Reportazh29 Sep 2019

Rilindja Urbane në Dibër, ‘e panevojshme dhe e papërfunduar’

Bulevardi “Elez Isufi” në qytetin e Peshkopisë u rinovua me pllaka guri në vend të asfaltit me një investim prej 848 mijë eurosh, por banorët ankohen për cilësinë e punimeve dhe pohojnë se projekti ka përkeqësuar lëvizjen në dimër dhe në verë.

Autor: Hysen Likdisha BIRN Peshkopi
Printo

Bulevardi “Elez Isufi” në qytetin e Peshkopisë, i rinovuar në kuadër të Rilindjes Urbane me një fond prej 848 mijë eurosh. Foto: Hysen Likdisha.

Krasitja e pemëve të blirit që rrethonin të dy anët e bulevardit “Elez Isufi” dhe shtrimi i tij me gur i ka zemëruar banorët e qytetit të Peshkopisë. Ata thonë se bulevardi që mbante dikur aromë bliri nuk ka një vend ku të fusësh kokën në hije në verë dhe është i rrezikshëm gjatë ngricave në dimër.

“Ishte bulevard i mirë për shëtitje, nën hijen e aromën e blirëve gjatë gjithë muajit maj e qershor, por  ky projekt investimi e prishi fare në të gjitha drejtimet”, thotë Beqir Reçi, banor i qytetit.

Banorët e Peshkopisë ankohen se shëtitja e përditshme është zbehur dhe stolat që ndodheshin në hapësira të gjelbërta janë tani në mes të bulevardit. Ata shtojnë gjithashtu se projekti i filluar në pranverë të vitit 2016 ndryshoi rrugës dhe një shatërvan i planifikuar dhe i reklamuar në tabelat e vendosura gjatë ndërtimit, u zhduk.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se rinovimi i bulevardit “Elez Isufi” dhe i rrugëve “Safet Zhulali” dhe asaj pranë Muzeut në qendër të Peshkopisë u financuan nga Komiteti i Zhvillimit të Rajoneve në kuadër të programit kombëtar Rilindja Urbane në 10 mars 2016.

Rinovimi kushtoi rreth 105 milionë lekë [848 mijë euro] dhe punimet u kryen nga kompania fituese Alko Impex Construction. Bulevardi është një prej pesë projekteve që qarku i Dibrës ka fituar në kuadër të Rilindjes Urbane me një vlerë totale prej 4.1 milionë eurosh.

Ndërsa një pjesë e parave kanë shkuar për rikonstruktim shkollash dhe rrugësh, më shumë se gjysma, 2.5 milion euro, u përdorën për të rivitalizuar bulevardin kryesor të qytetit dhe hapësirat pranë Pallatit të Kulturës.

Kryetari aktual i bashkisë së Dibrës, Dionis Imeraj pranoi në një bisedë telefonike me BIRN se ndërtimi kishte probleme, por shtoi se ai ishte sidoqoftë më i mirë. Kryebashkiaku tha gjithashtu se nuk kishte qartësi për ndryshimet e projektit, pasi sapo kishte marrë detyrën.

Të panevojshme

Kantieri i Rilindjes Urbane në Bashkinë e Dibrës u hap në prag të zgjedhjeve të pjesshme lokale të shtatorit 2016, që përfunduan me fitoren e kandidatit të Partisë Socialiste, Muharrem Rama. Prej tre vitesh, zgjedhjet në qarkun e Dibrës janë objekt i një hetimi të nisur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda mbi bazën e përgjimeve të zyrtarëve qëndrorë dhe lokalë që flasin mbi shitblerje votash dhe përdorimin e administratës, por hetimi nuk ka ende një rezultat.

Bulevardi kryesor i qytetit të Peshkopisë, i shtruar me pllakë dekorative në një gjatësi prej 0.6 kilometrash përfundoi në fund të vitit 2016. Por megjithë shpenzimin e konsiderueshëm, banorët e intervistuar nga BIRN nuk ndjejnë ndonjë ndryshim pozitiv prej projektit.

Ylber Kapxhiu, banor i qytetit të Peshkopisë i tha BIRN se kishte “zero vlerësim për këta projekte”, ndërsa akuzoi se  ato ishin “bërë vetëm për të mbushur xhepat  dikush”.

Kapxhiu thotë se pllakat e gurit e kanë bërë të vështirë të shëtisësh me karrocë fëmijësh. “Atyre u rropatet koka nga gungat e bulevardit”, thotë ai, ndërsa shton se as gratë nuk mund të shëtisin në bulevard me taka prej gropave në pllaka.

Ramazan Tota, një tjetër banor u ankua se hapësirat e gjelbra për të pushuar ishin reduktuar. Ai shpjegon se aty ku ishte planifikuar një shatërvan, janë vendosur stola, por ato janë fare pranë rrugës së makinave që ngrenë pluhur e bëjnë zhurmë.

Shqetësues për banorët është se pllakat e gurit janë të rrezikshme në një pjesë të madhe të vitit për shkak të ngricave dhe thonë se ato nuk i përshtaten klimës së Dibrës.

Problemet me ngricat i pranoi edhe kryebashkiaku Imeraj, por ai tha se nëse menaxhoheshin siç duhej, këto probleme shmangeshin. “Ka probleme në dimër gjatë ngricave, por nëse mirëmbahet siç duhet me kripë e të tjera, nuk ka asnjë problem,” tha Imeraj gjatë një bisede në telefon.

Sipas kryebashkiakut, përzgjedhja e gurit është bërë edhe sepse një i ngjashëm është përdorur thuajse në të gjitha projektet e Rilindjes Urbane. “Projektet e Rilindjes Urbane janë pak a shumë të ngjashme,” tha ai.

Ndryshimi i projektit

Të dy projektet për rivitalizimin e qendrës së Peshkopisë u zbatuar nga kompania Alko Impex Construction në pronësi Arbër Abazit. Opozita akuzoi atëherë qeverinë se tenderat ia kishte dhënë nipit të deputetit të Partisë Socialiste, Sadri Abazi.

Banorët e Peshkopisë ankohen se kompania nuk i përfundoi punimet ashtu siç ishin planifikuar dhe reklamuar. “Sipas tabelës të vendosur gjatë punimeve, projekti bënte me dije edhe ndërtimin e një shatërvani diku në mesin e kësaj pedonaleje.  Por aktualisht shatërvani nuk gjendet askund,” tha Sabri Laçi për BIRN.

“Projekti është i parealizuar, jo vetëm nga cilësia e dobët e punimeve, por ka patur edhe ndryshim projekti,” shtoi ai. Të njëjtin gjë pohon edhe Festim Xhari, ndërsa Durim Kaba – një tjetër banor – thotë se do kishte qenë më mirë “të mos realizohej projekti, pasi është krejt i panevojshëm”.

Kryetari i Bashkisë, Dionis Imeraj i cilësoi kritikat si diferencë mendimesh, por këmbënguli se bulevardi është më i mirë se sa ishte më parë. “Patjetër që e ka përmirësuar qytetin, qytetarët normalisht kanë mendime të ndryshme, dikush e pëlqen dikush jo,” tha Imeraj.

Ai tha se nuk mund të fliste me kompetencë sa i përket ndryshimit të projektit, pasi kishte vetëm pak kohë në zyrë. Megjithatë tha se ishte në dijeni të faktit se kishte pasur pengesa për sa i përket shatërvanit, i cili nuk u ndërtua asnjëherë.