Opinion30 Oct 2018

Rotacioni dhe memoria institucionale e munguar në bankën qendrore

Banka e Shqipërisë pritet të plotësojë Këshillin Mbikëqyrës me gjashtë anëtarë të rinj nga nëntë anëtarë që ka në total. Në kushtetutën e vendit si dhe në ligjin për Bankën e Shqipërisë është përcaktuar një koncept i qartë, ai i rotacionit gradual të anëtarëve të këshillit mbikëqyrës. Megjithatë, ligji i miratuar fillimisht më 1997 ka mbetur gjerësisht i pazbatuar.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Pamje ballore e ndërtesës së Bankës së Shqipërisë në Tiranë, fotografuar më 31 tetor 2015. Foto: Ivana Dervishi/BIRN

Ligji Për Bankën e Shqipërisë thotë në mënyrë eksplicite se të nëntë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë zgjidhen për shtatë vjet “duke synuar që datat e mbarimit të këtij afati të çdo anëtari […] të jenë të shpërndara gjatë periudhës shtatë vjeçare”. Neni 44, pika 4.

Megjithatë, për herë të tretë që nga miratimi i ligjit në vitin 1997, gjashtë nga nëntë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës po zgjidhen njëherësh, duke ngritur shqetësime për rrezikun e kapjes së këtij institucioni nga maxhoranca e rradhës parlamentare, shqetësime të ngritura edhe në vitin 2004 e 2011.

Aktualisht qeveria shqiptare ka hapur thirrje për të plotësuar tre vende vakante në Këshillin Mbikëqyrës ndërsa Kuvendi i Shqipërisë, ku socialistët në qeverisje disponojnë shumicën e nevojshme, ka hapur thirrje për të plotësuar tre vakanca të tjera, gjithsej gjashtë.

Të gjashtë zëvendësimet janë mandate të plotësuara në vitin 2011, të cilët, nga ana e tyre, ishin zëvendësime për mandatet e marra në vitin 2004.

Parimi ligjor i shpërndarjes së mandateve përgjatë periudhës shtatëvjeçare që mandati zgjat, është një koncept i pranishëm në të gjitha institucionet që ligjërisht duhet të jenë të pavarura nga faktori politik. Gjykata Kushtetuese është shembulli më i dukshëm dhe institucioni ku ky parim është zbatuar me rigorozitet që kur institucioni u krijua për herë të parë në vitin 1992.

Shpërndarja e mandateve përgjatë periudhës shtatëvjeçare synon njëkohësisht shmangien e varësisë së drejpërdrejtë politike nga një maxhorancë parlamentare e vetme dhe gjithashtu, ruajtjen e memories institucionale në një institucion që mund të hasë vështirësi në funksionim në rast se shumica dërrmuese e anëtarëve janë pa eksperiencë të drejtpërdrejtë me kulturën administrative të bankës qendrore.

Ky është një telash që ligjvënësit e kanë krijuar që nga viti 1998 dhe që nuk kanë marrë mundimin ta zgjidhin deri tani. Shoqëruar kjo me rrezikun e ‘qokave’ politike në emërimet në këtë pozicion të lakmuar financiarisht, (anëtarët e Këshillit kanë paga të majme), institucioni i Këshillit ka qenë gjithmonë i kërcënuar nga pikëpyetjet mbi varësinë politike.

Kështu, kur në vitin 2004, Ksenofon Krisafi, në atë kohë, këshilltar i kryeministrit Fatos Nano, u zgjodh anëtar i Këshillit Mbikëqyrës, Fondi Monetar Ndërkombëtar bëri një protestë të rrallë publike duke rikujtuar se Këshilli Mbikëqyrës duhej të ishte i pavarur politikisht. Qeveria “Nano” deklaroi në atë kohë se Krisafi ishte dorëhequr ndërkohë nga posti i këshilltarit.

