Kostot në rritje të fushatave elektorale në Shqipëri ngrenë pikëpyetje mbi origjinën e parave që financojnë partitë që dominojnë skenën politike gjatë tre dekadave të fundit dhe ndikimin e tyre në demokracinë e brishtë shqiptare.
Gjatë tranzicionit të vështirë dhe të zhurmshëm në demokraci gjatë tre dekadave të fundit, Shqipëria nuk mbajti kurrë zgjedhje që arrijnë standardet ndërkombëtare të përcaktuara nga OSBE/ODIHR. Ky dështim i klasës politike e ka penguar vendin në procesin e integrimit në Bashkimin Europian.
Sipas një studimi të bërë nga ‘Fondacioni Westminster për Demokraci’, të titulluar “Kosto e Politikës në Shqipëri”, në zgjedhjet e fundit parlamentare, tre partitë kryesore në Shqipëri deklaruan si shpenzime totale për fushatën zgjedhore një shumë që shkon afërsisht në 270 milionë lekë.
Megjithatë, kostot reale të financimit të fushatës vlerësohen nga ekspertët shumë herë më të larta se ato që deklarohen nga partitë, çfarë ngre pikëpyetje kundrejt kandidatëve dhe drejtuesve të partive politike se nga i sigurojnë ata burimet financiare për të sponsorizuar aktivitetet.
Mungesa e transparencës dhe e llogaridhënies mbi burimet e financimit të fushatave zgjedhore ndikon negativisht në nivelin e besimit që qytetarët kanë për partitë politike, ndërkohë që partitë e reja e kanë të vështirë të garojnë si të barabartë në zgjedhje, nëse nuk kanë financat e duhura.
“Në këto dekada në politikë është punuar me një lloj mentaliteti “le të bëjmë sikur raportojmë, le të bëjmë sikur kontrollojmë, e kësaj loje duhet t’i vijë fundi,” shprehet Sokol Haxhiu, përfaqësues i Fondacionit Westminster për Demokraci për Shqipërinë.
Sipas studimit të fondacionit, kostoja e fushatave elektorale u rrit ndjeshëm nga viti 2000 deri në vitin 2009, ndërkohë që fondet politike u bënë faktori kryesor që përcaktonte rezultatet e zgjedhjeve.
Në vitet në vazhdim, kurba e kostove ka ardhur gjithashtu në rritje, por transparenca në raportet financiare nuk ka pasur të njëjtin trend, ndërkohë që pluralizmi politik në Shqipëri ka ardhur duke u kufizuar.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit i Shtetit janë institucionet e monitorimit dhe auditimit të financave të partive politike sipas ligjit, por ato kanë dështuar të sigurojnë një transparencë të plotë për raportimet e bëra nga partitë politike mbi të ardhurat dhe shpenzimet në kohë fushatash zgjedhore.
Sipas Kodit Elektoral të aprovuar prej vitit 2009, dhuruesit privatë që japin fonde për partitë në një vlerë më të madhe se 100 mijë lekë duhet të identifikohen si dhe duhet t’i kryejnë veprimet nëpërmjet transfertave bankare.
Gjithsesi, ekspertët vërejnë se parashikimet aktuale të kodit zgjedhor nuk janë mjaftueshëm të forta për të kontrolluar në mënyrë të plotë financat e partive politike.
Sipas Endrit Shabanit, aktivist i Nismës Thurje, politika duhet të jetë konkurrencë idesh dhe jo njerëzish apo i xhepave të tyre të thellë.
“Qeveritë aktuale kryesojnë parlamentin jo nëpërmjet konkurrimit të ideve, por nëpërmjet konkurrimit të njerëzve, duke denigruar figurat e tyre konkurrente dhe duke baltosur njëri-tjetrin,” tha Shabani.
Ngjashëm, Sokol Haxhiu shprehet se për të ndryshuar situatën aktuale drejt një përfaqësimi më të barabartë të partive në fushën politike dhe me një kosto të arsyeshme, duhet në radhë të parë të kemi vullnet politik për transparencë dhe standarde konkurruese.
