Shumica e politikave të gabuara në ekonominë botërore sot – si në rastin e tarifave të presidentit amerikan Donald Trump – ndodhin si rezultat i dështimeve në nivel kombëtar, jo për shkak të mungesës së bashkëpunimit ndërkombëtar. Dhe, me përjashtim të dy lloj rastesh, vendet duhet të lejohen të bëjnë gabimet e tyre.
Presidenti amerikan Donald Trump ka përdorur sigurinë kombëtare si një justifikim për tarifat e tij mbi importet e çelikut, kërcënimin për rritjen e tarifave të automobilave dhe tarifat që ai është zotuar së fundmit të vendosë mbi importet meksikane. “Nëse nuk keni çelik, nuk keni një vend,” tha ai (për të cituar vetëm një shembull). Ndërsa pretendimi i Trump për sigurinë kombëtare duket absurd në pamje të parë, ai ngre pyetje të vështira për regjimin e tregtisë botërore dhe qeverisjen ekonomike globale më gjerësisht.
Sfida kritike e qeverisjes globale është të përcaktojë vijën ndarëse midis fushave të politikës në të cilat shtetet-kombe janë të lira të bëjnë siç u do qejfi dhe atyre që rregullohen me marrëveshje ndërkombëtare. Në një ekonomi botërore që është bërë gjithnjë e më e ndërvarur, pak a shumë çdo gjë që bën një vend përhapet edhe tek të tjerët.
Por një përhapje e tillë nuk është një arsye e mjaftueshme për të kufizuar autonominë kombëtare. Merrni si shembull arsimin publik, taksat karburantit apo limitet e shpejtësisë në autostradë. Secila prej këtyre politikave ka pasoja për partnerët tregtarë. Aftësitë e përmirësuara ndryshojnë avantazhin krahasues të një vendi dhe për pasojë mundësitë tregtare të të tjerëve. Taksat e karburantit dhe limitet e shpejtësisë ndikojnë në kërkesën për naftë dhe për pasojë ndikojnë te çmimet në tregjet botërore. Politika të tilla nuk janë të rregulluara ndërkombëtarisht dhe bërja e kësaj të fundit do të konsiderohej gjerësisht si absurde – dhe me të drejtë.
Rasti kanonik për qeverisjen globale bazohet në dy klasa problemesh. E para ka të bëjë me të mirat (ose të këqijat) publike globale: politikat në dobi të botës në përgjithësi, por që sjellin pak ose aspak përfitime në vend. Kontrollet mbi emetimet e gazrave serrë janë një shembull kryesor. Klasa e dytë e problemeve është politikat e ashtuquajtura “varfëro fqinjin”: masa që sjellin përfitime ekonomike në vend vetëm në atë pikë që dëmtojnë të tjerët – dhe gjenerojnë paaftësi globale në proces. Një shembull klasik është kartelizimi i disa mallrave të pamjaftueshme për nxjerrjen e çmimeve monopole nga partnerët tregtarë.
Këto raste paraqesin argumente të patëmetë për qeverisjen ekonomike globale. Por pak nga çështjet që shqetësojnë politikbërësit në ditët e sotme i përkasin ndonjërës nga këto kategori. Për shembull, subvencionet, politikat industriale, tarifat për mbrojtjen e punësimit, masat jo tarifore që synojnë shëndetin ose problemet sociale, rregulloret e varfra financiare dhe politikat fiskale të papërshtatshme (tepër të ashpra) nuk janë as të mira/të këqija publike dhe as politika “varfëro fqinjin”.
Këto politika janë, në fakt, politika “varfëro veten”. Të tjerë sjellin përfitime në vend, por sepse ata adresojnë shtrembërime të vërteta të tregut ose objektiva të ligjshme sociale, jo sepse imponojnë kosto ndaj vendeve të tjera. Nëse qeverisja globale është bërë lëmsh sot, kjo është për shkak se shumë politika janë bërë të ndërkombëtarizuara nëpërmjet rastësisë ose funksionimit të lobeve politike sesa nëpërmjet ndonjë justifikimi të vërtetë ekonomik.
