Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri e konsideroi të pamjaftueshëm buxhetin e shtetit për rininë në vitin e ardhshëm dhe kërkoi shtim të investimit efektiv për të rinjtë në vend.
Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri, ANYN, një grupim prej 50 organizatash dhe 11 forumesh rinore në të gjithë vendin shprehu së fundmi shqetësimin se buxheti i shtetit për vitin 2019 është i pamjaftueshëm për të rinjtë shqiptarë.
Sipas ANYN, fondet e përllogaritura të qeverisë për çdo të ri në Shqipëri janë vetëm 2.8 euro në vit dhe përbën 0.01% të PBB-së për 35% të popullsisë të moshës 15-29 vjeç.
“Nuk është hera e parë që Buxheti i Shtetit ka shfaqur mangësi serioze në drejtim të investimit për të rinjtë. Qeveria në vitin 2015 miratoi Planin Kombëtar të Veprimit për të Rinjtë (2015-2020), i cili sipas Raportit “Të Rinjtë në Shqipëri” mbetet gjerësisht i pazbatuar, për shkak të mungesës se financimeve nga Buxheti i Shtetit”, deklaroi ANYN.
Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë planifikon një fond prej 39 miliard e 236 milion lekë për vitin 2019. 250 milionë prej tyre do të jenë investime për zhvillimin e sportit dhe rinisë që do të përkthehen në financim të agjencive dhe aktiviteteve rinore; rritja e pjesëmarrjes/mbështetjes financiare të organizatave rinore përmes projekteve rajonale të BE, (RYCO dhe ERASMUS plus), si dhe ngritje dhe funksionim të tre qendrave rinore.
Të rinjtë gjykojnë se përkrah mungesës së mbështetjes efektive për ta nga qeveria qendrore, edhe bashkitë duken të painteresuara.
“Me përjashtim të Tiranës, bashkitë e tjera në vend nuk kanë asnjë zë buxhetor specifik për të rinjtë,” vëren ANYN, ndërsa shtoi se kjo sjell mungesë të theksuar të shërbimeve miqësore dhe cilësore për të rinjtë.
Rrjeti kërkoi miratimin e një zëri specifik për rininë në buxhetin e Ministrisë së Arsimit, që do të zërë 10 për qind të fondeve të ministrisë.
Ata nxitën gjithashtu për hartim dhe buxhetim të Ligjit për Rininë në konsultim me të rinjtë, ndërsa kërkuan zbatim të menjëhershëm të Planit Kombëtar të Veprimit për rininë.
“Qeveria duhet të krijojë më tepër mundësi punësimi të denjë për rininë shqiptare dhe për të gjithë gjimnazistët dhe studentët në mbarë vendin duhet të mundësohet Karta Studentore/Rinore,” theksuan ata.
Krijimi i një nënkomisioni parlamentar për të rinjtë në Kuvendin e Shqipërisë dhe ngritja e një drejtorie për rininë në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ishin gjithashtu pjesë e rekomandimeve të ANYN për qeverinë.
Sipas Rrjetit të të Rinjve kjo mungesë investimi po sjell pasoja negative përmes largimit të të rinjve nga vendi.
“Të rinjtë, përballen me mungesa të mundësive, politikave sociale dhe ekonomike dhe mospërfillje të tyre nga institucionet vendimmarrëse për çështjet e punësimit dhe zhvillimit, që ndikojnë në jetën e tyre,” tha Rrjeti për BIRN.
“Të gjitha këto kanë ndikuar shumë tek dëshira e të rinjve për t’u larguar nga vendi dhe për të ndërtuar jetën e tyre diku tjetër,” shtoi ai.
Një raport i publikuar në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë më 12 gusht nga ANYN zbuloi se një ndër sfidat madhore të të rinjve në vend mbetet punësimi. Rreth 81% e organizatave rinore deklarohen se nuk kanë mbështetjen e qeverisë për promovimin dhe fuqizimin e programeve të nxitjes së punësimit të të rinjve.
Sipas Institutit të Statistikave papunësia te të rinjtë është 26%.