Analize13 Nov 2018

Rikthimi i vëmendjes te komuniteti

Familje të qëndrueshme, punë të mira, shkolla të forta dhe hapsira publike të sigurta, si dhe krenari në kulturat dhe historinë lokale - këto janë elementët kryesorë të shoqërive të begata. As tregjet globale dhe as shtetet nuk mund t'i furnizojnë siç duhet ato - dhe ndonjëherë të parat përfundojnë duke i penguar komunitetet.

Autor: Dani Rodrik Project Syndicate Kembrixh
Printo

Foto Ilustruese. //Sendet e mbetura pas shembjeve të shtëpive të komuniteti rom në Selitë. 19 shkurt 2016. Foto: Ivana Dervishi/BIRN.

Ekonomistët thonë se matja e mirëqenies së një individi është sasia dhe llojshmëria e të mirave që ai apo ajo mund të konsumojë. Mundësitë e konsumit maksimazohen duke u dhënë firmave lirinë për të cilën kanë nevojë që të përfitojnë nga teknologjitë e reja, diversiteti i forcës së punës, ekonomitë e shkallës dhe mobiliteti. Konsumi është synimi; prodhimi është mjeti i arritjes së tij. Tregjet, në vend të komuniteteve janë njësia dhe objekti i analizës.

Askush nuk mund të mohojë se ky konsumator – dhe vizioni i ekonomisë me në qendër tregun ka prodhuar shumë fryte. Sasia e madhe e mallrave të disponueshme në mega-dyqanet apo zbritjet e Apple në çdo qytet madhor të botës kanë qenë të paimagjinueshme një brez më parë.

Por qartazi diçka nuk ka funksionuar ndërkohë. Përçarjet ekonomike dhe sociale brenda shoqërive tona kanë provokuar një kundërsulm të gjerë në shumë rangje – nga SHBA, Italia dhe Gjermania në botën e zhvilluar në vendet në zhvillim si Filipine dhe Brazil. Kjo trazirë politike sugjeron se prioritetet e ekonomistëve mund të mos kenë qenë shumë të sakta.

Dy libra, një që pritet të dalë nga Raghuram Rajan dhe një tjetër i publikuar këtë muaj nga Oren Cass, shqyrtojnë pikëpamjen tonë botërore nga ana ekonomike dhe argumentojnë se duhet të vëmë në qendër komunitetet tona lokale. Familje të qëndrueshme, punë të mira, shkolla të forta dhe hapsira publike të sigurta, si dhe krenari në kulturat dhe historinë lokale – këto janë elementët kryesorë të shoqërive të begata. As tregjet globale dhe as shtetet-kombe nuk mund t’i furnizojnë siç duhet ato – dhe ndonjëherë tregjet dhe shtetet i pengojnë ata.

Autorët vijnë nga pikëpamje të ndryshme. Rajan është një ekonomist në Universitetin e Çikagos dhe ish-governator i Bankës së Rezervës në Indi. Cass është qendrës së djathtë të Institutit të Manhatanit për Kërkime Politike dhe ishte drejtor i politikës së brendshme për fushatën presidenciale të republikanit Mitt Romney.  Nuk pritet që një ekonomist nga Çikago apo një republikan i moderuar domosdoshmërisht t’i trajtojnë tregjet dhe hiper-globalizimin me skepticizëm. Por të dy janë të shqetësuar nga ajo që shohin dhe nga efektet te komunitetet.

Rajan e quan komunitetin shtyllën e tretë të begatisë, po aq të rëndësishme sa dy shtyllat e tjera – shtetin dhe tregun. Ashtu si fuqia shtetërore e pacentralizuar, shkruan ai, globalizimi i pamenaxhuar mund të shkatërrojë komunitetet lokale. Cass është i palëkundur se tregtia e SHBA dhe politika e imigrimit duhet të përqendrohet në punëtorët amerikanë së pari. Kjo nënkupton të sigurohemi se tregjet e punës në komunitetet lokale janë të shëndetshme dhe ka vende pune me bollëk dhe paga të denja. Të dy autorët theksojnë fitimet që vijnë nga tregtia dhe refuzojnë protektionizmin e presidentit amerikan Doland Trump. Por ata gjithashtu bien dakord se mund të kemi shkuar shumë larg në hiperglobalizim dhe nuk i kemi kushtuar mjaftueshëm vëmendje kostove në komunitete.

