Reportazh24 Sep 2021

Saga gjyqësore e veteranëve të rremë të luftës në Kosovë

Akuzat e prokurorisë se mijëra njerëz që kurrë nuk ishin pjesëtarë  të Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ishin regjistruar në mënyrë të rreme si veteranë lufte, duke i bërë përfitues të pensioneve, ka shkaktuar zemërim tek ish-guerilët dhe një proces të gjatë gjyqësor.

Autor: Serbeze Haxhiaj BIRN Obiliq
Printo

Një veteran i UÇK-së gjatë një proteste në Prishtinë. Foto arkiv: Atdhe Mulla.

Duke ecur me vështirësi derisa mbahet fort në patericat e tij, Muhamet Lani mezi arrin të ulet në tavolinën e një  kafeneje të vogël afër shtëpisë së tij në Obiliq. Ai shtrëngon  duart që i dridhen  mbi tavolinë nga pezmi, derisa flet për përkeqësimin e shëndetit të tij.

“Që nga viti i kaluar kam pasur vështirësi në ecje dhe COVID e përkeqësoi edhe më shumë gjendjen”, thotë 71-vjeçari për BIRN.

Krahas shëndetit, shqetësimi i tij më i madh është se ai është klasifikuar zyrtarisht si veteran “i rremë” lufte, i Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, që  luftoi kundër forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998-99, pavarësisht se ai ishte luftëtar.

“Jemi në  kohë pandemie dhe njerëzit po vdesin çdo ditë, pavarësisht moshës apo shëndetit të tyre. Kam frikë se mund të vdes pa u zgjidhur statusi im”, tha ai. “Familja ime nuk e meriton këtë poshtërim.”

Muhamet Lani është një nga rreth 19,000 personat për të cilët pretendohet se kanë aplikuar në mënyrë të rreme për statusin e veteranit të luftës të UÇK -së, i cili garanton disa përfitime të caktuara. Procesi i kontestuar i verifikimit u bë një nga  skandalet më të mëdha në Kosovë dhe ka çuar në një proces të gjatë gjyqësor.

Përpjekja për të përcaktuar numrin e vërtetë të atyre që morën armët për të luftuar për UÇK-në filloi me miratimin e legjislacionit në 2011, dhe vitin pasues, nisi punën një komision qeveritar për verifikimin e veteranëve.

Në vitin 2016, komisioni qeveritar për verifikimin e veteranëve publikoi ​​një listë me 46,000 emra për të cilët tha se ishin pjesëtarë të UÇK-së.

Por në vitin 2017, një hetim i listës bëri që prokurori special Elez Blakaj të ngrite aktakuzë e cila pretendonte se 19,000 nga ata që ishin përmendur në listën e komisionit ishin përfitues të paligjshëm. Aktakuza e tij theksonte se pagesa e pensioneve për këta “veteranë të rremë” i kishte kushtuar shtetit mbi 68 milionë euro.

Blakaj më pas dha dorëheqjen, duke thënë se ishte kërcënuar nga “njerëz të njohur dhe të panjohur” që donin që ai të hiqte dorë nga hetimi dhe u largua nga Kosova për në SHBA.

Ai gjithashtu thotë se 2,000 emra të tjerë ishin shtuar në mënyrë të pashpjegueshme në listën e veteranëve të rremë pasi ai la punën në vitin 2018. Një nga ata emra ishte edhe ai i Muhamet Lanit.

“Komandantët kanë abuzuar me shifrat”

Veterani i luftës Muhamet Lani. Foto kortezi e Muhamet Lanit.

Në vitin 2018, Prokuroria Speciale e Kosovës akuzoi  12 anëtarë të komisionit qeveritar për verifikimin e veteranëve, mbi pretendimet se mijëra njerëz që kurrë nuk ishin pjesëtarë të UÇK-së u regjistruar në mënyrë të rreme si veteranë.

Ndër të akuzuarit ishte ish kreu i komisionit verifikues, Agim Ceku, ish-komandant i UÇK –së dhe ish-kryeministër i Kosovës dhe ish-ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës,  Rrustem Berisha.

Aktakuza  thotë se lista e veteranëve u fry nga ish-komandantët e UÇK-së në komision, dhe nga ish-krerët e UÇK-së që u bënë politikanë të lartë pas luftës, në mënyrë që të përfitojnë  vota në zgjedhje, në këmbim të pensioneve që do t’u jepeshin .

Ish-pjesëtari i UÇK-së Bardhyl Mahmuti thotë  se ky problem lindi  ngase mungojnë dokumente nga periudha e luftës që tregojnë numrin e saktë të njerëzve të mobilizuar nga UÇK-ja.

“Është e qartë se komandantët kanë abuzuar me numrin e veteranëve të kohës së luftës”, tha Mahmuti. “Më shumë se dy dekada pas, ka ende pikëpyetje në lidhje me numrin real të pjesëmarrësve në luftë. Kjo është vërtetë absurde.”

Ka pasur gjithashtu pretendime se shtimi i 2,000 emrave në listë ishte një përpjekje për të diskredituar hetimin e Blakajt për të vërtetën në lidhje me procesin e verifikimit, duke shtuar veteranë të mirëfilltë për thënë  se ish-prokurori bëri gabime gjatë përpilimit të listës së tij.

“Ishte e qartë se emri im, dhe i shumë të tjerëve si unë, u përfshinë në listë për të diskredituar punën e Elez Blakajt”, thotë Lani.

