Analize13 Feb 2020

Rriten tensionet në ishujt grekë për shkak të politikave për azilantët

Kritikët akuzojnë Athinën se po imiton “manualin e emigracionit” të kryeministrit hungarez Viktor Orban, ndërsa kushtet në ishujt e Egjeut vazhdojnë të përkeqësohen

Autor: Apostolis Fotiadis BIRN Athinë
Printo

Emigrantë sirianë duke mbërritur me varkë nga Turqia në ishullin e Lesvosit në Greqi. Foto: Wikipedia.

Vazhdon zemërimi në Egjeun verior, pasi ishujt grekë që janë pritës të mijëra azilkërkuesve mbajnë barrën e vënies në zbatim të politikave të ashpra të qeverisë për të trajtuar çështjen e refugjatëve dhe emigrantëve.

Praktika e fundit e qeverisë greke për të kufizuar transferimet e azilkërkuesve në kontinent nga ishujt Lesvo, Hios, Samos, Kos dhe Leros ka çuar në një mbingarkesë të madhe dhe një përkeqësim të shërbimeve dhe kushteve, thonë grupet e të drejtave të njeriut.

Midis shtatorit 2019 dhe janarit 2020, qeveria transferoi 14,750 persona në kontinent, madje ndërsa 36,000 të tjerë kaluan Egjeun për në Greqi nga Turqia, sipas të dhënave të UNHCR.

Një mungesë vendesh akomodimi në kontinent, shoqëruar me politika më të rrepta azili nga ana e qeverisë dhe një vendosmëri për të rritur dëbimet kanë kontribuar të gjitha në mbipopullimin e ishujve, duke shtuar kështu tensionet midis vendasve dhe azilkërkuesve nga Siria, Iraku, Afganistani dhe gjetkë.

Tensione të tilla u shfaqën në rrugët e Lesvosit, Hiosit dhe Samosit në fund të muajit të kaluar ndërsa banorët grekë të ishujve kërkuan që qeveria e qendrës së djathtë të ndërmarrë hapa për të reduktuar numrin e azilkërkuesve.

Gjatë protestave, politikanët vendas inkurajuan ndjenjën ksenofobe, duke përhapur thashetheme për rolin e OJQ-ve pro-refugjatëve dhe duke promovuar teoritë e konspiracionit të së djathtës ekstreme për “zëvendësim të madh”, raportuan media kombëtare.

Azilkërkuesit në Lesvos gjithashtu demonstruan, dy herë në fillim të shkurtit. Ata kërkuan fundin e kufizimeve që i lënë ata të bllokuar në kampin e refugjatëve në Moria, një qytet në kodrat e Lesvosit. Policia u përgjigj me gaz lotsjellës.

Grupet greke të anarkiste raportohet se kanë ngritur bllokada në rrugë dhe sulmuan si azilkërkuesit ashtu edhe punëtorët e OJQ-ve. Policia arrestoi disa persona të dyshuar në Lesvos, disa prej të cilëve thuhet se janë të lidhur me grupe të ekstremit të djathtë.

Që kur erdhi në pushtet korrikun e kaluar, qeveria e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis ka ndërmarrë një qëndrim gjithnjë e më të ashpër përsa i takon çështjeve të azilit, duke rrëzuar përkohësisht Ministrinë e Migracionit dhe duke ia transferuar mandatin e saj policisë dhe autoriteteve të ushtrisë.

Ajo e ka vështirësuar gjithashtu qasjen në shërbimet e shëndetit publik të azilkërkuesve të rinj, si edhe ka ndalur çështjen e numrave të sigurimeve shoqërore.

Refugjatë duke mbërritur me varkë nga Turqia në ishullin e Lesvosit në Greqi. Foto: Wikipedia.

Tetorin e kaluar, qeveria prezantoi legjislacionin e ri që synon t’i bëjë më të rrepta dhe më të shpejta procedurat e azilit.

Ndërkohë, ajo është zotuar të rrisë numrin e personave që kthen në Turqi sipas një marrëveshje BE-Ankara të arritur në vitin 2016 në përpjekje për të ndalur refugjatët dhe emigrantët që hyjnë në Bashkimin Europian.

Grupet e të drejtave të njeriut paralajmërojnë se shumë nga hapat e qeverisë mund të rrezikojnë përpjekjet për të krijuar procedura të drejta dhe efektive azili.

“Pas premtimit të zgjidhjeve imagjinare për problemet e pazgjidhshme, qeveria po përpiqet të qetësojë zhgënjimet duke imituar gjithnjë e më shumë manualin e kryeministrit hungarez Viktor Orban mbi emigracionin”, tha për BIRN Lefteris Papagiannakis, i organizatës joqeveritare me qendër në Athinë “Solidarity Now” dhe ish-nënkryetar i bashkisë së Athinës.

“Nuk do të funksionojë. Realiteti në terren nuk mund të menaxhohet vetëm politikisht apo të përmbahet me fjalime. Rruga përpara do të jetë shumë e vështirë për Greqinë dhe nevojiten propozime të forta politike, të cilat qeveria nuk po arrin t’i prodhojë.”

