Ka një lloj optimizmi të kujdesshëm se ratifikimi i protokollit të anëtarësimit të Maqedonisë nuk do të ketë pengesa në parlamentet e shteteve anëtare të NATO-s, por ekspertët druhen se procesi mund të jetë më i ngadaltë nga sa presin disa.
Maqedonia bëri një hap të madh drejt anëtarësimit të plotë në NATO të mërkurën, kur ministrat e shtetit të NATO-s në Bruksel nënshkruan protokollin për pranimin e saj – duke bërë të mundur që ajo të bëhet anëtarja e 30-të e klubit nën emrin e saj të ri, Republika e Maqedonisë së Veriut.
Megjithatë, “udhëtimi nuk ka mbaruar ende”, vuri në dukje ministri i jashtëm maqedonas Nikola Dimitrov në ceremoninë e nënshkrimit.
Ai i referohej pjesërisht reformave të shumta në vend, por edhe faktit që të 29 parlamentet e vendeve të NATO-s do të duhet të ratifikojnë protokollin përpara se Maqedonia të bëhet anëtare e plotë.
Deri atëherë, Republika e Maqedonisë së Veriut – siç do të jetë së shpejti – nuk do të ketë të drejtë vote në mbledhjet e aleancës.
Dimitrov, i cili së shpejti vazhdon turneun e tij në kryeqytetet anëtare të NATO-s, shpreson se procesi do të përfundojë brenda më pak se një viti.
“Zakonisht, procesi i ratifikimit zgjat një vit, pra, kjo është një lloj kornize,” tha ai.
“Por një grup i mirë i shteteve anëtare po konkurrojnë për të qenë shteti i dytë që nënshkruan protokollin, pasi Greqia pritet ta bëjë këtë të premten,” shtoi ai.
“Ata e dinë sa ishte e vështirë dhe se sa lidership u desh për ta zgjidhur këtë problem,” tha Dimitrov për mediat maqedonase, duke iu referuar mosmarrëveshjes së gjatë midis Greqisë dhe Maqedonisë lidhur me emrin e kësaj të fundit.
“Unë jam optimist dhe shpresoj për më pak se një vit në rastin tonë,” vazhdoi ai.
Vëzhguesit në rajon gjithashtu janë optimistë. Ata pranojnë se entuziazmi për zgjerimin në disa vende të NATO-s ka rënë ndjeshëm gjatë viteve të fundit, gjë që mund të shkaktojë vonesa në parlamentet e tyre.
Por ata gjithashtu shpresojnë se Maqedonia mund të përdorë vrullin e krijuar pasi Shkupi dhe fqinji i saj Greqia nënshkruan marrëveshjen e tyre historike të emrit vitin e kaluar.
Ajo perceptohet ende si një “yll” politik në rajon, që i mund të joshë disa kombe skeptike për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit në NATO.
“Shumica e vendeve të NATO-s, sidomos ato më të rëndësishmet, e kanë humbur oreksin e tyre për zgjerimin e mëtejshëm të aleancës,” tha për BIRN ish-ambasadori i Malit të Zi në NATO dhe ish-koordinatori kombëtar i Malit të Zi në NATO, Vesko Garceviç.
Megjithatë, ai shtoi: “Është mirë për Maqedoninë që kjo nuk është një valë e re zgjerimi, siç thonë disa. Kjo është përmbushja e detyrimeve të NATO-s nga Bukureshti (samiti i vitit 2008).
“Maqedonisë iu premtua anëtarësim shumë kohë më parë, por për fat të keq, ajo u desh të priste deri në momentin që të kualifikohej,” kujton Garceviç.
Samiti i NATO-s i vitit 2008 në Bukuresht ishte një nga pengesat më të mëdha të Maqedonisë.
Maqedonia priste një ftesë për t’iu bashkuar aleancës në samitin në Rumani, së bashku me Kroacinë dhe Shqipërinë.
Por Greqia përsëri përdor veton e saj në samit, për shkak të mosmarrëveshjes së çështjes së emrit dhe Maqedonia u la jashtë.
Në fund, NATO thjesht deklaroi se Maqedonia mund t’i bashkohej aleancës sapo të zgjidhte mosmarrëveshjen e atëhershme në dukje të pazgjidhshme me Greqinë.
