E përditësuar/ Më shumë se 80 banorë të Bulqizës kërkuan ndihmë në spital me simptoma helmimi, përfshi 24 fëmijë. Mjekët dyshojnë se helmimi vjen nga uji, por IShP ende nuk ka përgjigje rreth shkaqeve.
Të paktën 84 banorë të Bulqizës prej të cilëve 24 fëmijë i janë drejtuar spitalit të qytetit me simptoma të helmimit për rreth 72 orë, por megjithëse situata filloi të premten në mbrëmje, autoritetet përgjegjëse ende nuk kanë një përgjigje për shkakun. Banorët dhe mjekë të spitalit në Bulqizë i thanë BIRN se dyshimet kryesore ishin te uji.
Ndërkohë Drejtoresha e Përgjithshme e Institutit të Shëndetit Publik Albana Fico i tha BIRN se kishin ngritur një grup pune për të hetuar situatën, por ende nuk kishin përgjigje për shkaqet e helmimit. Ndërkohë autoritetet lokale përgjegjëse vijuan të minimizojnë situatën.
Flamur Meta, drejtor i Shëndetit Publik në Bulqizë pretendoi se situata ishte drejt normalizimit. “Ne kemi ngritur një grup pune. Kemi marrë monstrat e ujit në disa pika dhe i kemi dërguar në laboratorin e Inspektoriatit të Shëndetit Publik në Dibër. Kemi bërë kërkesë edhe tek ISHP Tiranë për të bërë një analizë më të thelluar dhe për të përcaktuar shkakun. Aktualisht në analizat e marra nga laboratori në Dibër ujio ka dalë pa probleme”, tha Meta. Një ditë më parë Meta i tha BIRN se shqetësimet mund të vinin edhe nga virozat e stinës.
Ndërkohë drejtori i Spitalit të Bulqizës Hazis Jella i tha BIRN se deri rreth orës 13.00 mbi 80 banorë kishin kërkuar ndihmë për shkak të helmimit. Jella tha se në mesditën e të dielës vetëm një pacient me këto probleme ndodhej në spital, ndërsa të tjerët ishin larguar pasi kishin marrë ndihmën.
Jella tha se po priteshin analizat për të identifikuar zyrtarisht shkaqet, ndërsa edhe ai shtoi se situata ishte drejt normalizimit.
Ndërkohë banorë të ndryshëm i thanë BIRN se dyshonin se helmimi vinte prej ujit të pijshëm. Megjithëse u rindërtua në vitin 2013-të rrjeti i furnizimit me ujë në lagjen “Qyteti i Vjetër” në Bulqizë ka vijuar të ketë probleme, ndërsa banorët ankohen për orare mjaft të kufizuara të furnizimit.
Në rrjet ka ndërhyrje të jashtëligjshme, ndërsa një pjesë e depozitave janë lehtësisht të aksesueshme nga personat e jashtëm dhe janë të ekspozuara ndaj ndotjes.