Lajm1 Oct 2021

Saga gjyqësore e kompleksit “Golden” mbyllet me pushim

Gjykata e Posaçme e Apelit pushoi çështjen e kompleksit “Golden”- sekuestrimi i parë i OFL, pasi SPAK u tërhoq nga ankimi i vendimit të shkallës së parë.   

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Një makinë policie u stacionua në hyrje të kompleksit “Golden” pas zhdukjes së Jan Prengës. Foto: LSA

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimet e Rënda vendosi të premten pushimin e çështjes së kompleksit “Golden” në Shijak, pronë e cila u kthehet përfundimisht pronarëve.

Sipas njoftimit për shtyp të Gjykatës së Posaçme të Apelit, vendimi për pushimin e çështjes u mor për shkak të tërheqjes së prokurorit të SPAK nga ankimi.

Kompleksi “Golden” në fshatin Pjezë të Shijakut u sekuestrua me bujë në shkurt 2020 nga operacioni “Forca e Ligjit”, pasi u identifikua si pronë e Altin Hajrit, njërit prej të akuzuarve për rrëmbimin e Jan Prengës në janar të vitit 2020.

Por thuajse një vit pas sekuestrimit, Gjykata e Posaçme vendosi të rrëzojë kërkesën e SPAK për sekuestrimin e kompleksit luksoz, me argumentin se Hajri kishte pasur burime të ligjshme dhe se prona ishte hetuar më parë nga Prokuroria e Durrësit, e cila nuk gjeti elementë të veprës penale të pastrimit të parave.

Vendimi i Gjykatës së Posaçme tregoi gjithashtu se Hajri nuk është pronari i vetëm i kompleksit “Golden” dhe se njëra prej tre godinave ishte në pronësinë e kompanisë së madhe të hidrokarbureve, “Kastrati” sh.p.k.

Vendimi i shkallës së parë u ankimua në Apel nga prokurori i SPAK, Behar Dibra, por tërheqja e tij në seancën e konkluzioneve përfundimtare solli edhe mbylljen e sagës gjyqësore për kompleksin “Golden”.

Operacioni “Forca e Ligjit” u ngrit mbi një akt normativ të qeverisë së kryeministrit Edi Rama në luftën kundër krimit të organizuar dhe bllokimin e aseteve kriminale. Por BIRN zbuloi në një investigim të mëparshëm se nga operacionet e bujshme të një viti më parë  janë konfiskuar vetëm 15 pasuri; mes të cilave 13 makina, një njësi tregtare dhe një llogari bankare me vlerë minimale.