Opinion13 Jul 2018

Samiti i Londrës ishte shumë zhurmë për asgjë

Me pritshmëri të ulëta, pak tema çështje të rëndësishme në axhendë dhe me një vend organizator të shpërqendruar dhe të paangazhuar, shumica e pjesëmarrësve në samitin e Ballkanit Perëndimor ndjenë se u larguan duarbosh.

Autor: Jovana Marovic BIRN
Printo

Ministri gjerman i Shtetit për Europën, Michael Roth, majtas, flet teksa ministrat britanikë dhe ai polak dëgjojnë gjatë Samitit të Londës më 9 korrik 2018. Foto: (AP Photo/Matt Dunham, Pool)

Edhe pse Samiti i Londrës ishte planifikuar përpara Brexit – dhe pasi vendimi i Britanisë për t’u larguar nga Bashkimi Europian u mor, u justifikua me pretendimin se “Britania nuk po largohet nga Europa” – si përgatitjet ashtu edhe samiti mbetën në hijen e Brexit.

Dorëheqja e Sekretarit të Jashtëm të Britanisë së Madhe Boris Johnson – pak para se pritej që ai t’i drejtohej ministrive të jashtëm të Ballkanit Perëndimor – dhe pa asnjë fjalë në konferencën përfundimtare të liderëve të BE-së nga ndonjë zyrtar i rajonit – samiti shpesh ngjante me një vepër të Shekspirit në “Globe Theatre” të Londrës.

Samiti dështoi fillimisht sepse pritshmëritë rreth tij ishin të ulëta që nga fillimi; bisedimet ekonomike u reduktuan në papunësinë e të rinjve, sipërmarrjen dhe digjitalizimin.

Infrastruktura dhe energjia qëndruan në qendër të Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Sofje në maj, ndërsa një takim i ministrave të ekonomisë u mbajt në Vjenë vetëm disa ditë përpara Samitit të Londrës.

Pa njoftime për projekte të mëdha infrastrukturore të ardhshme, shumë prej tyre ndjenë se u larguan duarbosh nga Londra.

Samiti ishte një mundësi edhe për Britaninë që të prezantonte planin e saj për angazhim të mëtejshëm në Ballkanin Perëndimor.

Dhe Mbretëria e Bashkuar tregoi se do të dyfishojë fondet që ofron për Ballkanin Perëndimor, me një fokus kryesisht te siguria dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por gjithashtu për t’i ardhur në ndihmë rajonit në trajtimin e çështjeve të vështira të “trashëgimisë”.

Ndërsa bisedimet mbi sigurinë gjithashtu mbizotëruan para dhe gjatë samitit, arritjet përsëri mund të përshtateshin vetëm në një histori klishe të asaj që i intereson më shumë Britanisë.

Por, duke kufizuar temat e takimit të samitit, shumë çështje tepër të rëndësishme për rajonin dhe për integrimin e tij në Europë u lanë jashtë.

Përveç kësaj, disa angazhime të mëparshme, siç janë ato që kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit nga Samiti i Triestes, ku një nga temat ishte sundimi i ligjit, nuk u diskutuan në Londër.

Qeveritë e Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Serbisë, kanë përgatitur deklarata mbi aktivitetet që do të kryhen për të luftuar korrupsionin bazuar në raportet e Komisionit Europian të çdo vendi, GRECO dhe rekomandimet e qeverisë britanike.

Megjithatë, këto deklarata janë thjesht një kopje e detyrimeve të vendosura tashmë.

Kjo ka treguar përsëri se numri i deklaratave të miratuara nuk është një shenjë progresi ose e angazhimit të liderëve të Ballkanit Perëndimor – derisa vazhdimësia të sigurohet në qëllimet dhe temat në axhendën e Procesit të Berlinit (i cili duhet të përfshijë, ndër të tjera, sundimin e ligjit) dhe, në veçanti, zhvillimin e mekanizmave monitorues për të përmbushur më mirë detyrimet dhe për të përmirësuar kështu situatën në terren.

Për shembull, përveç progresit në miratimin e masave të buta të axhendës së lidhshmërisë – një mekanizëm që është krijuar tashmë – grantet për projektet nga axhenda e lidhshmërisë mund të kushtëzohen me progresin e përparimin në udhërrëfyesit individualë të sundimit të ligjit, pas parametrave dhe prioriteteve të përcaktuara më parë.

Siç parashikoi samiti i fundit brenda periudhës së parashikuar në Berlin katër vjet më parë, samiti i Londrës mendohej të ishte një vend për të përmbledhur rezultatet dhe për të planifikuar hapa të mëtejshëm për të ofruar mbështetje për Ballkanin Perëndimor në forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe zbatimin e reformave.

Kjo është arsyeja pse sektori civil i Ballkanit Perëndimor, nëpërmjet forumit të shoqërisë civile dhe një sërë nismash të tjera, përgatiti disa sugjerime për përmirësimin e bashkërendimit, qëllimeve dhe temave që tani duhet të jenë të përhershme në axhendat e takimeve të nivelit të lartë.

Duke përfshirë përmbledhjet e e politikave të organizatave të shoqërisë civile në dokumentacionin zyrtar të samitit dhe duke organizuar dy seanca me të gjashtë ministrat e jashtëm të Ballkanit Perëndimor, Britania bëri një hap përpara në sensin formal të përfshirjes së sektorit civil në proces.

Megjithatë, rekomandimet nuk u diskutuan siç duhet dhe përpjekjet e tjera për të forcuar procesin dhe strukturën e tij, si dhe pjesëmarrjen e shoqërisë civile në samit, mbetën të kufizuara.

Sesioni mbi të ardhmen e Procesit të Berlinit u mbulua pa BE-në apo përfaqësues të shteteve të BE-së. Temat kyçe, si liria e medias dhe diskriminimi, u diskutuan vetëm midis pjesëmarrësve nga sektori i shoqërisë civile.

Samiti i Londrës u mbajt në një vit kur shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë marrë disa mesazhe të përziera në lidhje me perspektivat e tyre europiane dhe kanë përjetuar ulje dhe ngritje të shpeshta në pritje të këtyre vendimeve.

I mbajtur pak pas vendimit të BE-së për të shtyrë fillimin e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë, as nga Londra nuk erdhi shumë inkurajim për Ballkanin Perëndimor.

Për shkak të kësaj, dhe dhënia përparësi e temave të brendshme në samitet nga shtetet pjesëmarrëse në proces, ekspertët po vënë në pikëpyetje kuptimin e ekzistencës së Procesit të Berlinit.

Duke ditur se na presin edhe të paktën dy vjet të tjera nga ai, duke e konsideruar atë si një mekanizëm dhe iniciativë tashmë të ndërtuar dhe plotësuese për procesin e integrimit europian – dhe duke marrë parasysh që kjo iniciativë ka arritur deri tani rezultate të caktuara – Procesi i Berlinit duhet të mbahet, por gjithashtu edhe të përmirësohet për të arritur përfitime më të qarta për shtetet e Ballkanit Perëndimor për të cilat ai u nis dhe u synua.

Opinionet e shprehura në sektorin e Komenteve janë vetëm ato të autorëve dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.