Kur një fabrikë mbyllet ngaqë një firmë ka vendosur të japë punën te një ofrues jashtë shtetit, më shumë humbet se qindra (ose mijëra) vende pune që largohen jashtë. Ndikimi shumëzohet përmes pakësimit të shpenzimeve në mallra dhe shërbime në shkallë lokale, që do të thotë se punëtorët dhe punëdhënësit në ekonominë lokale ndihen të goditur. Bien gjithashtu të ardhurat e qeverive nga taksat, ndaj ka më pak para për të shpenzuar për arsimin dhe të mirat publike. Krimet, shkatërrimi i familjeve, varësit dhe vese të tjera sociale e pasojnë atë.

Përgjigjja e zakonshme e ekonomistëve është të bëjnë thirrje për “freksibilitet më të madh të tregut të punës”: punëtorët duhet të largohen nga zonat në depresion dhe të kërkojnë vende pune gjetkë. Por siç na kujton Cass, lëvizja gjeografike duhet të kundrapeshohet me “mundësinë për të qëndruar”. Edhe gjatë kohës së largimit madhor, një pjesë e popullatës qëndron pas dhe ka nevojë për punë dhe komunitete solide.

Ekonomistët mund të rekomandojnë kompensim të humbësve nga ndryshimi ekonomik, përmes transfertave sociale dhe përfitimeve të tjera. Duke lënë mënjanë transferta të tilla, është e dyshimtë nëse ato janë zgjidhje. Papunësia mund të pengojë mirëqenien individuale dhe të komunitetit edhe nëse nivelet e konsumit mbështeten përmes parave të dhëna nga shteti.

Së fundmi, vetëm nëpërmjet krijimit dhe zgjerimit të punëve të mirëpaguara munden komunitetet lokale të bëhen vitale. Propozimi i Cass është të inkurajohet punësimi përmes subvencionimit të pagave. Rajan thekson rolin e liderëve lokalë që mund të mobilizojnë asetet e komunitetit, të gjenerojnë angazhim shoqëror nga ana e banorëve vendas dhe të krijojnë një imazh të ri – në të gjithë kontekstin më mbështetës ndaj politikave shtetërore dhe globalizimit të menaxhuar.

Ekonomistë të tjerë kanë advokuar programe prodhimi me shënjestër lokale, partneritete mes punëdhënësve lokalë dhe universiteteve. Të tjerë kanë rekomanduar shpenzime lokale, si programe trajnimi për sipërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Ne nuk kemi ende garanci se cila funksionon më mirë dhe një sasi e madhe e ekpserimentimit të politikave duhet për të bërë progres. Por urgjenca e veprimit nënvizohet nga fakti se trendet teknologjike kërcënojnë të përkeqësojnë problemet aktuale të komuniteteve. Teknologjitë e reja dixhitale priren të shfaqin ekonomi shkalle dhe pasojat e rrjetit, që mund të prodhojë përqëndrim në vend të lokalizimit të prodhimit. Në vend të shpërndarjes së fitimeve, ato krijojnë tregje ku fitimtari i merr të gjitha. Globalizimi i rrjeteve të prodhimit i shton të tilla përpjekje.

Si i balancojmë ne këto forca me nevojat e komuniteteve do të formojë jo vetëm të ardhmen tonë ekonomike, por edhe mjedisin tonë social dhe politik. Siç tregon Cass dhe Rajan, është një problem që ekonomistët nuk mund ta shpërfillin më.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. Reclaiming Community