Lajm4 Oct 2019

Richard Grenell, i dërguari i ri i Trump në Ballkan

Presidenti Donald Trump lajmëroi se ambasadori i tij në Berlin, Richard Grenell, do të jetë i dërguari special i SHBA-së për negociatat Serbi-Kosovë, pas emërimit të Matthew Palmer si Përfaqësues Special i SHBA-së për Ballkanin.

Autor: Maja Zivanovic BIRN Beograd
Printo

Richard Allen Grenell, ambasadori i SHBA-së në Berlin. Foto: Flickr.

Një muaj pasi Donald Trump njoftoi Matthew Palmer si Përfaqësuesin e ri Special të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor, Shtëpia e Bardhë tha të enjten se përfaqësuesi i saj i lartë diplomatik në Gjermani, Richard Grenell, do të jetë i dërguari i tij i ri special për bisedimet Serbi-Kosovë.

Mediat amerikane raportuan njoftimin për shtyp të Uashingtonit në të cilin thuhej se Grenell ka “përvojë të gjerë në komunikimin politik”.

Grenell do të mbajë postin e tij si ambasador në Berlin ndërsa kryen edhe rolin e Përfaqësuesit Special.

Ministri i Jashtëm i Kosovës Behgjet Pacolli e përshëndeti emërimin, duke thënë në Twitter se kjo tregon “interesin personal të SHBA-së dhe Trumpit për të arritur një marrëveshje juridikisht detyruese midis dy vendeve që çon në njohje të ndërsjellë dhe paqe në rajonin tonë”.

Pacolli shtoi se Grenell do të ketë mbështetjen e qeverisë së Kosovës. Deri më tani, nga Serbia nuk ka pasur asnjë reagim për emërimin.

Emërimi i tij si i dërguar qe i papritur, pasi më 30 gusht Departamenti i Shtetit njoftoi emërimin e Matthew Palmer si Përfaqësuesin e ri Special të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor.

“Palmer do të udhëheqë përpjekjet tona për të forcuar angazhimin diplomatik të SHBA-së në mbështetje të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në rajon dhe do të përqendrohet në integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në institucionet perëndimore,” u tha në një deklaratë për shtyp në atë kohë.

Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës filloi në vitin 2011.

Bisedimet kanë ngecur që nga nëntori i vitit të kaluar, kur qeveria e Prishtinës vendosi tarifa 100 për qind për importet nga Serbia si masë hakmarrëse kundër masave diplomatike të Beogradit për të penguar anëtarësimin e Kosovës në Interpol.

Kosova do të mbajë zgjedhje të përgjithshme të dielën, pasi parlamenti i saj aktual u shpërnda para kohe.