Telashe të ngjashme u shfaqën në vitin 2011, por të një natyre tjetër. Në këtë kohë, tre partitë politike shqiptare, PD, PS dhe LSI, kishin një dakordësi jozyrtare për të votuar me kompromis anëtarët e institucioneve të pavarura duke pasur të drejtën e propozimit. Mes të zgjedhurve në atë kohë, Petraq Milo, mandati i të cilit mbaron në nëntor, u zgjodh anëtar duke kaluar drejtpërsëdrejti nga posti i këshilltarit të kryeministrit te Banka e Shqipërisë. Në një kundërshti të dukshme me ligjin për Bankën e Shqipërisë, të qenit anëtar nuk e pengoi Milon të vijonte angazhimin e vet politik.

Së paku njëri prej kandidatëve të publikuar nga Kuvendi i Shqipërisë, Oljan Kanushi, vjen drejtpërsëdrejti nga administrata e Ramës.

Me gjashtë anëtarë të zgjedhur nga e njëjta maxhorancë qeverisëse, Këshilli Mbikëqyrës rrezikon të kthehet në një vegël të pushtetit politik, situata më e rrezikshme e mundshme për stabilitetin financiar të vendit. Për shembull, para zgjedhjeve të vitit 2005, pati diskutime, (gjithsesi të pakonfirmuara), nëse disa ulje të njëpasnjëshme të normës bazë të interesit nga BSH ishin apo jo në interes të shumicës parlamentare socialiste, e cila kishte zgjedhur shumicën e anëtarëve vetëm pak muaj më parë.

Ndikimet politike në Këshillin Mbikëqyrës të BSH në të gjitha rastet nuk janë të mundura të kuptohen për shkak se BSH, ndryshe nga shumë banka qendrore nëpër botë, nuk i publikon procesverbalet e diskutimeve në mbledhjet e këshillit.

Pikëpyetje ndërkohë janë ngritur edhe për Guvernatorin Gent Sejko, i cili u zgjodh anëtar i Këshillit Mbikëqyrës dhe më pas Guvernator në vitin 2015. Sejko u zgjodh guvernator pasi paraardhësi i tij, Ardian Fullani, humbi mandatin për shkak të arrestimit nën akuzën e abuzimit me detyrën. Fullani rezultoi më vonë i pafajshëm.

Neni 47 i ligjit për Bankën e Shqipërisë, në pikën 3, thotë: “Çdo vend vakant në Këshillin Mbikëqyrës do të plotësohet me emërimin e anëtarit të ri të Këshillit Mbikëqyrës, sipas dispozitave të nenit 44 të këtij ligji, i cili e ushtron këtë funksion brenda afatit të mbetur të anëtarit që ka zëvendësuar.”

Vendimet e Kuvendit të Shqipërisë për zëvendësimin e vakancave të krijuara nga dorëheqjet pas skandalit të vjedhjes në thesarin kryesor të Bankës së Shqipërisë thonë në mënyrë eksplicite se anëtarët e rinj vijojnë mandatin e paraardhësit. Sipas kësaj logjike, z. Sejko do të duhet të rizgjidhet ose të zëvendësohet në fund të mandatit të Fullanit, në nëntor 2018. Por telashi është se një pjesë e deputetëve, përfshirë kryetarin e komisionit parlamentar të Ekonomisë Erion Braçe, mendon se ligji në fjalë nuk ka peshë në krahasim me kushtetutën, e cila i jep mandat shtatëvjeçar guvernatorit pa sqaruar rastet kur mandati i guvernatorit ndërpritet.

Në një situatë kur vendi nuk ka një Gjykatë Kushtetuese për të dhënë një interpretim të vlefshëm për këtë gjendje juridike, interpretimi i vetëm mbetet ai i deputetit Braçe.

Në mes të kësaj situate të paqartë juridike, një gjë është e sigurt, neni 47 pika 3 rrezikon të shkelet ose të injorohet ndërsa neni 44, pika 4, e cila duhet të garantojë shmangien e rrezikut të kapjes së BSH nga një forcë e vetme politike, rezulton që nuk është respektuar asnjëherë përgjatë dy dekadave të fundit.

Lexo më shumë:

Guvernatori Fullani përballet me zemërimin e publikut
Nga kush janë të pavarura institucionet e pavarura?
Lufta e shkresurinave Braçe-Golemi
Neutraliteti i internetit dhe tentativat për censurë