Reportazh24 Sep 2019

‘Rilindja Urbane’ nuk e ndal braktisjen e qytetit të minatorëve

Banorët ankohen se investimi prej gati 1 milion USD i qeverisë shqiptare për t’i dhënë një imazh të ri sheshit qendror të Memaliajt nuk adreson problemet dhe sfidat ekzistenciale me të cilat përballet qyteza e minatorëve buzë Vjosës.

Autor: Raimond Kola BIRN Memaliaj
Printo

Ish-minatorët në Memaliaj e kalojnë kohën duke luajtur domino | Foto nga : Rajmond Kola

Një grup burrash të moshuar që luajnë domino nën hijen e pallatit të kulturës ‘Minatori’ – një godine e vjetër në fund të sheshit qendror të qytezës së Memaliajt, ankohen se sheshi i ri me pllaka guri nuk ka gjelbërimin e dikurshëm.

“Nuk ka as hije dhe e bardha e betoneve dhe pllakave na vret sytë,” tha një ish-minator që i ka kaluar të 80, duke shtuar me shpoti se për sa i përket shatërvanëve “kur bie shi i hapin ndonjëherë.”

Tre grupe shatërvanësh në sheshin e ri nuk kanë asnjë gjurmë uji në një sipërfaqe të gjerë të shtruar me pllaka dhe ashtu të thara duken si gropa me ngjyra pa kuptim.

Qeveria shqiptare nëpërmjet një projekti të financuar në Fondi i Zhvillimit të Rajoneve, synoi t’i jepte një imazh të ri qytezës duke rijetëzuar hapësirën qendrore urbane të saj.

Megjithatë, kjo ndërhyrje ngjalli debate mes banorëve të qytezës së minatorëve të cilët ankohen se problemet e tyre nuk lidhen me infrastrukturën urbane, por kryesisht me statusin profesional të ish-punëtorëve të minierës dhe papunësinë e të rinjve që vazhdon t’i largojë drejt qendrave të mëdha urbane dhe migracionit.

Kryetari i ri i Bashkisë së Memaliajt, Gjolekë Guci – me profesion inxhinier ndërtimi, shprehet se nuk dëshiron të shikojë nga e shkuara, por mendon se me një ritrajtim i sheshit nga arkitektët mund të përmirësojë disa elementë për ti bërë më të shfrytëzueshëm nga qytetarët.

Sipas censusit të vitit 2011, bashkia e Memaliajt ka një popullsi prej 10.657 banorësh, por kjo shifër besohet se ka rënë gjatë dekadës së fundit.

Qyteza e themeluar në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore për të shfrytëzuar burimet e qymyrgurit, e ka humbur profilin e saj me mbylljen e minierës.

“Atëherë ishin rreth 6 mijë punëtorë,” kujton Sulo Meta, një ish-shofer autobuzi në pension.  “Punoja natë e ditë me autobuz për të çuar minatorët, ndonjëherë dremisja dhe në autobuz,” shtoi ai.

Tani Sulo mban frymën gjallë falë një pensioni prej 23 mijë lekësh, për të cilin ankohet se është shumë pak për të mbuluar ilaçet, për të paguar energjinë elektrike dhe ujin.

Sheshi ‘Minatori’ pas rikonstruksionit | Foto : Rajmond Kola

Projekti i sheshit “Minatori” i kushtoi buxhetit të bashkisë 98.6 milionë lekë dhe u zbatuar me sipërmarrës kompanitë  Caushi sh.p.k &  Varaku E sh.p.k në harkun e 12 muajve. Sipas raportit teknik të projektit, përpara rikonstruksionit sheshi prej 10 mijë metra katrorë, kishte rrugë të dëmtuara dhe lulishte me një pamje të dëmtuar dhe arkaike. Ai ishte rikonstruktuar për herë të fundit në vitet 1980 dhe sipërfaqet e tij ishin të dëmtuara nga ndërhyrjet në rrjetet e ndryshme inxhinierike si kanalizime dhe ujësjellës nga firmat dhe banorët.