Merrni në konsideratë argumentin e sigurisë kombëtare për tarifat. Nëse argumenti i Trump është i pabazë, siç besojnë shumë vetë, është vetë ekonomia e SHBA-së e para dhe më e rëndësishmja që përballon kostot e qasjes së tij të gabuar. Me fjalë të tjera, tarifat e Trump janë një politikë “varfëro veten”. Nëse, nga ana tjetër, i japim Trumpit benefitin e dyshimit dhe jemi të gatshëm të pranojmë se ekziston një rast i vërtetë i sigurisë kombëtare, atëherë është e përshtatshme që vendimi të merret në nivel vendor.
Është e pamundur të dimë përpara se vendet të zbatojnë politika të tilla se cila situatë vlen. Sidoqoftë, delegimi i autoritetit përfundimtar tek një organ ndërkombëtar duket diçka e pamatur. Edhe kur një politikë, siç është tarifa kombëtare e sigurisë, është e gabuar, demokracitë duhet të lejohen, si rregull i përgjithshëm, të bëjnë gabimet e tyre. Fuqizimi i burokracive ndërkombëtare për të parandaluar vendet që të dëmtojnë veten kur ka dyshime të konsiderueshme paraprakisht do të dukej e papërshtatshme. Kjo gjithashtu do të vendoste një precedent të rrezikshëm për fusha të tjera.
Në rastin e sigurisë kombëtare, parimet e Organizatës Botërore të Tregtisë janë të paqarta dhe mbeten kryesisht të paprovuara në praktikë. Teksti përkatës duket se lë shumë hapësirë duke thënë: “Asgjë në këtë Marrëveshje nuk do të interpretohet … për të parandaluar asnjë palë kontraktuese që të ndërmarrë çfarëdo veprimi që e konsideron të nevojshëm për mbrojtjen e interesave thelbësore të sigurisë.” E megjithatë, në një vendim të fundit që nuk përfshin Shtetet e Bashkuara, OBT mbajti qëndrimin se mund të shqyrtojë vendimet kombëtare në këtë fushë dhe të gjykojë përshtatshmërinë e tyre. Në mënyrë të parashikueshme, SHBA-ja e ka kritikuar këtë vendim.
Entuziastët e qeverisjes globale duhet të marrin parasysh faktin se shumica e problemeve politike në ekonominë botërore sot – si në rastin e tarifave të Trump – ndodhin si rezultat i dështimeve në nivel kombëtar, jo për shkak të mungesës së bashkëpunimit ndërkombëtar. Tarifat e Trump janë politikë e keqe jo sepse dëmtojnë disa vende të tjera, por më tepër sepse ato imponojnë kosto të konsiderueshme direkt në ekonominë amerikane.
Nuk mund të mbështetesh në marrëveshjet globale për të parandaluar dështime të tilla në nivel kombëtar dhe ato kanë po aq gjasa të kapen nga interesa si proceset politike vendore – me legjitimitet shumë më pak demokratik. Kufizimet e jashtme në fakt mund të përkeqësojnë dështimet e qeverisjes vendore, deri në atë pikë sa të fuqizojnë koalicione të veçanta shpërndarëse në kurriz të publikut të gjerë.
Më e mira që mund të shpresojmë është ajo që mund të quhet “qeverisje globale që nxit demokracinë”. Ndryshe nga qeverisja globale që nxit globalizmin, qeverisja globale që nxit demokracinë do t’ia linte shumicën e fushave të politikave – ato që nuk mund të klasifikohen si të mira publike globale ose politika “varfëro fqinjin” – rregullores kombëtare. Mbikëqyrja globale do të kufizohej në kërkesat procedurale – të tilla si transparenca, llogaridhënia, pjesëmarrja e palëve të interesuara, përdorimi i provave shkencore/ekonomike – që synojnë të forcojnë diskutimin vendor demokratik, pa paragjykuar përfundimin final.
Dyshohet që një regjim kaq i lehtë qeverisjeje globale do të bënte një ndryshim kur vjen puna te budallallëqet tregtare të Trump. Por të paktën kjo do t’i mohonte Trumpit (dhe politikanëve të tjerë nativistë) çdo bazë për t’u ankuar vazhdimisht që OBT-ja dhe organe të tjera ndërkombëtare po shkelin mbi sovranitetin kombëtar.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. Can Global Rules Prevent National Self-Harm?