Fshati piktoresk në grykëderdhjen e Shkumbinit kërcënohet nga erozioni, që sipas banorëve vjen si pasojë e shfrytëzimit të shtratit të lumit për inerte.
Kur Altin Daja u zhvendos nga qyteti i Kavajës në Vilë Bashtovë 20 vjet më parë, rruga që bashkonte fshatin me bregun e detit ishte rreth 580 metra larg shtratit të lumit Shkumbin.
“Tani Shkumbini rrjedh vetëm 30 metra larg,” thotë i shqetësuar 51-vjeçari, banesa dhe biznesi i të cilit kërcënohen seriozisht nga ujrat e lumit, i cili njihet si kufiri natyror mes Shqipërisë së veriut dhe asaj jugore.
“Vetëm këtë dimër ujrat kanë hangër 40-50 metra tokë të tjera drejt banesave, dhe unë kam frikë se nëse nuk ndërhyhet, dimrin e ardhshëm harta këtu do të jetë krejtësisht tjetër,” theksoi ai.
Banorët e Bashtovës fajësojnë për erozionin e tokave të tyre shfrytëzimin pa kriter të lumit për inerte dhe mbeturinat që hidhen në zonat urbane dhe vërshojnë në rrjedhën e poshtme të tij nga prurjet.
Ato theksojnë se ndyrshe nga dikur, tani rrjedha e poshtme e lumit nuk përfundon drejt e në ujrat e detit, por bën një gjysëm rrethi mes parcelave të fshatit Bashtovë të bashkisë Rrogozhinë, duke i hequr atij nga inventari qindra hektarë tokë.
“Tokat e Bashtovës kanë përfunduar nga bashkia e Rrogozhinës në atë të Divjakës,” thotë Skënder Demiri, një burrë trupmadh, që nuk e fsheh mërzinë për indiferentizmin e shtetit.
“Shkumbini e ndryshoi dukshëm drejtimin, një çikë nga shfrytëzimi pa kriter i inerteve, një çikë nga mbeturinat që hidhen në qytetet dhe fshatrat ku kalon lumi deri sa mbërrin në det,” shtoi ai.
Ndryshimi i rrjedhës së lumit ka bërë që shumë toka me bimësi të lartë dhe mesatare, që dikur administrroheshin nga drejtoria pyjore e Kavajës, tani janë shënuar në regjistrat e kadastrës së Divjakës në rrethin e Lushnjës.
Burrat e fshatit Vilë Bashtovë kanë kërkuar të gjejnë zgjidhje prej vitesh, edhe në fushata elektorale, kur në fshat kanë mbërritur kandidatët për deputetë.
“Mos harxhoni frymën kot; edhe para katër vjetësh iu qamë atij që u zgjodh, por asnjë gjë nuk zgjidhi,” i pret drutë shkurt Skënderi, që vazhdon të jetë i inatosur me situatën, sipas tij pa zgjidhje.
Superstrada Kavajë – Rrogozhinë ndodhet vetëm 13 kilometra larg Vilë Bashtovës, fshatit që e bart gjelbërimin e harlisur deri në bregdet. Aty ka disa firma që kultivojnë kërmillë prej vitesh, disa bar-restorante dhe po aq shtëpi druri verore pranë pyllit me pisha.
Po kjo duket si një “bukuri që vret”, pasi ujrat e lumit po e gërryejnë çdo javë bregun verior dhe nëse do të çajë edhe pengesën e rrugës automobilistike, banorët kanë frikë se rrjedha e Shmbumbinit do të vërshojnë drejt fshatit të Spillesë, i cili ndodhet vetëm pak kilometra më tej.
“Divjaka e ka zgjidhur problemin,” ndërhyn Altin Daja. “Ata ndërtuan një argjinaturë me gurë në krahun e tyre dhe tani ujrat e kanë më të lehtë të gërryejnë tokat tona,” shtoi ai.
Vilë Bashtova njihet nga publiku i gjerë për shkak të kalasë mesjetare me të njejtin emër. Në mjediset e saj gjatë sezonit veror janë organizuar konkurse bukurie e veprimtari artistike, me poetë, muzikantë, trupa baleti dhe orkestra nga vendi dhe bota.
“Ky ka qenë promovimi më i mirë turistik për zonën tonë dhe njerezit kanë ardhur, jo vetëm nga Tirana, Elbasani dhe Durrësi, por edhe nga vende të ndryshme të botës, afër dhe larg Shqipërisë,” thotë Sinan Shala.
“Por vendalinjtë nuk mund të investojnë, për sa kohë nuk janë të sigurtë përballë rrezikut që vjen nga ujrat e lumit,” shtoi ai.
Shala është administratori i një bar-restoranti të vogël e të gjelbëruar, pikërisht në hyrje të kalasë së ndërtuar në shekullin e 15-të nga venecianët.
Bashkë me të, edhe 10-12 restorante modestë gjallojnë në zonë, por askush nuk guxon të investojë më shumë, për sa kohë afër bregdetit nuk është zgjidhur ende problemi i rrugës dhe energjisë elektrike.
E mbi të gjitha, as pushteti qendror, dhe as ai vendor, nuk kanë ofruar një zgjidhje për frenimin e lumit Shkumbin, ujrat e të cilit e kanë bërë të paqartë të ardhmen e Vilë Bashtovës.
Sinani sidoqoftë e ka propozimin e tij. Ai mendon se fillimisht duhet të ndërpritet gërryerja e lumit për interesat e inerteve dhe rrjedha e poshtme mund të kthehet në shtratin e vjetër, duke u bërë i padëmshëm..
“Do të kushtojë, por është e vetmja mënyrë për ti dhënë kësaj zone një të ardhme turistike,” theksoi ai.