Blakaj thotë se ai ende nuk e di se si janë zgjedhur 2,000 emrat shtesë dhe si janë përfshirë ata në aktakuzë. “Unë nuk kam asnjë përgjegjësi për aktakuzën e ndryshuar, përfshirë emrat e shtuar”, ka thënë  ai për BIRN.

“Imunitet për figurat publike”

Muhamet Lani dhe disa luftëtarë të tjerë gjatë luftës në fund të viteve 1990. Foto kortezi e Muhamet Lanit.

Në shkurt të këtij viti, Gjykata Themelore e Prishtinës liroi ish-kryeministrin Agim Çeku dhe 11 të tjerët, ish-ministra dhe ish-deputetë, nga akuzat për abuzim me pozitën zyrtare për fryrje të listës së veteranëve të UÇK-së që përfitojnë pensione nga qeveria.

Në mars, prokurori apeloi kundër vendimit  të shkallës së parë dhe procesi është në pritje të Gjykatës së Apelit.

“Edhe nëse liron nga akuzat të akuzuarit, gjykata duhet të verifikojë plotësisht të gjitha rastet sepse ka mijëra veteranë të rremë në listë”, thotë Lani.

Ish-prokurori Blakaj thotë se rasti i veteranëve të rremë ilustron se një kulturë mosndëshkimi të rrënjosur thellë në Kosovë.

Ai u shpreh se procedurat e gjata ligjore në rastet ku përfshihen të dyshuar të profilit të lartë janë “një nga metodat e amnistisë së figurave të larta publike të përfshira në abuzim të pushtetit”.

Për shkak se veteranët e rremë po vazhdojnë të marrin pensione, “ne kemi një vepër penale që po vazhdon”, tha ai.

“Rasti duhet të trajtohet si prioritet, por nuk ka gjasa që të shohim diçka konkrete në shkallën e dytë (procesi i apelimit)”, shtoi ai.

Përveç procesit gjyqësor të pjesëtarëve të  komisionit verifikues, ka pasur përpjekje tjera ligjore për të trajtuar rastet e veteranëve të rremë, që marrin një pension prej 170 euro në muaj.

BIRN ka mësuar se deri më tani, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur gjithsej 39 aktakuza që akuzojnë 76 persona për falsifikim të dokumenteve për të përfituar pensione si veteranë lufte.

Në janar 2020, Prokuroria Speciale njoftoi se vetëm në prokurorinë e Pejësj anë dërguar për hetim të statusit të veteranit mbi 8,000 raste.

Në tetor 2019, Gjykata Themelore në Pejë urdhëroi tre individë të kthejnë pagesat që kishin marrë përmes mashtrimit, pasi falsifikuan statusin e tyre të veteranit të luftës. Por deri më tani asnjë prej tyre nuk i ka kthyer paratë.

Lani dhe të tjerët po marrin ende pagesa prej 170 eurosh në muaj pavarësisht faktit se prokurori i kërkoi gjykatës së apelit t’i pezullojë ato derisa të marrë vendimin e saj në rastin e komisionit të verifikimit.

Megjithatë, ai vuri në dukje se paratë nuk ishin aspak motiv pse ai iu bashkua UÇK-së. “Unë nuk luftova që të paguhesha. Nuk isha mercenar”, tha ai.

Ai pyet se çfarë do të bëjnë autoritetet nëse gjykata e apelit vendos që shumë njerëz që janë verifikuar si veteranë kanë bërë pretendime të rreme: “Çfarë do të ndodhë me mijëra njerëz në listë?” pyeti ai. “A duhet t’i kthejnë ata paratë?”

Shoqatat e veteranëve të luftës i kanë bërë thirrje vazhdimisht gjykatës që të anulojë procesin  ndaj anëtarëve të komisionit verifikues të qeverisë, duke thënë se pretendimet në aktakuzë janë të rreme.

Gazmend Syla, kreu i veteranëve nga zona operative e Dukagjinit e UÇK-së dhe ish-këshilltar i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj për çështjet e kategorive të luftës, i cili është gjithashtu në listën e “veteranëve të rremë” të prokurorisë, thotë se lista ishte një sajesë.

“Ky është turp! Ka me dhjetëra njerëz që vdiqën gjatë pandemisë dhe nuk mbërritën të shohin të sqaruar statusin e tyre  ”, tha Syla.

Xhaxhai i Muse Zenelajt, Zeneli, ishte në listën e veteranëve të rremë, por vdiq së fundmi nga COVID-19 në moshën 66-vjeçare, derisa ishte duke pritur që statusi i tij të zgjidhej.

“Nuk është e drejtë për të dhe familjen e tij. Ai ishte një luftëtar që nga fillimi i luftës dhe ishte i sigurt se gjykata do ta zgjidhte çështjen e tij”, tha Zenelaj.

Pavarësisht hetimeve të deritashme, shumë pak veteranë të rremë janë hequr nga lista e verifikuar.

Sipas Ministrisë së Financave aktualisht 36,920 persona janë në listën e pensioneve dhe më shumë se 2,000 janë hequr nga lista që nga viti i kaluar, jo sepse aplikimet e tyre ishin të rreme, por sepse ata gjetën punë.

Ministria gjithashtu konfirmoi se nga janari deri në shtator të këtij viti, një total prej 56,853,817.25 eurosh janë paguar në pensione për veteranët e luftës, njerëzit që u gjymtuan për shkak të luftës dhe familjet e njerëzve që u vranë.