“Duke patur pak forca dhe zëra që konkurrojnë, kjo çon që ne të kemi problem me përfaqësimin e ideve, sidomos në këtë situatë kur një ose dy forca politike kryesojnë të gjithë pushtetin,” tha ai.
“Po të kemi një çlirim të formatit dhe të mënyrës sesi bëhet politika, mundet t’i mundësohet lëvizjeve të reja më të vogla që të jenë më të guximshme për t’iu futur politikës dhe pse jo, të përfaqësohen në parlament,” shtoi Haxhiu, duke theksuar se kjo “do t’i jepte dhe një larmishmëri ideve dhe opsioneve politike në vend.”
Roli i politikanëve biznesmenë
Mënyra sesi partitë politike kryesore në vend arrijnë të sigurojnë financime kolosale vazhdon të mbahet në hije. Sipas vlerësimit të Fondacionit Westminster për Demokraci, një karrige deputeti në parlament kushton shtrenjtë.
“Ne kemi nxjerrë një kosto mesatare që nevojitet për të hyrë në parlament, që është rreth 166 mijë euro, nëse merret mesatarja e një vote prej 15 euro,” shprehet Sokol Haxhiu. “Kjo kosto detyrimisht duhet të dalë nga një xhep,” shtoi ai.
Haxhiu thekson se nuk ka asgjë të keqe të jesh njëkohësisht i pasur dhe politikan , por problemi qëndron në pyetjen sesi i kanë bërë lekët këta persona, cili është burimi i të ardhurave të tyre dhe çfarë përfaqëson e shkuara e tyre.
“Është identifikuar nga studimi që kostoja e financimeve ka ardhur në rritje, dhe kjo kosto është mbuluar nga biznesmenë të fuqishëm në zona të caktuara, të cilët kanë mundur që të hedhin lekë dhe t’i futen politikës,” shprehet ai.
Kostoja e lartë e fushatave ka sjellë dhe përfshirjen e biznesmenëve – shpeshherë me të kaluar të dyshimtë në politikë, duke rritur vazhdimisht përfaqësimin e tyrë në parlament.
Endrit Shabani mendon se ndonëse nuk është për t’u paragjykuar fakti që një biznesmen ka dëshirë të përfshihet në politikë, nevojitet transparencë mbi mënyrën se si është krijuar pasuria e tyre.
“Për të shmangur përfshirjen e biznesmenëve me të shkuar të dyshimtë do ishte mirë që përzgjedhja e këtyre kandidatëve që hyjnë në parlament të bëhej nëpërmjet qytetarëve, dhe jo nëpërmjet kryetarëve të partive,” tha Shabani.
Për rrjedhojë, për të mbuluar këto kosto tepër të larta, ai thotë se penetrimi i biznesmenëve në politikë është i konsiderueshëm, pra kemi një lloj kapjeje të politikës nga interesat e njerëzve që janë me para. Kjo e bën të pamundur depërtimin e grupeve të tjera më të vogla dhe me më pak mundësi.
“Trendi i biznesmenëve politikë sigurisht është trend ndërkombëtar, jo vetëm shqiptar, por profilizimi i tyre majtas ose djathtas në Shqipëri bëhet më shumë në bazë të partive që kanë fuqinë më të madhe për të fituar ” shprehet Orjada Tare, menaxhere programi e Fondacionit Westminster për Demokraci.
Përparësitë e partive politike në Shqipëri nuk janë hapja dhe transparenca ndaj votuesve të tyre, por sigurimi i fondeve sa më të mëdha për suksesin e fushatave nëpërmjet organizimit të tubimeve masive, koncerteve me karakter politik, realizimin e spoteve publicitare politike në media, realizimin e materialeve promovuese me logo, etj.
Nga të dhënat e auditeve të KQZ-së është përllogaritur që një tubim kushton afërsisht nga 1.500 deri 40.000 euro. Vetëm gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare në vitin 2017, janë numëruar më shumë se 2600 tubime.
