Opinion28 May 2019

Rezultatet e zgjedhjeve europiane thjesht përkeqësojnë perspektivën e vagët të Ballkanit

Me ekstremin e djathtë që bën progres të mëtejshëm akoma më të qartë në zgjedhjet europiane që u mbajtën këtë fundjavë, lojtarët kryesorë të BE-së me shumë gjasa do të bëhen akoma më të kujdesshëm në lidhje me zgjerimin e mëtejshëm për të përfshirë Ballkanin Perëndimor.

Autor: Vesko Garceviç BIRN Boston
Printo

Parlamenti Europian. Foto: Facebook/European Parliament.

A do të ndryshojnë të ardhmen e Ballkanit zgjedhjet europiane? Me bllokun tradicional të pushtetit, të përbërë nga qendra e djathtë dhe qendra e majtë (Partia Popullore Europiane, PPE, dhe Social Demokratët) që humbet shumicën e tij në Parlamentin Europian, a do t’i ashpërsojë ekstremi i djathtë akoma më shumë institucionet e BE-së kur të vazhdojë zgjerimi?

Edhe pse të Gjelbrit Europianë kanë arsye të forta për të festuar paraqitjen e tyre të fortë, fituesit kryesorë të këtyre zgjedhjeve janë populistët dhe partitë e ekstremit të djathtë, të cilët dolën të parët në Itali, Francë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Poloni – katër nga gjashtë vendet më të mëdha anëtare të BE-së.

Rëndësia e fitores së tyre në zgjedhje, të cilat patën gjithashtu pjesëmarrjen më të lartë në vite, dhe ndikimi i saj në BE, mbetet ende të qartësohet pasi votat e tyre janë të shpërndara në disa blloqe politike. Konservatorët e Polonisë i përkasin Konservatorëve dhe Reformistëve Europianë, ndërsa partia Fidesz e Hungarisë ende i takon bllokut të EPP-së, për shembull.

Aleanca e Demokratëve për Europën – Liberalët – mund të ishin kënaqur me rezultatet e tyre nëse presidenti Emmanuel Macron nuk do të humbiste ndaj Marine Le Pen në Francë.

Ndërkohë, rezultatet e zgjedhjeve do të ndryshojnë shumë pak gjëra në aspektin e perspektivës së zymtë të BE-së për anëtarët aspirues të Ballkanit Perëndimor.

Çuditërisht, kjo nuk është vetëm për shkak të rritjes së populizmit dhe euroskepticizmit. Kjo ka të bëjë më shumë me qëndrimin e konservatorëve tradicionalë europianë, liberalëve dhe partnerëve të tyre në të majtë.

Zgjerimi i BE-së nuk ka qenë në krye të axhendës së BE-së për vite me radhë dhe duket se do të mbetet kështu edhe pas zgjedhjeve. Ndryshe nga më parë, megjithatë, shumica e aktorëve politikë në Europën Perëndimore, qoftë nga e majta apo nga e djathta, e shohin zgjerimin e mëtejshëm të BE-së si të pafavorshëm.

Marrëdhënia në mes të dyve i ngjan një romance të zbehur që po i afrohet fundit të saj. Partnerët nuk i besojnë plotësisht njëri-tjetrit dhe marrin në konsideratë opsionet alternative, edhe pse ata ende flasin për të ardhmen e tyre të përbashkët.

“Vendet kandidate pretendojnë se duan të reformohen dhe ne pretendojmë se duam që ata t’i bashkohen BE-së,” është një fjali që tani më shumë se kurrë përshkruan se çfarë po ndodh midis BE-së dhe rajonit të Ballkanit.

Ndërsa anëtarësimi në BE duket si një ëndërr e këndshme, por e paarritshme, i tillë ngjanë edhe pohimi i liderëve lokalë për t’i qëndruar plotësisht të përkushtuar reformave demokratike.

Duhet të theksojmë tre argumente që përdoren zakonisht nga anëtarët kryesorë të BE-së për të justifikuar qasjen e tyre të kujdesshme për zgjerimin e mëtejshëm.

I pari është përvoja negative e BE-së me anëtarët e rinj dhe regresioni i tyre demokratik. Edhe pse i vlefshëm dhe i justifikueshëm, ky argument nënvlerëson performancën e mirë të “të porsaardhurve” të tjerë. Është e vërtetë që disa anëtarë të rinj luftojnë me populizmin autoritar gjithnjë e më në rritje, të tjerët, si shtetet baltike, Sllovenia apo Malta, kanë bërë një rrugë të gjatë për t’u integruar plotësisht në strukturat e BE-së.

Më e rëndësishmja, ky argument fsheh sfidat që disa shtete anëtare të vjetra kanë me partitë e tyre të ekstremit të djathtë, populiste dhe që rezultatet e zgjedhjeve në Francë, Itali dhe Mbretërinë e Bashkuar i kanë konfirmuar tashmë.

Argumenti i dytë është nënpërfaqësimi i vendeve kandidate. Kjo është e vërtetë. Kandidatët aktualë kanë një problem me reformat demokratike. Megjithatë, ritmi i reformave të tyre është ngadalësuar me kalimin e kohës jo vetëm për shkak të deficitit të tyre demokratik dhe “lodhjes së reformës”, por edhe për shkak të një perspektive të zymtë dhe të paqartë të BE-së.