Në Hungari, qasja agresive e Orbanit për të mbajtur azilkërkuesit jashtë BE-së ka bërë që ai të fitojë zemërimin e grupeve të të drejtave të njeriut dhe politikanëve liberalë në të gjithë bllokun, si dhe adhurimin e populistëve dhe grupeve të ekstremit të djathtë.

Gjatë javëve të fundit, qeveria greke e ka dyfishuar në retorikën e saj populiste.

Ministri i emigracionit, Notis Mitarakis, la të kuptohej se protestat e azilkërkuesve në ishuj “ishin nxitur” nga njerëz me një axhendë të caktuar, edhe pse ai nuk e shtjelloi më shumë këtë që tha. Në fillim të këtij muaji, ai miratoi një ndryshim urgjent ligjor në parlament në përpjekje për të forcuar kontrollin mbi OJQ-të.

“Disave mund të mos u pëlqejë, por ata do të duhet të kuptojnë se politika ka ndryshuar”, tha Mitarakis në një deklaratë publike.

Kampi famëkeq Moria në Lesvos ka kapacitet për 2,800 njerëz, por në të ndodhen më shumë se 19,500, sipas të dhënave të qeverisë. Qendrat e tjera kanë nivele të ngjashme mbipopullimi. Kampi Vathi në Samos ka kapacitet për 650 njerëz, por aktualisht ka më shumë se 7,300 të tillë. Hiosi u ndërtua për 1,000, por ka 5,200 persona ndërsa Lerosi është i përshtatshëm për 860 persona, por në të janë akomoduar 2,400.

Më shumë se 42,000 refugjatë, emigrantë dhe azilkërkues janë sot në pesë ishujt.

“Transferimi i mijërave të tillë në kontinent është një përparësi urgjente”, tha Boris Cheshirkov, një zëdhënës për UNHCR në Greqi. “Asnjë zgjidhje tjetër nuk mund të funksionojë.”

Ndërsa komunitetet lokale janë të hutuar, shumica e azilkërkuesve janë të detyruar të jetojnë në pisllëk dhe rrezik, shtoi ai. “Nuk ka kanalizime, nuk ka ujë të nxehtë, as qashe në kujdesin e duhur shëndetësor.”

Greqia ka zgjeruar aftësinë e saj për të pranuar azilkërkues që nga viti 2015, por nuk mund të vazhdojë ta bëjë këtë për një kohë të pacaktuar, tha Cheshirkov.

Zgjidhja është që Europa të mblidhet për të zgjidhur këtë rrugë pa krye, ndërsa krijimi i “akomodimit shtesë urgjent në territorin e Greqisë duhet të pasohet ne rifillimin e zhvendosjes së njerëzve nga Greqia, sidomos e të miturve të pashoqëruar”, tha ai.

Sipas marrëveshjes së vitit 2016 midis BE-së dhe Turqisë, njerëzit që kalojnë në ishujt grekë supozohet të dërgohen përsëri në Turqi pas një vlerësimi të shpejtë – duke supozuar se ata nuk përballen me ndonjë rrezik pas rikthimit.

Por plani nuk ka qenë aspak efikas, me vetëm 391 persona të rikthyer në vitin 2019 dhe 85 të tillë që nga fillimi i vitit 2020, sipas të dhënave të qeverisë greke.

Njerëz nga Siria, Afganistani dhe vende të tjera mbërrijnë në ishullin grek të Lesbos më 1 qershor 2015. Foto: Kostas Koukoumakas

Ekspertët thonë se situata është komplikuar nga interpretimi që Ankaraja i bën marrëveshjes, sipas të cilës kushdo që zhvendoset në kontinent, duhet të përjashtohet nga rikthimi. Si rezultat i kësaj, është krijuar një sistem ad hoc në të cilin azilkërkuesve u lejohet gradualisht të lëvizin më tej në Greqi në përpjekje për të lehtësuar presionin në ishuj ose në përpjekje për të ndihmuar ata që konsiderohen të cënueshëm.

Ndërsa qeveria e Mitsotakis po fillonte të sistemohej pasi fitoi zgjedhjet e përgjithshme korrikun e kaluar, Turqia filloi operacione masive policore në përpjekje për t’i shpërngulur refugjatët që ishin në Stamboll dhe qytete të tjera bregdetare nëpër rajone të tjera në Turqinë juglindore apo edhe në pjesë të Sirisë që ishin ende të përfshira në konflikt.

Kritikët e kanë vënë në dyshim ligjshmërinë e operacioneve dhe ngritën pretendime për abuzim nga autoritetet turke. Ata gjithashtu kanë fajësuar agjencinë e refugjatëve të Kombeve të Bashkuara për mos ndërhyrjen.

Si rezultat i veprimeve të Turqisë, numri i të ardhurve në Greqi është rritur, me shumë njerëz që vendosin të rrezikojnë kalimin e detit në vend që të zhvendosen në vende më të rrezikshme.