“Në radhë të parë duhet aprovuar një listë shpenzimesh dhe të ketë një indeks çmimesh për çdo shpenzim,” sugjeron Shabani, duke shtuar se kjo mund të arrihet nëpërmjet reformës zgjedhore.
“Vetëm në këtë mënyrë, duke krahasuar çdo gjë me indeksin real të çmimeve, procesi i monitorimit do të bëhet më efektiv dhe më i thjeshtë,” nënvizoi ai.
Partitë politike paraqesin të paktën një herë në vit pranë KQZ-së raportet e tyre financiare ku deklarojnë burimet financuese (të aprovuara nga KQZ), shpenzimet dhe pranimet e fondeve jo-publike të dhurimit me vlerë mbi 100 mijë lekë. Gjithashtu ato raportojnë në mënyrë të veçantë edhe të ardhurat dhe shpenzimet gjatë fushatave zgjedhore.
Sipas Sokol Haxhiut, nëse bazohemi tek ajo çka aktualisht deklarohet nga partitë politike në KQZ, konkluzionet do të ngriheshin mbi një pjesë të vogël të dhënash, që nuk përfaqësojnë realitetin.
“E gjitha kjo është një lojë ‘bëjmë sikur raportojmë’ dhe ‘bëjmë sikur kontrollojmë’ dhe në fund marrim vetëm një pjesë të kekut,” shprehet zoti Haxhiu.
Endri Shabani thotë se ndryshe nga ç’është bërë deri tani, ai rekomandon që ky proces të bëhet publik çdo ditë ‘online’.
“Duke pasur një raportim të përditshëm, transparenca bëhet më e lartë dhe personat përgjegjës nuk kanë hapësirë për të bërë manovrime në bazë të përditshme. Ndërsa nëse raportimi bëhet pas procesit të zgjedhjeve ,shumë gjëra anashkalohen,” thotë Shabani.
Sa efikas është kuadri ligjor
Studimi i bërë nga Fondacioni Westminster për Demokraci ngre edhe disa pikëpyetje mbi efikasitetin e kuadrit ligjor lidhur me kontrollin e financave të partive politike.
“Nëse nuk ka një dëshirë dhe përkushtim nga vetë partitë politike për të ofruar transparencën ndaj financimit, do ishte e pamundur nga çdo kuadër ligjor për të bërë diçka,” shprehet Sokol Haxhiu, duke shtuar se partitë vetë duhet të vendosin disa standarde të brendshme, pavarësisht kuadrit ligjor.
Sipas Kodit Elektoral, nëse një donator bën një kontribut mbi 100 mijë lekë, duhet ta kryejë pagesën nëpërmjet sistemit bankar. Sipas zotit Haxhiu, problemi është se çfarë ndodh nëse ky kontribut jepet në formën e picave, apo në formën e makinave, apo të karburantit dhe si mund të raportohet kjo. Ai nënvizon se kjo është një nga format që kuadri ligjor nuk e ka përcaktuar.
“Në zgjedhjet e 2017 për shembull ishin raportuar vetëm kafet për bashkinë e Durrësit, ndërkohë që ky është një shpenzim jashtëzakonisht i vogël në krahasim me gjithë shpenzimet e tjera që janë kryer,” shpjegon Haxhiu, bazuar në vëzhgimet e Fondacionit Westminster për Demokraci.
Partitë politike sipas legjislacionit i marrin financimet bazuar në rezultatet e zgjedhjeve të kaluara, një sistem ky që favorizon partitë ekzistuese të mëdha dhe u mundëson atyre dominimin e skenës politike. Edhe ky aspekt kufizon mundësinë për të konkurruar për inisiativat e reja dhe të vogla.
“Kështu detyrimisht kemi dy aspekte: aspektin ligjor të financimit të partive politike që kufizon forcat e reja … që në njëfarë mënyre përqendrohet drejt mashkullit biznesmen të suksesshëm, i cili ka më shumë mundësi për të depërtuar në politikë sesa një i ri apo një femër,” tha Haxhiu.
