Opinion20 Dec 2018

Rusia është një kërcënim për demokracitë e Ballkanit

Rusia është një kërcënim i vërtetë dhe në rritje për vendet pro-perëndimore në Europën Juglindore. Në rrezik janë sidomos territoret etnike shqiptare dhe ato duhet të zhvillojnë një përgjigje të koordinuar.

Autor: David L. Phillips BIRN
Printo

Presidenti rus Vladimir Putin. Foto: Beta/Mikhail Klimentyev

Rusia është e hidhëruar nga ndikimi gjithnjë në rritje i Perëndimit në Ballkan dhe sidomos në Kosovë. Pavarësisht lidhjeve historike midis Rusisë dhe Serbisë dhe një trashëgimie të përbashkët sllave dhe ortodokse, Rusia ishte shumë e dobët ekonomikisht dhe ushtarakisht për të kundërshtuar ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999, e cila kulmoi me pavarësinë e Kosovës.

Sot, megjithatë, Rusia po ringjallet. Kosova është bërë një terren testimi gjeopolitik për rivalitetin e Rusisë me Shtetet e Bashkuara.

Rreziku i konfrontimit do të rritet kur Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të të anulohet në shkurt 2019 dhe Rusia mund t’i drejtojë raketat e saj në Kosovë, Shqipëri dhe vende të tjera pro-perëndimore.

Vendet në Europën Juglindore duhet të sinjalizojnë vendosmërinë e tyre për të kundërshtuar ndikimin e keq të Rusisë dhe lojën me zjarrin me armët bërthamore. Një hap i parë do të ishte dëbimi i spiunëve rusë dhe atasheve ushtarakë nga ambasadat e Rusisë në rajon.

Presidenti Vladimir Putin duhet të gjykohet nga ato që ai bën, jo nga ato që thotë. Rusia është haptazi armiqësore ndaj projektit të ndërtimit të shtetit në Kosovë dhe kundërshton përpjekjet e Kosovës për të fituar njohje më të madhe globale. Nëpërmjet vendit të saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Rusia bllokon anëtarësimin e Kosovës në OKB. Ajo gjithashtu udhëhoqi përpjekjet më të fundit për të mos lejuar që Kosova të bëhet anëtare e Interpolit.

Kërcënimi i Rusisë nuk është teorik. Putin ka shënjestruar edhe shtete të tjera dhe qeveri post-sovjetike që dëshirojnë t’i bashkohen NATO-s dhe BE-së, si Ukraina, Gjeorgjia apo Moldavia. Ai ka pushtuar Krimenë dhe mbështet bandat pro-ruse në Donetsk dhe përgjatë kufirit të Ukrainës me Rusinë.

Ajo pushtoi rajonet gjeorgjiane të Osetisë Jugore dhe Abkhazisë, pasi samiti i NATO-s në Bukuresht i vitit 2008 i premtoi Gjeorgjisë anëtarësimin në NATO.

Ajo shtoi presionin ndaj Moldavisë pasi kjo e fundit nënshkroi një marrëveshje asocimi me BE-në në vitin 2013 dhe pas zgjedhjeve të fundit parlamentare të Moldavisë.

Bashkëpunimi i Rusisë me Serbinë është një pikë kritike në Ballkanin Perëndimor. Ndërsa Putin pohon solidaritetin pan-sllav, ai thjesht po kujdeset për interesat e veta. Putin po ndjek thjesht një qëllim strategjik për të kufizuar ndikimin e SHBA-së, NATO-s dhe BE-së.

Putin e ka furnizuar Serbisë armë të sofistikuara, duke përfshirë tanke dhe automjete të mekanizuara të armatosura, helikopterë luftarakë Mi-17 dhe avionë luftarak MIG-29. Po zhvillohen diskutimet për transferimin e sistemeve raketore Buk-M1 dhe Buk-M2, si dhe raketat tokë-ajër S-300.

Rusia ka ngritur një qendër inteligjence në Nis, në Serbinë jugore, për të spiunuar interesat e SHBA-së në Ballkan, edhe pse Kremlini e përshkruan ndërtesën në Nis si një “qendër humanitare” për luftimin e zjarreve në pyje.

Në tetor të vitit 2016, Rusia organizoi një grusht shteti të dështuar në Malin e Zi, i cili parashikonte një sulm në parlamentin e vendit dhe vrasjen e kryeministrit Milo Djukanoviç.

Milo Djukanoviç. Foto: Darko Vojinovic/AP

Në prill 2017, Rusia nxiti një grusht shteti në Maqedoni për të dëmtuar formimin e një qeverie nga Bashkimi Social Demokratik pro-perëndimor, SDSM.

Operacionet e influencës malinje të Rusisë anë përpjekur të ndikojnë në zgjedhjet në Ballkanin Perëndimor si edhe në rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016 në SHBA. Komiteti i Inteligjencës i Senatit Amerikan ka publikuar së fundmi një raport mbi fushatën e dezinformimit të Rusisë, e cila ka përdorur çdo platformë mediash sociale të mëdha për përcjellë fjalë, imazhe dhe video për të ndihmuar në zgjedhjen e Donald Trumpit dhe për të mbështetur axhendën e tij pas zgjedhjes si president. Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka akuzuar një grup rusësh nga Agjencia e Hulumtimeve në Internet duke pretenduar se ata kanë kryer spiunazh.

Mos bëni asnjë gabim: territoret etnike shqiptare synohen nga Kremlini. Atashetë ushtarakë dhe këshilltarët politikë në ambasadat e Rusisë në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe Mal të Zi janë spiunë aktivë, që planifikojnë sulme kundër qeverive pro-perëndimore të zgjedhura në mënyrë demokratike.

Ata gjithashtu mund të përfshihen në zgjedhjen e objektivave për raketat ruse pas skadimit të Traktatit INF në shkurt 2019. Putini nuk ka ndërmend të kthehet në pajtueshmëri të plotë dhe të verifikueshme me traktatin. Për vite me radhë, Rusia ka pozicionuar raketahedhëse tokësore në kundërshtim me marrëveshjen e kontrollit të armëve.

Është koha që të hapim sytë e të bëhemi realistë. Rusia është një kërcënim i vërtetë dhe në rritje për shtetet pro-perëndimore në Europën Juglindore. Territoret etnike shqiptare të Ballkanit Perëndimor kanë nevojë për një reagim të fortë dhe të koordinuar, me synim rritjen e bashkëpunimit të tyre ndërshtetëror në sigurinë rajonale dhe mbrojtjen e rajonit nga sulmet e Rusisë.

Mendimet e shprehura në sektorin e Opinioneve janë vetëm ato të autorëve dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.