Investigim24 Oct 2018

Saga e rikonstruksionit të 5 poliklinikave, premtime dhe zvarritje prej 14 vitesh

Një projekt i financuar me kredi të butë nga qeveria italiane për rikonstruktimin e pesë poliklinikave shëndetësore u zvarrit për 14 vjet dhe ende nuk ka përfunduar-ndërkohë që Kontrolli i Lartë i Shtetit gjeti një seri shkeljesh dhe e cilësoi projektin të dështuar.  

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Ish-ministri i Shëndetesisë Ilir Beqaj dhe ministrja aktuale, Ogerta Manastirliu, gjatë një vizite në QSUT| Foto nga : LSA

Gjatë një vizite në spitalin e Peshkopisë në vjeshtën e vitit 2016, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj premtoi rikonstruksion me themel të poliklinikës së qytetit dhe pajisjen e saj me aparatura mjekësore. Investimi u prezantua si pjesë e përpjekjeve të qeverisë për modernizimin e shëndetësisë, ndërkohë që nisja e punimeve u tha se do të ishte vetëm çështje ditësh.

“Të hënën e ardhshme është gara publike për rikonstruksionin e poliklinikës së spitalit të Dibrës. Janë 600 mijë euro dhe parashikohet rehabilitim me themel,” u tha asokohe Beqaj mjekëve dhe infermierëve të spitalit.

Premtimi i ish-ministrit të Shëndetësisë për poliklinikës e Peshkopisë nuk ishte lajm i ri dhe mbetet ende i papërmbushur. Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se paratë për këtë projekt “flenë në sirtar” prej 14 vitesh për shkak të një sage burokracish dhe procedurash të zvarritura nga autoritetet, të cilët kanë dështuar të ofrojnë një shërbim më të mirë për banorët e njërës prej zonave më të varfra në Shqipëri.

Prej vitit 2004, poliklinika e Peshkopisë u përfshi në një projekt rehabilitimi të financuar nga qeveria italiane përmes një kredie të butë, së bashku me 2 poliklinika në Tiranë, një në Korçë dhe një tjetër në Gjirokastër. Projekti “për rehabilitimin dhe pajisjen e pesë klinikave” u financua përmes Koperacionit Italian të Zhvillimit me 5 080 000 euro kredi, një grant prej 110 mijë eurosh dhe 500 mijë euro të tjera kontribut nga qeveria shqiptare për mbulimin e kostove lokale.

Përgjatë 14 viteve u ndërruan 4 qeveri dhe një duzinë ministrash Shëndetësie, por projekti mbeti në gjysmë të rrugës, duke shkaktuar kosto për buxhetin e shtetit dhe dështim të ofrimit të shërbimit të denjë për qytetarët.

Nga kredia e butë prej 5 milionë eurosh është realizuar vetëm gjysma, përmes rehabilitimit të dy poliklinikave në Tiranë në vitin 2009 dhe një të trete në Korçë në vitin 2010. Ndërkohë, projektet për poliklinikën e Gjirokastrës dhe atë të Peshkopisë vazhdojnë të mbeten ende në letër.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka gjetur një sërë shkeljesh në realizimin e këtij projekti, në një raport auditi që BIRN e zotëron, duke theksuar se pala shqiptare ka dështuar të realizojë detyrimet e saj në përmbushjen e kontratës. Sipas KLSH-së, vonesat kanë bërë që kredia për projektin “të humbasë qëllimin për të cilën është akorduar”.

Në një përgjigje për BIRN, Ministria e Shëndetësisë pranoi vonesat në zbatim dhe fajësoi afatet e gjata të procedurave -përfshirë edhe afatet e vlerësimit dhe ato të ankimit.

“Vonesa janë shkaktuar edhe për shkak të dështimeve të procedurave të ndryshme, analizës së nevojshme të këtyre dështimeve, rihartimit të dokumentacionit dhe më pas fillimit të procedurave nga fillimi së bashku me miratimet e shpjeguara më sipër,” tha Ministria e Shëndetësisë përmes një zëdhënësi.