Kaloi një dekadë e tërë me përpjekje të kota për të kapërcyer bllokimin para se dy qeveritë në Athinë dhe Shkup, verën e kaluar, më në fund krijuan një marrëveshje për emrin nën patronazhin e OKB-së, të përshëndetur gjerësisht nga vendet perëndimore.
Kreu i Këshillit Euro-Atlantik të Maqedonisë, një OJQ, Ismet Ramadani, tha për BIRN se Maqedonia duhet ta shfrytëzonte mirë këtë moment. Ramadani është gjithashtu një këshilltar i kryeministrit maqedonas Zoran Zaev.
“Maqedonia duhet ta shfrytëzojë pëlqimin e vendeve perëndimore pas marrëveshjes së emrit për të përshpejtuar procesin, duke qenë se gjendja e mirë e humorit të tyre nuk do të zgjasë përgjithmonë,” tha ai.
“Në të njëjtën kohë, shefi i NATO-s Jens Stoltenberg ka treguar se është një mik i madh i vendit tonë, kështu që ndikimi i tij midis shteteve anëtare duhet të ndihmojë gjithashtu,” shtoi ai.
“Unë pres që procesi të përfundojë deri në fund të këtij viti, në mënyrë që ne të mund të bëhemi anëtarë të plotë deri në janar 2020,” vazhdoi Ramadani.
Nga ana tjetër, Garceviç mendon se rruga e Maqedonisë në NATO do të ngjasojë më shumë me atë të Malit të Zi.
Ai vend i Ballkanit iu bashkua NATO-s në qershor 2017 pas një procesi ratifikimi që zgjati 13 muaj.
Një nga arsyet kryesore politike për të besuar këtë, tha Garceviç, është se pavarësisht statusit “yll” të Maqedonisë në rajon – si shembulli i vetëm inkurajues i fundit nga Ballkani – vetëm ky nuk do të tundonte shumë parlamente të NATO-s që të përshpejtonin ritmin e ratifikimit.
Për shtetet anëtare të NATO-s, “duke përfshirë SHBA-në, aderimi i Maqedonisë nuk është një prioritet në këtë moment. Prandaj, procesi mund të zgjasë aq sa zgjati edhe ai i Malit të Zi,” paralajmëroi ai.
“Në SHBA, që dikur ishte promotori më i fuqishëm i zgjerimit, kjo administratë dhe ajo e mëparshmja nuk i kanë kushtuar aq shumë rëndësi këtij procesi,” shtoi ai.
Kur votimi për Maqedoninë të shkojë në Senatin amerikan, “nuk duhet të ketë probleme, por shtyrja mund të përdoret si një taktikë”, vazhdoi Garceviç.
Ai druhet se mund të ketë skenarë të ngjashëm në Francë dhe Spanjë “të cilat gjithashtu nuk janë të impresionuara nga zgjerimi”.
Në disa vende të tjera, si Belgjika, proceset e ratifikimit tentojnë të zgjasin më shumë, për shkak të sistemit me shumë nivele të qeverisë.
Aprovimi në Belgjikë do të kërkohet nga parlamentet rajonale si dhe nga ai shtetëror, të cilat gjithashtu mund ta vonojnë ratifikimin.
“Këto procedura mund të jenë një justifikim i shkëlqyer për zvarritjen,” vuri në dukje Garceviç.
Disa kundërshtarë të marrëveshjes së emrit me Greqinë në Maqedoni, si partia e vogël jo parlamentare pro-ruse e Maqedonia e Bashkuar, u kanë bërë thirrje anëtarëve të tjerë të NATO-s, si Turqisë dhe Hungarisë, që të bllokojnë pranimin e vendit duke mos e ratifikuar protokollin.
Por ekspertët i minimizojnë shqetësimet për telashet e mundshme që vijnë nga Turqia apo Hungaria.
“Këto janë thjesht përpjekje të dëshpëruara nga grupet e vogla dhe ato margjinale dhe faktorët politikë për të bërë diçka, por ndikimi i tyre është i parëndësishëm,” tha Ramadani.
“Turqia tradicionalisht është e prirur drejt zgjerimit të NATO-s në Ballkan,” u pajtua Garceviç.
“Në rastin e Malit të Zi, ajo e ratifikoi shumë shpejt protokollin e pranimit,” përfundoi ai.