Siç na konfirmon përvoja e kohëve të fundit, anëtarësimi në BE nuk është një plan i përjetshëm mbrojtjeje nga relapsi demokratik. Vendosja e kandidatëve në një dhomë pritjeje për t’i pasur ata nën vëzhgim për dekada të tërë nuk ndihmon aspak. Kjo nuk do të përshpejtojë transformimin e tyre demokratik.

BE-ja nuk duket aspak e vetëdijshme për rreziqet e mbajtjes së Ballkanit jashtë klubit të saj. Mbajtja e anëtarësimit si një objektiv i lëvizshëm do të thotë të luash në duart e Vladimir Putinit. Kjo do të thotë të mbështesësh një atmosferë që është e favorshme për nacionalistët lokalë dhe lulëzimin e euroskeptikëve.

Presidenti rus Vladimir Putin. Foto: Beta/Mikhail Klimentyev

Së fundmi, rritja e partive populiste, ekstremit të djathtë dhe euroskeptikëve, qoftë në pushtet apo jo, si në Lindje dhe në Perëndim, po formëson diskursin politik dhe po ndryshon peizazhin politik në BE.

Populistët e ekstremit të djathtë shfrytëzojnë në mënyrë efikase shqetësimet e njerëzve lidhur me emigracionin e paligjshëm, fluksin e punëtorëve të huaj dhe problemet e sigurisë me qëllim që të nxisin një rivendosje të sovranitetit kombëtar dhe shpërndarje të pushtetit në BE deri në kohën e para nënshkrimit të marrëveshjes së BE-së.

Të gjendur përballë kësaj sfide, shumica e partive tradicionale kanë lëvizur më djathtas, duke mprehur retorikën e tyre. Nën presion, zgjerimi i BE-së është i lehtë për t’u sakrifikuar.

Takimi i fundit midis kancelares gjermane Angela Merkel dhe Macronit të Francës me krerët e Ballkanit Perëndimor konfirmon këtë përshtypje shqetësuese. Edhe pse liderët gjerman dhe francez deklaruan se ata “kanë një përgjegjësi ndaj Ballkanit Perëndimor dhe është në interesin e tyre që zhvillimet në rajon të marrin një kthesë pozitive”, takimi nuk ringjalli dialogun e vdekur mes Kosovës dhe Serbisë dhe as nuk nxiti shpresat e anëtarësimit në BE në një të ardhme të parashikueshme.

Merkel dhe Macron kanë vënë stabilitetin e rajonit si një prioritet në këtë moment, gjë e cila mund të shihet si një gjest mbështetës për ata në pushtet dhe një dush ti ftohtë për të gjithë ata që ende protestojnë kundër qeverive në Beograd, Podgoricë apo Tiranë.

Menjëherë pas takimit, Macron publikoi një strategji të re të Francës për Ballkanin.

Një detaj që të bie në sy është se strategjia, duke iu referuar përciptazi të ardhmes europiane të rajonit, nuk përmend anëtarësimin e ardhshëm në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Rasti i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut konfirmon se sa jo popullor është në Bruksel zgjerimi. Edhe pse është premtuar mbështetje për hapjen e bisedimeve të pranimit me të dy vendet, shumë anëtarë të BE-së do të preferonin ta shtynin vendimin sa më shumë të jetë e mundur, të paktën deri në shtator, në mos edhe deri në dhjetor.

Për shkak të zgjedhjeve parlamentare europiane, raportet vjetore të progresit për vendet kandidate dhe kandidate të mundshme u shtynë nga prilli për më 29 maj.

Disa vende anëtare të BE-së, duke përfshirë Francën dhe Holandën, kanë përdorur zgjedhjet si një justifikim për të kërkuar një vonesë.

Edhe vendimit të tyre për të votuar pro bisedimeve të pranimit nuk duhet t’i jepet një kuptim që nuk e ka.

Kjo duhet parë si një kompromis i vështirë dhe jo si një shenjë entuziazmi për anëtarët e rinj. Gjithsesi, procesi i pranimit u jep atyre shumë mundësi për ta bërë atë të gjatë dhe të papërcaktuar.

A e ka harruar apo tradhtuar BE-ja Ballkanin Perëndimor?

A ka humbur BE-ja mekanizmin e saj mbi rajonin, siç tregon dështimi i saj ne dialogun Serbi/Kosovë?

Po vendet e rajonit po luftojnë për të vazhduar me planet e tyre të reformave, siç këmbëngul BE-ja? Pse BE-ja nuk sillet në lartësinë e saj dhe humbet terren ndaj rivalëve të saj në Ballkan?

Për të trajtuar si duhet të gjitha këto pyetje nevojitet një analizë më e thellë. Por një gjë është e qartë – BE-ja mund të mbetet një aktor që i ndryshon komplet rregullat e lojës, nëse ajo dëshiron ta luajë këtë rol.

Një qasje më e fuqishme, ose një angazhim më i gjallë politik për zgjerimin midis anëtarëve kryesorë të BE-së, si Franca dhe Gjermania, do ta ndryshonte rrjedhën e ngjarjeve në rajon.

Narrativa e Komisionit Europian për një perspektivë të BE-së, nëse nuk fuqizohet nga anëtarët ekzistues të BE-së, ka shumë pak kuptim. Ajo e vetme nuk mund të përshpejtojë reformat e nevojshme apo të gjenerojë ndryshime në rajon. Kjo mund të bëhet vetëm nga një riafirmim i perspektivës së tyre të anëtarësimit, e ndjekur nga një plan i mirëpërcaktuar mbi mënyrën se si do të vazhdohet.

Mendimet e shprehura në sektorin e Komenteve janë vetëm ato të autorëve dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.