Investimi i bashkisë nëpërmjet financimit të Fondit të Zhvillimit të Rajoneve ka synuar t’i adresojë këto probleme, duke rikonstruktuar rrjetin e kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza, rrjetin e telekomunikacionit dhe ndriçimin.

Megjithatë, jo çdokush është impresionuar me ndërhyrjen e bashkisë, në mënyrë të veçantë ish-banorët e qytezës të zhvendosur drejt kryeqytetit, të cilët nëpërmjet rrjeteve sociale kanë kërkuar që projektuesit të ruanin hapësirat e gjelbra të sheshit dhe të shkurtonin kostot e investimit.

Paratë sipas banorëve mund të ndihmonin për nevoja më të mëdha dhe emergjente që qyteza ka në drejtim të lidhjes me ura  me zonat anës Vjosës, zbutjen e papunësisë dhe mbështetjen e familjeve të varfra, apo  përmirësime në infrastrukturë që ndihmonin furnizimin me ujë dhe komunikim në zonat rurale të bashkisë.

Projekti i ri sipas banorëve të qytezës eliminonte plotësisht nostalgjinë e sheshit të vjetër ku qyteti i minatorëve sillte jetën pas punës së lodhshme në galeritë e qymyrgurit. Banorët e vlerësuan si gabim të  projektuesve suvatimin e pallateve të gurta, dhe më pas lyerjen e tyre, prishjen e lulishteve dhe përdorimin pa kriter  të pllakave të bardha në shtrimin e sheshit.

Nën hijen e Pallatit të Kulturës, ndwrsa luajnw domino banorët e mbetur të qytezës ankohen se problemet e tyre shkojnë përtej estetikës së sheshit kryesor.

“Nuk po na e miratojnë statusin e minatorit, na gënjejnë çdo vit,” tha Gjolek Deda, i cili një pjesë të jetës e ka kaluar në minierë. Shkëlqim Merdani, një tjetër ish-minator në galeritë e qymyrgurit, ndërhyn duke bërë fajtore sindikatat, që sipas tij nuk i kanë mbrojtur interesat e tyre për statusin. “Çfarë të presësh prej tyre, 6 sindikata që s’mbrojnë asnjë të drejtë punëtori,” shfryu ai.

I përballur me kritikat për këtë investim të madh, kryebashkiaku Gjolek Guci tha se postin e mori me entuziazmin për të bërë më mirë disa punë në qytezën e vogël, duke filluar nga pastrimi i qytetit.

“Shumë njerëz merrnin rrogën dhe nuk bënin punë, kanë dalë rrugët në dritë nga heqja e ferrave dhe mbeturinave dhe operacioni për mirëmbajtjen e gjithë zonës do të vazhdojë,” tha ai.

Sheshi “Minatori” përpara rikonstruksionit | Foto : Rajmond Kola

Pas kësaj faze Gjoleka shtoi se do nisë përgatitja e projekteve të vogla që mund të ndihmojnë drejtëpërdrejt  jetën e banorëve, duke nënvijëzuar se me një bashki të varfër nga të ardhurat dhe me detyrime të prapambetura ai synon të zgjojë edhe vetëdijen e komuniteteve në emigracion apo në Tiranë për të bashkuar investimet komunitare me ato bashkiake – sidomos në fshatrat tradicionalë të zonës.

Kryebashkiaku shtoi gjithashtu se qyteza kishte nevojë për investime në sektorin fason për të ulur nivelin e lartë të papunësisë mes grave dhe vajzave.

“Kemi menduar për sipërmarrjet një paketë propozimesh që do të kalojnë në këshillin bashkiak që t`u krijojmë lehtësi deri edhe tek zbutja e kostove si ato të energjisë me fonde bashkiake,” tha ai. “Vetëm të vijnë sipërmarrjet se na ndihmojnë shumë në zbutjen e papunësisë,” përfundoi Guci.