Pas vitesh të tëra vonesa, do të ngrihet një muze i ri që do të tregojë historinë e tmerrshme të krimeve të kryera gjatë Holokaustit në Rumani dhe rolit të rëndësishëm që kanë luajtur hebrenjtë në historinë e vendit.
Një të shtunë në tetor gjatë Festivalit të Filmit Hebre në Bukuresht, producenti francez me origjinë rumune Nellu Cohn prezantoi dokumentarin e tij për pogromin në Iasi, një seri masakrash që vazhduan për rreth një javë në qytetin veriorlindor të Rumanisë në qershor 1941.
Afro 15,000 hebrenj, ose një e treta e popullsisë hebreje të qytetit, u qëlluan për vdekje ose u mbytën brenda trenave të bagëtive pasi u rrethuan nga autoritetet rumune në bashkëpunim me oficerët gjermanë nazistë dhe një pjesë të popullatës civile.
Kur përfundoi dokumentari 52-minutësh, publiku shprehu tmerrin e tij për faktet që Cohn kishte paraqitur përmes dëshmive të të mbijetuarve të kombinuara me dokumente zyrtare dhe foto nga ajo kohë.
Në mesin e atyre që morën fjalën ishte një grua e moshuar rumune që shprehu tronditjen e saj për atë që sapo kishte zbuluar.
“Kam lexuar për atë që ndodhi në Iasi, por gjithmonë i kisha dëgjuar se përgjegjës ishin gjermanët. Si mundet dikush të bëjë diçka të tillë me njerëz të pafajshëm?”, pyeti ajo.
Një grua tjetër falënderoi Cohn për përhapjen e së vërtetës për një nga pogromet më të tmerrshme që ka parë bota.
Rumunët, tha ajo, për dekada të tëra kanë jetuar në mohim ose janë mbajtur në errësirë për përfshirjen e vendit të tyre në Holokaust. Dokumentarë si ky, vazhdoi ajo, duhet të shfaqen në televizionin kombëtar në mënyrë që njerëzit të mësojnë për episodet më të errëta të historisë së shekullit XX të vendit të tyre.
Ashtu si vende të tjera në rajon, Rumania ka një marrëdhënie të ndërlikuar me të kaluarën e saj.
Pavarësisht provave të pakundërshtueshme të zyrtarëve rumunë, ushtarëve dhe civilëve të implikuar në krimet antisemite gjatë Luftës së Dytë Botërore, autoritetet demokratike e pranuan vetëm në vitin 2003 rolin e vendit në ngjarje të tilla.
Pesëmbëdhjetë vjet më pas, Rumania ka ndërmarrë një hap vendimtar për t’u pajtuar me këtë kapitull të pakëndshëm në historinë e saj.
Në një veprim simbolik të shumëpritur muajin e kaluar, presidenti i vendit Klaus Iohannis nënshkroi në ligj legjislacionin e miratuar më parë nga qeveria rumune. Ai ktheui në realitet të afërt ndërtimi në Bukuresht të një muzeu kushtuar Holokaustit dhe rëndësisë thelbësore të popullit hebre në historinë e vendit.
Përballja me historinë
“Ne jemi të bindur se me hapjen e këtij muzeu do të bëjmë një hap tjetër drejt afrimit më shumë të Rumanisë me historinë tonë”, tha për BIRN Elisabeth Ungureanu, drejtoreshë komunikimi dhe studiuese në Institutin Kombëtar Elie Ëiesel për Studimin e Holokaustit, institucioni qeveritar rumun që do të vërë në zbatim projektin.
Ideja e krijimit të një muzeu Holokausti dhe kushtuar historisë së hebrenjve në Rumani u përqafua nga presidenca rumune që në vitin 2012. Por rruga drejt përfundimit të kësaj është shoqëruar me vonesa burokratike dhe mosmarrëveshje për vendin ku ai do të ngrihet.
Me vendim qeverie, muzeu do të ngrihet në ndërtesën Banloc-Goodrich në rrugën ikonike të Fitores në kryeqytetin e Rumanisë. Ndërtesa daton nga vitet 1930 dhe do të ketë nevojë për punime intensive për ta përgatitur atë për muzeun.
“Nëse procedurat shkojnë siç është planifikuar, ne presim që muzeu të inaugurohet brenda katër viteve”, tha Ungureanu. Muzeu do të financohet nga fonde publike dhe donacione private.
Përveçse do të tregojë kapitullin rumun të shkatërrimit të hebrenjve europianë, muzei do të theksojë gjithashtu rëndësinë e popullit hebre në historinë e vendit dhe do të vendosë Rumaninë dhe Bukureshtin në vendin e tij të ligjshëm si një nga qendrat më të mëdha dhe më pjellore historike të diasporës hebreje.
Pas Luftës së Parë Botërore, Rumania kishte brenda kufijve të saj afro 800,000 hebrenj si rezultat i përfshirjes së Transilvanisë, Bessarabias dhe Bukovinës në mbretërinë rumune. Këto shifra nënkuptonin se Rumania kishte popullsinë e tretë më të madhe hebreje në Europë pas Polonisë dhe Rusisë.
“Ne dëshirojmë që brezat e rinj të kenë një imazh sa më të qartë të kontributit të popullit hebre në evolucionin, zhvillimin dhe modernizimin e Rumanisë”, shpjegoi Ungureanu.
Për të promovuar këto fakte historike, Instituti Elie Ëiesel dëshiron të krijojë një “muze dinamik dhe modern” që është “interaktiv”, tha ajo.
Përveç ekspozitës së përhershme dhe hapësirave kushtuar ekspozitave të përkohshme dhe programeve kulturore, muezu do të përfshijë një qendër arsimore, një njësi hulumtuese, një bibliotekë, një sallë konferencash dhe një “hapësirë për shoqërizim”.
Një komision ndërkombëtar i kryesuar nga e mbijetuara e Holokaustit Rumun dhe laureatja për Nobel Elie Ëiesel përcaktoi se midis 280,000 dhe 380,000 hebrenj rumunë dhe ukrainas u vranë në Rumani dhe zonat që ajo kishte nën kontroll gjatë luftës ndërsa vendi ishte një aleat i Gjermanisë naziste.
Rumania humbi pjesën më të madhe të popullsisë së saj hebreje gjatë komunizmit për shkak të emigrimit në Izrael dhe Shtetet e Bashkuara. Sot në Rumani jetojnë rreth 6,000 hebrenj.