Lajm10 Aug 2018

Salvini i Italisë zemëron rumunët me komentin për “skllavërinë”

Rumunët thonë se komenti i ministrit të brendshëm italian Matteo Salvini shpërfilli përgjegjësinë e Italisë për të parandaluar shfrytëzimin e punëtorëve emigrantë.

Autor: Ana Maria Luca BIRN Bukuresht
Printo

Ministri i brendshëm i Italisë Matteo Salvini, prill 2018. Foto: Wikipedia.

Rumunët shprehën zemërim të enjten për një deklaratë nga ministri i brendshëm i Italisë, Matteo Salvini, në të cilin ai akuzoi anëtarët e Bashkimit Europian Rumaninë dhe Bullgarinë për eksportim të “skllevërve” në Itali.

Salvini, i cili kryeson partinë Lidhja anti-emigracionit në koalicion me Lëvizjen populiste Pesë Yje, e bëri këtë koment për mediat të mërkurën pasi 12 punëtorë emigrantë nigerianë pa dokumente vdiqën në Italinë jugore kur autobusi i mbingarkuar me shumë njerëz në të cilin ata po transportoheshin në mënyrë të paligjshme u përplas.

Salvini, partia e të cilit më parë quhej Lidhja e Veriut, u nxit të merrte pushtetin nga një mesazh radikal i krahut të djathtë dhe një premtim për të dëbuar gjysmë milioni “emigrantë të paligjshëm”.

Ai u tha gazetarëve se Italia do t’i përgjigjej “importit të skllevërve nga vendet e BE-së – Rumania dhe Bullgaria”.

“Do t’u shkruaj kolegëve të mi në këto vende, sepse ata janë pjesë e BE-së dhe ata e kanë për detyrë të kontrollojnë njerëzit dhe makinat,” tha ai.

Ministria rumune e Punëve të Jashtme tha në një deklaratë të enjten se deklarata ishte “e papranueshme”.

“Gjendja e shtetasve që kryejnë krime duhet të trajtohet pa iu referuar stereotipeve dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të bazohet në përkatësinë etnike apo në diskriminim,” thuhet në deklaratë.

Komuniteti rumun në Itali dhe disa anëtarë rumunë të Parlamentit Europian  gjithashtu reaguan me zemërim.

“Nuk duhen fajësuar të shfrytëzuarit. Pra, nuk duhet të qortoni rumunët apo bullgarët, por bashkëqytetarët tuaj dhe kompanitë e tyre që preferojnë të punësojnë rumunë dhe bullgarë në tregun e zi dhe të paguajnë rroga më të ulëta se sa për punëtorët italianë,” shkroi në faqen e tij zyrtare në Facebook eurodeputeti socialist rumun Ioan Mircea Pascu.

Një shoqatë  e gruas rumune në Itali, ADRI, i shkroi një letër të hapur Salvinit të mërkurën duke i bërë thirrje atij të jetë më aktiv në luftën kundër trafikimit të punës dhe skllavërisë moderne.

“Ne ju kujtojmë se qytetarët rumunë po shfrytëzohen në Itali,” shkruhej në letër. “Është detyra juaj të ndihmoni punëdhënësit të respektojnë ligjin italian.”

Edhe Rumania gjithashtu duhet të bëjë më shumë për të rritur ndërgjegjësimin e qytetarëve të saj, shkroi kryetarja e ADRI-t Silvia Dumitrache.

Qindra mijëra emigrantë të paligjshëm punojnë si punëtorë sezonalë bujqësie në Itali, të kontrolluar nga ndërmjetës të njohur si “tetar” që shpesh janë anëtarë të grupeve kriminale rumune, bullgare apo shqiptare.

“Tetarët” zakonisht janë emigrantë që e kanë vendosur veten në mesin e pronarëve të tokave. Ata transportojnë punëtorët dhe zbatojnë rregullat dhe pagat e ulëta.

Sipas raportimeve të mediave, mijëra gra rumune dhe bullgare janë viktima të skllavërisë dhe prostitucionit të detyruar ndërsa punojnë nëpër fermat në Italinë jugore dhe në Sicili.