Moisiu Elisaf – një rezultat tronditës që u bë lajm në të gjithë botën për simbolikën e tij të fuqishme.
Edhe tani, zgjedhja e bërë nga Janina është objekt i një analize të gjerë, pasi sondazhet sugjerojnë se rekët mbeten midis kombeve më antisemitikë në Europë. Rreth 69 për qind e grekëve kanë paragjykime antisemite, sipas një studimi të Ligës Amerikane të Anti-Shpifjes, më e lartë sesa Polonia dhe pothuajse sa dyfishi i Francës – e dyta në listë me 37 për qind.
Në Britani, sipas të njëjtit studim, ky rezultat është vetëm 8 për qind. Në një sondazh të opinionit publik të kryer në vitin 2018 nga Universiteti i Maqedonisë, në Selanik, 40 për qind e të anketuarve madje shprehën një qëndrim pozitiv për Holokaustin.
Por Elisaf, drejtuesi i komunitetit të vogël hebre në Janinë dhe një avokat kundër antisemitizmit grek, qe i aftë t’i bënte thirrje votuesve me një profil të ngjashëm me atë të Mitsotakis – si reformator i vetmuar, liberal dhe i moderuar që i del kundër patronazhit dhe populizmi lokal.
Demokracia e Re kishte kandidatin e saj për Janinë, rastësisht, një grua, por ekzistonte një përshtypje të fortë që Elisaf ishte zgjedhja e vërtetë e Mitsotakis. Fitorja e papritur dhe e thellë e Elisafit në Janinë është parë si një tjetër shenjë e një kthese më të gjerë drejt liberalizmit në Greqi. Ndërsa populizmi dhe nacionalizmi në vitet e krizës ndihmuan në kanalizimin e pakënaqësisë popullore, duket se shoqëria greke u lodh shpejt prej tyre. Ekspertët thonë se kjo i dërgon një mesazh vendeve të tjera që janë ngatërruar me populizmin dhe e konsiderojnë atë si një fenomen që është këtu për të qëndruar.
Zgjedhja e Elisaf nuk ishte thjesht pararendëse e fitores së Mitsotakis në zgjedhjet kombëtare të korrikut. Ajo gjithashtu përkoi me rënien e Agimit të Artë, partia Neo-Naziste që lulëzoi në Greqi gjatë viteve të krizës. Në zgjedhjet e vitit 2012, partia e ekstremit të djathtë, drejtuesit e së cilës pozonin me kryqin svastik dhe duke bërë përshëndetje naziste, fituan 21 vende në parlament, pasi morën 7 për qind të votave. Në vitin 2015, ajo shënoi rezultate të ngjashme dhe u bë partia e tretë më e madhe në parlament.
Megjithatë, në zgjedhjet e korrikut ajo nuk arriti as të hynte në parlament. Rënia e saj ishte spektakolare, madje akoma më shumë sesa ngjitja e saj në pushtet më parë. Në muajin që kaloi midis zgjedhjeve europiane të qershorit 2019 dhe zgjedhjeve kombëtare në vend në korrik, votat e Agimit të Artë ranë nga 275,734 në 165,711.
Në vitin 2021, Greqia po përgatitet të festojë 200 vjet nga shpërthimi i revolucionit kundër sundimit osman dhe themelimi i shtetit grek. Ndërkohë, revolucione më të vogla kanë ndodhur muajt e fundit edhe në jetën e përditshme. Presidentja Sakellaropoulou dhe kryebashkiaku Elisaf janë simbole të një vendi që po lufton me vetë kontradiktat e tij, por që po shënon fitore kundër intolerancës dhe stereotipeve që ekzistojnë në vend prej një kohe të gjatë.
Mendimet e shprehura në seksionin e Opinioneve janë vetëm ato të autorëve dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.