Lajm16 May 2018

Samiti i Sofjes do të shoqërohet me protestë nga shoferët e kamionëve

Kompanitë e transportit planifikojnë të bllokojnë kryeqytetin e Bullgarisë gjatë samitit të nivelit të lartë BE-Ballkani Perëndimor në shenjë protestë kundër rregullave të reja europiane që ata i konsiderojnë të padrejta dhe kufizuese.

Autor: Martin Dimitrov BIRN Sofje
Printo

Foto ilustruese Pixabay.

Liderët e BE-së që do të mbërrijnë në kryeqytetin e Bullgarisë për Samitin e shumëpritur të BE-Ballkani Perëndimor më 16-17 maj do të përballen me shoferët protestues të cilët do t’i parkojnë kamionët e tyre përgjatë rrugës kryesore Sofje-Tsarigradsko të mërkurën dhe të enjten.

Nënkryetari i Sofjes, Evgeni Krusev, tha të martën se kamionët do të qëndrojnë në rrugën që lidh aeroportin dhe Pallatin Kombëtar të Kulturës, vendi kryesor i samitit, deri në orën 17:00 të ditës së enjte, siç është rënë dakord me autoritetet.

Greva organizohet nga shoqatat e transportit, të pakënaqura me të ashtuquajturën “Paketa e Reformës së Lëvizjes” e Komisionit Europian, e shtyrë kryesisht nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Rregullat e reja mund të detyrojnë kompanitë e kamionëve të Europës Lindore t’i paguajnë shoferët me paga të ngjashme me ato të vendeve të Europës Perëndimore, ku pagat në këtë sektor janë më të larta.

Ata gjithashtu do t’i detyrojnë shoferët të ndalojnë pas një maksimumi prej 45 orësh pune në një javë, qoftë në një hotel apo në shtëpi, duke mos i lejuar ata të flenë në kamionë.

Komisioni pretendon se kjo do t’i vendosë shoferët nga e gjithë Europa në një pozitë të barabartë, por kompanitë e Europës Lindore pretendojnë se kjo do të prishë avantazhin e tyre kryesor konkurrues.

Miratimi i dy direktivave është pjesë e axhendës së reformave të BE-së të presidentit francez dhe ai i përmendi qartë ato në fjalimin e tij e Ardhmja e Europës më 17 prill në Parlamentin Europian.

Tema e parë tërhoqi interes në Sofje gushtin e shkuar, pak para vizitës së Macron në vend. Në atë kohë, kryeministri bullgar Bojko Borissov tha se Bullgaria nuk kishte probleme me reformën.

Megjithatë, gjatë fundjavës, Borissov zhvilloi biseda telefonike emergjente me Macron dhe kancelaren gjermane Angela Merkel rreth rregullave të reja. Ministri bullgar i transportit Ivaylo Moskovski të dielën paralajmëroi se rregullat e reja mund t’i kushtojnë Bullgarisë 120,000 vende pune në sektorin e transportit rrugor.

“Të gjitha këto rregulla janë shumë kufizuese për transportuesit bullgarë. Për më tepër, kjo është një paketë që trajton vetëm vendet anëtare të BE-së. Çfarë do të ndodhë nëse transportuesit turq, iranianë apo ukrainas nuk duhet t’u binden atyre?”, pyeti Moskovski të dielën.

Parlamenti i BE-së do të votojë mbi reformat e ligjit të punës në qershor. Të 17 eurodeputetët bullgarë nënshkruan një letër të hapur tetorin e kaluar, duke protestuar kundër direktivave që ata i konsiderojnë si rregulla kufizuese dhe që shkelin rregullat e konkurrencës. Eurodeputeti Petar Korumbashev tha të martën se kishte ardhur koha që Bullgaria ta bllokojë reformën në Këshillin e BE-së.

“Nëse përfundimi i negociatave ndodhë gjatë Presidencës Austriake, kjo do të jetë shumë e keqe për interesat e transportuesve bullgarë,” shkroi Korumbashev në një deklaratë me email.