Lajm6 Jun 2019

Seancë dëgjimore pa telashe për prokurorin Edvin Kondili

KPK nuk bëri me dije probleme të rënda në asnjë prej kritereve të rivlerësimit ndaj Prokurorit tëi Krimeve të Rënda Edvin Kondili, i cili kërkoi konfirmimin në detyrë.

Autor: Vladimir Karaj BIRN Tiranë
Printo

Prokurori Edvin Kondili | Foto nga : Vladimir Karaj

Prokurori Edvin Kondili pati një seancë dëgjimore në dukje të lehtë në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Ai u vlerësua në të tre kriteret e vetingut, por pikëpyetje u ngritën vetëm sa i përket deklarimit të një shume prej 1.1 milion lekësh, fillimisht si të shpenzuar për blerje shtëpie dhe sërish si të kursyer.

Relatorja e çështjes Xhensila Pine theksoi se në lidhje me këtë problem Kondili, prokuror pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, kishte dhënë shpjegime; ndërkohë, vetë subjekti nuk e sqaroi në seancë këtë çështje, por ai falenderoi trupën gjykuese të kryesuar nga Roland Ilia, anëtare Valbona Sanxhaktari dhe relatore Xhensila Pine për punën e bërë dhe u dakordësua me rezultatet e hetimit.

Edvin Kondili e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2004. Ai ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës dhe punon prej vitit 2004 pranë Prokurorisë për Krimeve të Rënda. Paralelisht me punën si prokuror, Kondili është angazhuar si lektor në Shkollën e Magjistraturës dhe si ekspert për organizatat ndërkombëtare. Ai është një ndër 25 kandidatët për t’u bërë pjesë e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK.

Relatoja Pine e cila lexoi gjetjet e hetimit për Kondilit vuri në dukje se ai nuk kishte pasur asnjë problem në kriteret e profesionalizmit dhe atë të figurës. Po ashtu, dy denoncime ndaj tij u rrëzuan nga KPK pasi nuk kishin indicie për veprime korruptive apo për shkelje të etikës.

Në kriterin e pasurisë u vu në dukje që Kondili kishte blerë një apartament 70 mijë euro dhe u theksua se 60 mijë euro ishin paguar me kredi, ndërsa 10 mijë euro ishin kursime dhe të ardhura nga paga.

I vetmi problem i dukshëm sipas relatimit ishte deklarimi i një shume të kursyer nga bashkëshortja para martese. Sipas relatores shuma 1.1 milion ishte deklaruar në vitin 2007 dhe më pas ishte deklaruar si e përdorur në blerjen e shtëpisë, por që po ashtu u rideklarua në deklaratën vetting si e kursyer.

Relatorja tha se kishte marrë shpjegimet nga prokurori dhe se ato do të vlerësoheshin. Kondilit po asht iu vu në dukje marrja e një huaje prej 10 mijë eurosh nga vëllai i bashkëshortes, e cila nuk ishte përdorur.

Sipas relacionit dhe shpjegimeve të Kondilit huaja ishte marrë me qëllim pagimin e një pjesë te kredisë për të zbutur interesat, por më pas ai dhe bashkëshortja kishin hequr dorë nga kjo dhe huaja ishte kthyer pas pa u përdorur.

Lëvizja e këtyre parave ishte bërë përmes bankës dhe KPK tha se vëllai i bashkëshortes së prokurorit që jetonte në Spanjë solli dokumente ligjore që provonin të ardhurat e tij të ligjshme që prej vitit 2000 e në vijim.