Zvarritje dhe dëme ekonomike

Rehabilitimi i poliklinikave dhe pajisja e tyre me aparatura mjekësore është hedhur për diskutim që në vitin 2002, si pjesë e protokollit të bashkëpunimit mes qeverisë italiane dhe asaj shqiptare. Projekti u finalizua në vitin 2004 me ligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes…” dhe u firmos fillimisht nga ministri i Shëndetësisë së kohës, Leonard Solis dhe ambasadori i Italisë në Tiranë, Attilio Massimo Iannucci.

Objektivi i projektit ishte kontributi në përmirësimin e kushteve të shëndetit të popullsisë përftuese, si dhe në të njëjtën kohë, përmirësimi i kostove të menaxhimit të sistemit shëndetësor në Shqipëri.

Marrëveshja përcaktonte që rehabilitimi i pesë poliklinikave do të kushtonte rreth 2 milionë euro dhe pajisja e tyre me aparatura më shumë se 2.7 milionë euro. Kosto shtesë u parashikuan gjithashtu për projektimin dhe supervizimin si dhe për tarifat vendore përkatëse.

Por pavarësisht sigurimit të parave dhe detyrimeve në kontratë, të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se projekti u la në harresë për periudha të gjata kohore dhe asnjë prej zërave të parashikuar nuk rezulton të jetë realizuar në masën 100 %.

Ministria e Shëndetësisë i tha BIRN se nga projekti janë realizuar rikonstruksionet e tre poliklinikave dhe pajisja e pjesshme e tyre në vlerën e rreth 2.5 milionë eurove. Pajisja laboratorike e dy poliklinikave në Tiranë dhe asaj në Korçë është gjithashtu në proces implementimi, me një investim prej 1 milionë eurosh.

Ministria pranoi se investimi për rikonstruksionin e poliklinikave në Gjirokastër dhe në Peshkopi nuk është bërë ende aktiv, ndërkohë që në fazë prokurimi janë edhe pajisja me aparatura mjekësore e këtyre poliklinikave.

Por ndërsa Ministria e Shëndetësisë po vazhdon procedurat, një raport auditi i Kontrollit të Lartë të Shtetit e ka cilësuar të dështuar projektin që në vitin 2015.

“Nga verifikimi ka rezultuar se disbursimet e huasë janë bërë vetëm në periudhën 2008-2010 dhe nga viti 2011 deri në viti 2014, kredia ka “fjetur” dhe nuk është kryer asnjë disbursim. Kjo situatë tregon se; kredia për projektin e ka humbur qëllimin për të cilën është akorduar dhe për atë çfarë pala shqiptare ka marrë përsipër për të plotësuar,” thuhet në raportin e KLSH-së.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar si shkaqe të dështimit mungesën e një afati përfundimtar, mosngritjen prej fillimit të një Njësie për Zbatimin e Projektit, ndryshimet e shpeshta të stafit në Ministrinë e Shëndetësisë si dhe mungesën e monitorimeve të përbashkëta të palëve përgjegjëse.

Për mungesën e një afati përfundimtar, KLSH bën përgjegjëse palët nënshkruese të kontratës, respektivisht Ministrinë e Shëndetësisë dhe Koperacionin Italian të Zhvillimit. Një tjetër arsye e evidentuar nga KLSH për zvarritjen e projektit është mosngritja prej fillimit e Njësive të Zbatimit të Projektit (NJZP); njësi pranë Ministrisë së Shëndetësisë që duhej të kujdesej për koordinimin e funksioneve të natyrës teknike dhe menaxhuese të nevojshme për realizimin e programit.

E ngritur me vonesë, Njësia e Zbatimit të Projektit është përfshirë më pas në ndryshime të shumta, duke krijuar boshllëk në dokumentimin e zhvillimit të fazave të projektit, në ruajtjen e dokumentacionit dhe në ndjekjen e monitorimin e projektit në përputhje me përcaktimet e sanksionuar në marrëveshjen e kredisë.

“Ndryshimi permanent i stafit drejtues të Ministrisë së Shëndetësisë ka sjellë një boshllëk në bërjen operative të veprimeve, aktiviteteve dhe akteve formale të nevojshëm për ecurinë e mirë të projektit”, citohet në raport.