Sipas policisë greke, gjatë gjysmës së dytë të vitit të kaluar, rreth 55,600 refugjatë dhe emigrantë kaluan në Greqi nga Turqia. Pothuajse gjysma – rreth 22,600 – ishin nga Afganistani ndërsa gati 15,000 ishin nga Siria. Grupi i tretë më i madh ishin shtetas turq – rreth 4,250 – kryesisht të mbërritur nëpërmjet Evrosit.

Qendrat e azilkërkuesve dhe emigrantëve në Greqi që tashmë ishin duke funksionuar mbi kapacitetin e tyre kanë parë një rritje të mbërritjeve, duke bërë që kushtet të përkeqësohen më tej dhe procedurat e azilit të dështojnë.

Ndërkohë, qeveria është përballur me sfida serioze në zbatimin e politikave të saj për azil.

Konfuzioni për mandatet, e shkaktuar nga shkrirja e Ministrisë së Emigracionit, plus shqetësimet në Bruksel për procedurat e financimit në lidhje me programet e mbështetura nga BE-ja, çuan në rikthimin e ministrisë brenda gjashtë muajve.

Disa ditë përpara se të merrte përsipër drejtimin e ministrisë së rikthyer në funksion muajin e kaluar, Mitarakis u prit nga turma të zemëruara në Hios, të cilët nuk pranuan të binden për nevojën për të ndërtuar një qendër të ashtuquajtur të mbyllur për 5,000 njerëz në ishull.

Qeveria ka deklaruar qëllimin e saj për të hapur qendra të reja në të pestë ishujt me synimin për të pritur 20,000 azilkërkues. Por zyrtarët e Komisionit Europian e kanë sfiduar planin, duke hezituar të gjejnë fonde urgjente për të ndërtuar qendra të ngjashme me një burg.

Dy vajza veshin mbulesa termike pasi mbërrijnë në ishullin grek Lesbos. 25 nëntor 2015. 

Megjithatë, qeveria po vazhdon para me planin e saj. Të hënën ajo nxori një dekret duke kërkuar hapësirë në të pestë ishujt për të ngritur ato që ajo po i quan “qendra të mbyllura”. Pasi kundërshtuan për muaj me radhë krijimin e tyre, politikanët vendas reaguan me zemërim ndaj lajmit.

Chershikov nga UNHCR tha për BIRN se agjencia e refugjatëve “nuk mund të pajtohet” me qendrat e mbyllura apo me ndalimin afatgjatë të azilkërkuesve.

Ndryshe nga pretendimet e qeverisë se shumica e njerëzve që vijnë në ishujt grekë janë emigrantë ekonomikë, UNHCR vlerëson se 83 për qind i përshtaten profilit të refugjatëve dhe shumica janë familje. Ligji ndërkombëtar u jep refugjatëve disa të drejta dhe mbrojtje që nuk janë në dispozicion për emigrantët.

E gjendur nën presion, qeveria greke ka zbuluar masa për të cilat kritikët thonë se janë të dyshimta, siç është ndërtimi i një barriere detare prej 2.7 kilometrash nga Lesvosi në përpjekje për të ndaluar kalimin e emigrantëve dhe refugjatëve.

Nismat për të zgjidhur çështje delikate siç është akomodimi i të miturve të pashoqëruar nuk kanë qenë të suksesshme. Kërkesa e Greqisë për partnerët e BE për të ndihmuar në sistemimin e disa prej tyre deri më tani ka rënë në vesh të shurdhër.

Greqia sot ka 5,389 të mitur të pashoqëruar, nga të cilët 1,870 janë të cënueshëm ndaj abuzimeve dhe kushteve të dhunshme në ishuj, sipas autoriteteve greke. Një mijë të tjerë klasifikohen si të pastrehë ose “të strehuar në mënyrë të pasigurt”.

Ndërkohë, organizatat e mëdha ndërkombëtare si Këshilli Danez për Refugjatët dhe Oxfam nuk kanë arritur të mbledhin para të mjaftueshme dhe po mbyllin disa nga programet e tyre në ishuj.

“Ishte një vendim i vështirë që duhej ta merrnim pasi nuk mund të siguronim dot fonde”, tha për BIRN Vassiliki Mitsiniotou, këshilltar komunikimi në Këshillin Danez për Refugjatët në Greqi.

“Mbipopullimi në ishuj është i rrezikshëm dhe degradues dhe ne inkurajojmë autoritetet greke që t’i japin përparësi krijimit të qendrave të reja për të transferuar njerëzit në kontinent. Mbajtja e azilkërkuesve në ishuj nuk është një zgjidhje. Ajo vë në rrezik njerëzit dhe shton tensione të panevojshme. Gjithashtu, ndalimi i njerëzve thjesht se kërkojnë mbrojtje nuk duhet dhe juridikisht nuk mund të jetë zgjidhja. Nuk është paligjshme të kërkosh mbrojtje.”