Reportazh19 May 2020

Rikthimi në normalitet për bizneset e shërbimit kërkon kohë

Lokalet dhe baret në Tiranë kanë hapur përsëri dyert, por rikthimi i klientëve që dikur mbushnin zhurmshëm tavolinat e tyre do të kërkojë kohë, pas muajsh karantine dhe recesionit ekonomik në horizont.

Autor: Nensi Bogdani BIRN Tiranë
Printo

Stafi i bar ‘Momento’ në qëndër të Tiranës tregon se rënia drastike e ditëve të para të rihapjes ka ulur fitimet 10-fish krahasuar me para pandemisë | Foto : Nensi Bogdani

Për më shumë se 2 muaj, gotat plastike, makineritë automatike dhe këndet e oborreve kanë zëvendësuar kulturën e kafeneve në Shqipëri.

Qytetarëve iu desh të përshtateshin me zakone të reja gjatë izolimit, duke mos patur më mundësinë për t’u ulur në kafe për të takuar miqtë apo për të shijuar diellin e pranverës.

Të mbyllur prej 11 marsit si pasojë e epidemisë së COVID-19, baret rihapën të hënën dyert për klientët, por duke operuar vetëm në hapësira të jashtme dhe nën një protokoll strikt me masa mbrojtëse ndaj virusit.

Një pjesë e qytetarëve shprehen se gjatë këtyre 2 muajve janë detyruar të blejnë makineri ekspresi, ndërsa disa të tjerë i janë kthyer kafes turke të përgatitur në shtëpi.

“Ne jemi pensionistë, nuk e kemi pasur shumë problem, por fëmijët tanë janë ata që e kanë vuajtur më shumë këtë pamundësinë për të dalë,” tha Besniku, një burrë i moshuar i ulur në një tavolinë të zhurmshme me miqtë në një bar pranë ish-ekspozitës Shqipëria Sot në Tiranë.

Ndërsa në një kafene tjetër pranë Komunës së Parisit, një çift i ri e kishte vendosur laptopin mbi tavolinë dhe po shijonte kafenë duke punuar me një projektin të tyrin.

“Në fakt sot është dita e parë që dolëm për kafe, pasi dje nuk dolëm. Pas pothuajse 3 muajve në shtëpi, sikur u mësuam, nuk e kemi më problem të qëndrojmë brenda”, thanë ato.

Në një zonë tjetër të Tiranës, në një hapësirë  të madhe të dekoruar me pemë artificiale, Sara dhe Bora – dy shoqe që po shijonin një kafe të ftohtë, pranuan se gjate dy muajve të fundit ishin mësuar të pinin kafenë në shtëpi.  Gjithsesi ato shtuan se të paktën një kafe në ditë duhet pirë në lokal pasi kjo është edhe një arsye për t’u socializuar apo për t’u takuar me shoqërinë.

“Dilnim çdo ditë në pazar e në market, kështu që përse të mos hapeshin edhe kafenetë, përderisa edhe në ambiente të tjera me njerëz ishim pothuajse njësoj të rrezikuar”, theksoi Bora.

Ndryshe nga klientët të cilët duken se tashmë janë mësuar me reduktimin e orëve që më parë kalonin në kafe, menaxherët dhe punonjësit e bareve shprehen se gjatë dy ditëve të para të rifillimit të aktivitetit, tavolinat edhe pse të reduktuara në numër kanë mbetur pothuajse bosh.

“Shumë keq duket situata këto dy ditët e para”, shprehet Vjola, menaxhere  pranë  njërit prej dyqaneve të rrjetit “Mon Cheri” në Tiranë.

Vjola, menaxhere në një prej bareve ‘Mon Cheri’ tregon se 2 ditët e para të rihapjes kanë shënuar rënie të theksuar | Foto : Nensi Bogani

“Njerëzit kanë akoma frikë, plus shumica kanë hyrë në vështirësi ekonomike, plus që tani është muaji i Ramazanit…e as studentë nuk ka më tani”, tha ajo, duke rreshtuar shkaqet që sipas saj kanë ndikuar në uljen e klientelës gjatë dy ditëve të para të rihapjes pas pandemisë.

Ndërkohë, Andi, punonjës i ‘Bar Deluxe’, tregoi se dy ditët e para të hapjes së aktivitetit nuk ka pasur pothuajse fare klientë, por sipas mendimit të tij kanë ndikuar edhe protestat, pasi shumë njerëz pas pune mund të kenë dalë të protestojnë në vend që të ulen për kafe.

Megjithë kufizimet e shumta që ligji imponoi prej fillimit të marsit, disa qytetarë theksojnë se e kanë gjetur rrugën për të pirë kafe – në një mënyrë ose tjetrën.  Pranë Galini Bar, ku tavolinat e shumta në oborr janë të boshatisura, 3 shokë, studentë të shkollës hoteleri-turizëm, të cilët preferuan të mbeteshin anonim, treguan se atyre gjatë këtyre muajve nuk u ka munguar kurrë kafja.

“Për ne njësoj ka qenë, si me pandemi si pa pandemi, ne e kemi pirë kafen. E kemi gjetur ndonjë lokal në lagje që punonte fshehurazi” tregoi njëri prej tyre.

Në kafe Mokador, pranë kryqëzimit të 21 Dhjetorit në Tiranë, kishte të martën në mesditë vetëm dy klientë të ulur për ta shijuar kafenë jashtë.

” Ne mezi i kemi pritur të hapen kafenetë, sepse edhe ato kafet e makinerive nuk piheshin fare,” tha njeri prej patronëve.  “Shyqyr që kam pasur një ekspres tek puna, sepse edhe kështu nuk shtyhej.” Shtoi ai.

Ndërsa menaxheri i po të njëjtës kafe pranoi se klientët pas pandemisë kishin avulluar dhe sipas tij do të duhen disa ditë derisa të mësohen me idenë e rikthimit në normalitet.

Ndërkohë, në zonën më të frekuentuar pranë sheshit Skënderbej, kafenetë që ndodhen pranë Teatrit të Operas dhe Baletit duket se kanë pak më shumë klientë. Gjithsesi edhe ato tregojnë për një rënie të ndjeshme të qarkullimit.

Klientët e bar ‘Pensionisti’ shprehen se ata u mësuan me kufizimet e pandemisë dhe pa kafen e përditshme | Foto : Nensi Bogani

“Rënia gjatë dy ditëve të para pas rihapjes në krahasim me periudhën para pandemisë ka qenë drastike”, pranoi shefi i sallës i bar Momento, Erblin Totraku.

Sipas Totrakut, nëse përpara pandemisë lokali bënte 1 milion lekë xhiro në ditë, dje, në ditën e parë të hapjes ka pasur më pak se një të pestën e xhiros të një dite normale.

“Pavarësisht se për shkak të rregullave kemi nxjerrë vetëm çerekun e tavolinave jashtë, përsëri as këto tavolina nuk arrijnë të mbushen”, përfundoi ai.