Lajm11 Jan 2019

Rumania inauguron presidencën e BE-së mes protestash e paralajmërimesh

Qeveria e Rumanisë të enjten organizoi ceremoninë e hapjes së presidencës së saj të Këshillit Europian mes protestash popullore dhe thirrjesh të përsëritura nga liderët e BE-së që vendi të respektojë sundimin e ligjit.

Autor: Ana Maria Luca BIRN Bukuresht
Printo

Foto: George Calin/Inquam Photos

Qeveria rumune të enjten përuroi presidencën e saj gjashtë mujore të Këshillit të Bashkimit Europian në mes të protestave popullore dhe thirrjeve të rinovuara nga miqtë e BE-së që vendi të vazhdojë të luftojë korrupsionin.

Rreth 800 vetë morën pjesë në ceremoninë që u zhvillua në Athenaeumin rumun në Bukuresht, por qindra të tjerë iu bashkuan protestave, duke mbajtur pankarta pro-BE-së dhe duke brohoritur slogane kundër Partisë Social Demokrate në pushtet.

Foto Liviu Florin Albei/Inquam Photos

“Ne duam të qëndrojmë në Europë, nuk duam diktaturë,” brohoriste turma, ndërsa protestuesit mbanin pankarta ku shkruhej: “Stop Korrupsionit”, “BE, ndjesë për këtë qeveri”, “Rumania lufton për drejtësi”.

Foto: Liviu Florin Albei/Inquam Photos

Rumania ka përjetuar paqëndrueshmëri politike në dy vitet e fundit që kur Social Demokratët fituan zgjedhjet e dhjetorit 2016. Protestat filluan në janar 2017, kur kabineti miratoi një dekret emergjence për të falur disa shkelje ligjore që kishin lidhje me korrupsionin.

Demonstratat vazhduan gjatë vitit 2017 dhe 2018, pasi zyrtarët e nxitën më shumë legjislacionin që të zbusë luftën kundër korrupsionit. Më 10 gusht, qindra u plagosën kur policia e trazirave ndërhyri me forcë për të shpërndarë protestuesit përpara selisë së qeverisë në Bukuresht.

Presidenti i Këshillit Europian Antonio Tajani (djathtas) me kreun e Këshillit Europian Jean Claude Juncker (në mes) duke mbërritur në ceremoni. Foto: George Calin/Inquam photos

Politikat kontradiktore të lidhura me drejtësinë të qeverisë janë kritikuar nga Brukseli. Në nëntor 2018, Komisioni Europian publikoi raportin e tij më pesimist mbi çështjet e drejtësisë të Rumanisë që kur vendi iu bashkua BE-së në vitin 2007.

Zyrtarët europianë kanë vazhduar të përsërisin paralajmërimet e tyre, pavarësisht nga festimi i të enjtes.

“BE-ja përbëhet nga kompromise, por kur bëhet fjalë për të drejtat e njerëzve, sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, nuk ka kompromise,” tha në fjalimin e tij kreu i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker.

Kreu i Këshillit të Europës, Donald Tusk, u duartrokit pasi e mbajti fjalimin e tij në gjuhën rumune. Por, njësoj si zyrtarët e tjerë të lartë të BE-së, edhe ai foli për luftën kundër korrupsionit dhe sundimit të ligjit.

“Do të doja t’i bëja thirrje rumunëve që të mbrojnë, si në Rumani ashtu edhe në Europë, bazën e qytetërimit tonë politik: lirinë, integritetin, respektin për të vërtetën në jetën publike, sundimin e ligjit dhe kushtetutën,” tha Tusk.

Kryeministrja e Rumanisë Viorica Dancila duke përshëndetur kreun e Këshillit Europian Jean Claude Juncker. Foto: Octav Ganea/Inquam Photos

Presidenca rumune e Këshillit të BE-së pritet të menaxhojë disa dosje të vështira të BE-së, përfshirë buxhetin për vitet 2017-2021, zgjedhjet europiane në maj, dorëzimin e Komisionit Europian aktual te organin ekzekutiv i sapozgjedhur dhe, sfida më e madhe e të gjithëve, Brexiti.

“Ne do të tregojmë se Rumania meriton respekt nga komuniteti europian dhe statusi i partnerit europian dhe është plotësisht i përgatitur të qëndrojë midis shteteve të tjera anëtare,” tha të enjten kryeministrja rumune Viorica Dancila.

Zyrtarët në Bruksel dhe disa politikanë të opozitës në Bukuresht kanë shprehur shqetësime se ndërsa qeveria rumune mund të jetë në gjendje të veprojë si një sekretariat efektiv i BE-së, tërheqja e saj nga lufta kundër korrupsionit mund të dëmtojë kredibilitetin e saj politik.

Kreu i Social Demokratëve Liviu Dragnea, i cili u dënua dy herë për korrupsion në 2016 dhe 2018, nuk mori pjesë në ceremoninë në Bukuresht. Ai dyshohet se ishte me pushime.

Presidenti Klaus Iohannis, i cili s’ka marrëdhënie të mira me kabinetin pasi refuzoi të miratojë dy kandidime të socialdemokratëve për ministra dhe që ka refuzuar dy herë kandidatin e qeverisë për postin e kryeprokurorit të anti-korrupsionit, njoftoi se do të merrte pjesë vetëm disa orë përpara ceremonisë.