Sipas KLSH-së, Njësia e Zbatimit të Projektit nuk ka pasur asnjë raportim në Ministrinë e Financave përgjatë gjithë projektit në lidhje me disbursimin e fondeve. Mungesa e monitorimeve ka sjellë sipas auditit përfitime të padrejta nga ana e kompanive të kontraktuara si dhe pagesën e interesave edhe për periudhën 2012-2015; kur nuk është zhvilluar dhe realizuar asnjë nga komponentët e programit.

“Nga grupi i auditimit është hartuar akt- kontrolli në datën 07.09.2010, ku është konstatuar në zbatimin e kontratave një dëm ekonomik me vlerë 44.6 mijë euro për punime të parealizuara në poliklinikën e Korçës dhe 25,2 mijë euro për punime në poliklinikat në Tiranë,” thuhet në raportin e KLSH-së.

“Për periudhën 2012-2015 është paguar interes, ndonëse nuk është zhvilluar dhe realizuar asnjë nga aktivitetet dhe komponentët e projektit…Rezulton se shuma 6.213 euro ka rënduar me të padrejtë në koston e kredisë dhe ka sjellë një efekt negativ në buxhetin e shtetit,” shtohet në raport.

KLSH ka kërkuar nga autoritetet që të ndiqnin në rrugë ligjore zhdëmtimin e dëmit, por rekomandimet janë zbatuar pjesërisht.

“Nga situata dhe nga ecuria e projektit mund të gjykojmë se ky projekt është i dështuar, për arsye se ai nuk i ka përmbushur tre treguesit kryesorë: ekonomiciteti, koha e implementimit dhe arritjet (rezultate e prekshme), tregues të cilët duhet të jenë në raport të drejtë me njëri –tjetrin,” thuhet në raportin e KLSH-së.

Ende pa afat

Ndryshe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, Ministria e Shëndetësisë i tha BIRN se procedurat për realizimin e plotë të projektit janë në vazhdim-ndonëse nuk ka ende një afat përfundimtar. Ministria deklaroi përmes një zëdhënësi se ka zhvilluar procedurat tenderuese për pjesët e mbetura të projektit, ndërkohë që bëri përgjegjëse për vonesat procedurat e komplikuara të zbatimit të marrëveshjes me palën italiane.

Ministria e Shëndetësisë sqaroi se pajisja e tre poliklinikave të rikonstruktuara në Tiranë dhe Korçë me laboratorë do të kryhet brenda një kohe të shkurtër.

“Në zbatim të kontratave të sipërcituara, aktualisht kompanitë kontraktore kanë importuar mallrat dhe po kryejnë procedurat për zhdoganimin e mallit, i cili do të vihet në përdorim brenda një kohe të shkurtër,” thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

Ndërsa për rikonstruksionin dhe pajisjen e poliklinikave të Gjirokastrës dhe Peshkopisë, Ministria e Shëndetësisë tha se ishte në pritje të futjes së linjës së kredisë për implementimin e kontratave të tenderuara-“afat i cili nuk varej më prej saj”.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, afatet nga data e nënshkrimit të kontratës tek bërja aktive e kredisë mund të kërkojnë edhe një vit tjetër. Ndërkohë, pa miratimin nga institucioni financiar i linjës së re të kredisë, asnjë kontratë nuk fillon nga zbatimi.

“Para shpalljes së procedurës, dokumentacioni është dërguar në Romë për miratim në Ministrinë e Jashtme Italiane. Procedurat kanë afate të gjata shpalljeje duke qenë se në bazë të marrëveshjes janë procedura për të cilat bëhet fillimisht publikimi në mediat italiane sikurse edhe në ato shqiptare,” u justifikua Ministria e Shëndetësisë.

“Një nga arsyet kryesore për zgjatjen e zbatimit të këtij projekti ka qenë dhe miratimi për futjen në linjën e kredisë të kontratave, afat i cili shkon minimalisht 12 muaj nga data e nënshkrimit të kontratës,” përfundoi Ministria.