Qytetarët shqiptarë janë të gozhduar para ekranit ku propaganda iu komunikon se problemi më i madh është bojkotimi apo pengmarrja siç i referohet pushteti, i procesit mësimor dhe jo mungesa e reagimit të qeverisë ndaj kërkesave të studentëve.
“Çohu Besmir”, i thërret Agroni vëllaçkos me të cilin ndan një shtrat, jo një shtrat të zakonshëm ama, siç mund të na paraprijnë pëfytyrimet komode me të cilat jemi mësuar, por një shtrat me susta të ndryshkura që ua dërrmon shtyllën kurrizore çdo natë. Dy motrat e tij ndajnë një shtrat të ngjashëm pak më tutje, paçka se me një dyshek disi më të mirë por gjithashtu, të mbushur me zhele të vjetra. Zëri i Agronit thellohet çdo ditë, por ëmbëlsia me të cilën zgjon motrat e vëllain mbetet e njëjta. Ai është 14 vjeç e fëmija më i madh i familjes, njëkohësisht i ngarkuar me barrën e përgjegjësisë që të mbërrijnë të gjithë në kohë në shkollë.
Djath e turshi
Dielli vazhdon të fshihet pas maleve të Tropojës edhe pse s’ka pak që ka nisur të zbardhet. Megjithatë, mjegulla e dendur të turbullon dhe nuk lejon të shquash as përtej dy-tri metrave. Përpara se t’i hipin furgonit për në Bajram Curr, një rrugë që zgjat dyzetë minuta, Agronit me motrat dhe vëllain u duhet të ecin rreth gjysmë ore më këmbë. Kjo është një rrugë që mund të bëhet akoma edhe më shpejt, shprehet Agroni, por Besmiri që është vetëm shtatë vjeç nuk ecën dot aq shpejt sa të tjerët.
Kjo është rutina e përditshme e të vegjëlve që përpara marshimit për në shkollë, kujdesen për njëri-tjetrin me një maturi të admirueshme. Teksa Agroni dhe motra e tij e madhe përgatitin mëngjesin, një mëngjes të varfër anipse të thuash modest është t’ia zbukurosh ligsht pamjen, të tjerët bëhen gati duke zgjedhur ato që i konsiderojnë rrobat më të bukura që kanë. Mëngjesi konsiston në disa copëza djathi për secilin dhe pak turshi. Një herë në javë ama, i ati u jep të holla për të blerë byrek në qytet. Ajo është edhe dita që pritet më me padurim prej tyre sepse përtej shijes që ofron byreku i ngrohtë në mëngjes, nxënësit e tjerë nuk do t’i tallin se ata vijnë era djath e turshi…
Agronin e kam njohur në një konkurs letërsie. U dallua prej të tjerëve sepse kishte shkrimin më të bukur që kam parë ndonjëherë. Çdo shkronjë ishte e rrumbullakosur a thua se ishte duke pikturuar malet ku jeton. Dhe kur lexova krijimin e tij, kuptova se ky djalosh ishte një talent letrar.
“Ëndrra ime është të studioj Gjuhë-Letërsi”, më rrëfen gjatë një bisede. “Kur të mbushi gjashtëmbëdhjetë vjeç, i kam thanë babës që do t’shkoj t’punoj në ndërtim n’Kosovë për dy vera dhe kështo do kursej për universitetin.” Kjo është rruga e vetme sipas tij për të paguar tarifat e shkollës së lartë.
Belgjikë vs Shqipëri
Në ato momente u ndjeva pak në siklet sepse nuk ia kisha aspak idenë se sa ishin tarifat dhe unë pata kujtuar se cikli Bachelor në universitetet publike ishte falas, duke pasur gjithnjë parasysh rrogat e vogla dhe varfërinë e tejskajshme në Shqipëri.
Kur studioja në Bruksel, nuk paguaja më shumë se 77 Euro në vit. Duke qenë se nuk kisha të ardhura të mjaftueshme, kisha të drejtë të paguaja tarifën minimale dhe të përftoja bursë. Në Belgjikë për vitin akademik 2018 – 2019, studentët me bursë paguajnë 108,80 Euro në vit për studimet Master. Ndërsa ata që janë pa bursë, 238,30 Euro në vit. Po i referohem studimeve Master, duke qenë se tarifat kripen veçanërisht këtu. Në Shqipëri për shembull, tarifa e Masterit shkon deri në 1,800 Euro teksa rroga mesatare është 320 Euro në muaj.