Në lidhje me këtë fenomen, Endrit Shabani shprehet se ai dhe aktivistët e tjerë kanë prezantuar gjithashtu edhe konceptin e “kuponave të demokracisë”, dhe këtë e kanë bërë për të thyer ciklin e mbyllur të financimit të kandidatëve bazuar në rezultatet e zgjedhjeve të kaluara.
“Nëpërmjet kuponave të demokracisë do ishte e mundur që fondet e fushatave të shkojnë drejt elektoratit dhe jo partisë. Kuponat ndahen ndërmjet çdo qytetari, ku secili qytetar më pas zgjedh se kujt kandidati dëshiron t’ia delegojë kuponin e tij,” u shpreh ai.
Shumat e mëdha të parave që hidhen nga politikanët për financimin e fushatave elektorale ngrejnë gjithashtu pikëpyetje nëse ato harxhohen për t’u humbur apo për t’u rifituar dhe shumëfishuar.
“Nëse ti hedh qindra mijëra euro për një fushatë elektorale, detyrimisht do bësh çfarë të mundesh që të jesh pjesë e pushtetit, ose të kapësh tendera të caktuar në mënyrë që t’i rikuperosh e t’i shumëfishosh ato fonde. Këtu fillon kapja e institucioneve,” shpjegon Haxhiu.
Sipas studimit të kryer nga Fondacioni Westminster për Demokraci, rezulton se në zgjedhjet e 2017-ës, 1 në 4 deputetë vinin nga bota e biznesit, duke shënuar një rritje të kurbës në krahasim me zgjedhjet e mëparshme.
Sipas studiuesve, përfshirja e këtyre biznesmenëve në parlament ngre pyetje nëse ata janë aty për të përfaqësuar grupe të caktuar njerëzish, apo për të kthyer mbrapsht investimet e tyre. Në rastin kur këta përfaqësues zgjidhen nga listat e mbyllura, përfshirja e tyre në politikë është edhe më problematike.
Shqipëria ka gjithashtu një numër të lartë partish politike – rreth 150 të regjistruara në gjykatë, nga të cilat ndonëse regjistrohen 66 në KQZ, vetëm 4-5 prej tyre dërgojnë përfaqësues në parlament.
Haxhiu thotë se me sistemin politik në vend, vetëm partitë e mëdha kanë mundësinë të riciklojnë njëra-tjetrën. Ai sugjeron një listë me masa që mund të merren për ta hapur sistemin.
“E para, ulja e kostove të politikës në përgjithësi, ndryshimi i rregullave të lojës do mundësonte që edhe partitë e vogla të jenë më të ndërgjegjshme dhe ndoshta të kenë disa shanse për të konkurruar dhe ndoshta për të qenë të suksesshme,” sugjeron Haxhiu.
Endrit Shabani gjithashtu shprehet se si pjesë e kuadrit ligjor duhet vendosur një tavan shpenzimesh për financimin e partive politike.
Kufizimi është sipas tij i nevojshëm, pasi shpenzimet kolosale bëhen pengesë për përfshirjen e disa kandidatëve të thjeshtë, me ide shumë të mira, por jo me profesion biznesmen apo me mundësi financiare jo aq të mëdha sa të tjerët.
“Nëse kemi një tavan shpenzimesh për financat e partive gjatë fushatave elektorale, atëherë edhe garimi bëhet më i ndershëm,” tha Shabani.
Sipas aktivistit të Nismës Thurje, kur nivelet e financimeve të fushatave elektorale shkojnë deri në miliona euro, atëherë është e qartë se këto shuma përdoren për manipulimin e publikut, dhe jo për informimin e tij.
“Detyra jonë është që ne t’i paraqesim publikut zgjidhjet që ekzistojnë në lidhje me vullnetin e lirë në politikë, pasi tashmë një pjesë e madhe e qytetarëve pothuajse e kanë humbur shpresën në një sistem të drejtë dhe të barabartë,” përfundoi ai.