Për tarifat e tmerrshme universitare në Shqipëri, u informova vetëm falë protestave të studentëve. Një nga çështjet kryesore të kundërshtimit të Ligjit Për Arsimin e Lartë dhe reformës së kaluar më 2015 nga qeveria (pavarësisht kontestimeve), janë tarifat e papërballueshme çka ua pamundësojnë arsimin një pjese të konsiderueshme të të rinjve. 320 Euro në vit për Bachelor-in dhe 1,800 Euro për Master-in, do të thotë gati 8 herë më shtrenjtë se sa në Belgjikë (teksa rroga mesatare në Belgjikë nuk është, sigurisht, 320 Euro në muaj por 1873 Euro). Ishte pikërisht ky çast që më kthjelloi më tej se pse një 16-vjeçar si Agroni, bën llogari për të punuar në ndërtim gjatë verave apo pse rreth 15 000 studentë paralizuan Tiranën në muajin dhjetor dhe ende vazhdojnë protestën duke bojkotuar leksionet.
Ajo që nuk kuptoja ose më saktë, ajo që më bënte pafundësisht përshtypje, ishte reagimi i qeverisë shqiptare përballë kërkesave të studentëve. E vetmja energji që kjo qeveri ka shpenzuar për këtë çështje deri tani, janë tentativat banale se si ta përçajë dhe zhbëjë rezistencën studentore. Mirë këta soj politikanësh, pasi si nga të djeshmit po ashtu edhe nga të sotshmit jemi mësuar të mos presim gjë, por ajo që më habit është fakti se pavarësisht që studentët po japin një shembull historik, mbështetja për ta duket pothuajse inekzistente. Qytetarët shqiptarë janë të gozhduar para ekranit ku propaganda iu komunikon se problemi më i madh është bojkotimi apo pengmarrja siç i referohet pushteti, i procesit mësimor dhe jo mungesa e reagimit të qeverisë ndaj kërkesave të studentëve. Mesa duket, fuqitë magjike të ekranit mund të bëjnë që shumëkush edhe t’i harrojë problemet e shkaktarët kryesorë të tyre.
Disa ditë më parë, po flisja me një të afërmin tim mbi protestat e studentëve dhe ai më thotë se si këto të fundit nuk ia vlejnë pasi zor se mund të ndryshojnë diçka. Gjithsesi, në bisedë e sipër më tregoi që Alketa, e bija e tij, pas gjimnazit ishte detyruar të fillonte punë në një fasoneri, sepse ai vetë nuk i kishte kushtet për ta dërguar në shkollë të lartë. Mendoja se si ky person, jo vetëm që do duhej t’i kuptonte studentët, por të ishte me ta në shesh. Por, nuk janë të pakët shqiptarët që kanë rënë si puna e tij, në pusin e pesimizmit që paralizon të menduarit.
Pesimizmi dhe apatia megjithatë, nuk janë një fenomen që ka pllakosur veçse në Shqipëri, sikurse na tregojnë shifrat mbi besueshmërinë që gëzojnë njerëzit karshi politikës dhe institucioneve. Por në Shqipëri apatia është shndërruar në gjë gjendje kome të thellë nga e cila duket sikur ka humbur rruga për të dalë. Kjo ka të bëjë, besoj, edhe me faktin që si popull kemi humbur shpresën. Mungesa e shpresës është e kuptueshme, teksa shohim se zyrtarisht 25% e popullsisë jeton në varfëri të skajshme e ndërkohë, me mijëra punëtorë (por jo vetëm) s’kanë kurrfarë perspektive në këtë vend. Rrogat – të mos flasim për pensionet apo ndihmën sociale – zor se mjaftojnë për të mbuluar shpenzimet më minimale.
Lëvizja studentore
Sado e pashpresë të duket situata në sytë e shumë shqiptarëve, shpresa është gjithmonë e pranishme. Jo më kot vetë populli ka nxjerrë shprehjen se rinia është shpresë e një shoqërie. Shembulli më i fuqishëm i kësaj shprese sot është lëvizja studentore.
Fatkeqësisht, vendi ynë duke kaluar sa nga një pushtues tek tjetri ndër shekuj, nuk ia ka dalë të formësojë një kulturë politike të mirëfilltë të shoqërisë civile, protestës, emancipimit apo qeverisjes. Pa patur shembuj që frymëzojnë, kur përplasesh me pesimizmin dhe apatinë, është jashtëzakonisht e vështirë të ndërtosh diçka të re. Lëvizja studentore është një ndër shembujt e pakët që ofron shpresë për disa arsye.
Së pari, lëvizja vjen nga studentët që kanë politizuar kushtet e jetës së tyre të përditshme. Një realitet në shtypje dhe zhvatje pasi nuk mund ta emërtojmë ose trajtojmë ndryshe, kur shohim, për shembull, konviktet e mjerueshme e të mykura në çdo cep, ku jetojnë studentë nga e gjithë Shqipëria. Çfarë tjetër përpos se zhvatës mund të quhet një sistem ku për një Master pagesa është 1 800 Euro por rroga mesatare nuk i tejkalon 320 Euro, çka do të thotë më e ulëta në të gjithë Evropën. Jo vetëm rroga mesatare dhe minimale por edhe niveli arsimor në Shqipëri është një ndër më të ulëtit në Evropë dhe një ndër shkaqet kryesore për këtë, përpos politikave diskriminuese, janë edhe pedagogët e korruptuar e varësia e dekanëve të fakulteteve nga partitë politikë.
Së dyti, lëvizja kërkon jo vetëm anulimin e Ligjit Për Arsimin e Lartë, por edhe që studentët dhe pedagogët të kenë vendin e tyre në vendimarrje, për ta ribërë universitetin dhe në tërësi, arsimin e lartë në Shqipëri. Kjo është një kërkesë mëse legjitime, që tregon pjekurinë demokratike të studentëve dhe pedagogëve që janë pjesë e kësaj lëvizjeje.
Së treti, lëvizja studentore po sfidon mbarë shoqërinë sepse ajo politizon arsimin por refuzon të jetë partiake. Për shqiptarët politika është konceptuar kahera si partiake, gjë që lidhet me mungesën e kulturës politike dhe shembujve ndër vite. Kauza e arsimit është politike, jo falas PS – PD – LSI, por sepse arsimi është pjesë e një sistemi dhe çdo aspekt i një sistemi është politik. Ajo për të cilën vendi ynë ka nevojë është pikërisht politizimi i halleve dhe aspiratave tona. Kjo do të na ndihmojë të kuptojmë që politika i tejkalon kufijtë e partiakës dhe se protesta është një element i rëndësishëm i politikës.
Arsimi është themeli
Është protesta masive ajo që ka bërë të mundur të gjitha ato arritje në botën perëndimore të cilat ne sot i vlerësojmë, duke filluar nga e drejta e votës për të gjithë, të drejtat sociale apo e drejta për arsim. Në Evropë, për shembull, fundjava pushim ekziston sepse është kërkuar dhe luftuar për të nëpërmjet protestave dhe revoltave, jo sepse klasa e politikanëve apo padronëve menduan ta dhuronin krejt papritur.
Protesta dhe bojkoti, dy forma kyç të rezistencës aktive paqësore, janë thelbi i lëvizjes studentore. Prandaj këta të rinj do të hyjnë në librat e historisë së Shqipërisë si një shembull i mirëfilltë i kulturës politike dhe shpresës. Gjithashtu, lëvizja studentore u rikujton atyre që e kanë harruar se sa të ketë rini, do të ketë shpresë! Për këtë arsye, gjithsecili prej nesh duhet ta ndiejë si detyrim qytetar që të mbështesë rininë me fjalë por sidomos, me vepra. Duke filluar prej atyre që dërgojnë policinë dhe përçarësit në fakultete: qeveritarët.
Edhe pse Edi Rama fushatën e tij elektorale e ka bazuar mes të tjerash mbi Ligjin Për Arsimin e Lartë, akti më i guximshëm që ai mund të ndërmarrë sot është ta anulojë këtë ligj dhe t’i japë formë universitetit publik shqiptar së bashku me studentët dhe pedagogët. Ky do të ishte një hap i rëndësishëm, jo vetëm për arsimin e lartë publik, por edhe për ndërgjegjësimin, bashkimin dhe ndryshimin e shoqërisë shqiptare.
Agronit, Alketës dhe mijëra studentëve dhe pedagogëve shqiptarë, duhet t’u japim të gjithë mbështetjen e nevojshme për t’u arsimuar sepse arsimi është themeli i çdo shoqërie. Një arsim i denjë dhe i mundshëm është garancia më e fortë për të ndërtuar Shqipërinë.