Policia e Durrësit njoftoi se nga dy hetime të ndryshme ishte bërë sekuestrimin preventiv i tre pallateve dhe një hoteli, të dyshuara me prejardhje nga aktivitetet kriminale.
Në dy njoftime të një pas njëshme policia e Durrësit bëri me dije se kishte sekuestruar 3.5 milion euro pasuri të dyshuar të krijuar prej aktiviteteve kriminale. Policia njoftoi fillimisht sekuestrimin e dy pallateve dhe një hoteli në Lagjen 13 në Durrës me vlerë sipas policisë 2 milion euro, të cilat i përkisnin një të dënuari për “shfrytëzim prostitucioni”.
Ndërsa në një njoftim të dytë u tha se ishte sekuestruar edhe një pallat me vlerë 1.5 milion euro. Policia tha se sekuestroja ishte vendosur pas hetimeve nisur ndaj ish-kreut të komunës së Rrashbullit Hysen Gashi dhe verifikimit të lejeve të ndërtimit që ai kishte lëshuar.
“Me urdhër të prokurorit të Prokuroisë Durrës u bë ekzekutimi i vendimit penal të Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për vendosjen e masës së sigurimit pasuror, “Sekuestro preventive”, si dhe në bashkëpunim me IKMT-në u urdhërua pezullimi i punimeve që kryheshin në objektin pallat 9-katësh + papafingo +1 kat nën tokë, me administrator shtetasin J. A., banues në Durrës, ndërtim në zonën e Shkëmbit të Kavajës”, thuhet në njoftim. Sipas policisë shuma e sekuestrimit kap vlerën 1.5 milionë euro, sipas çmimit të tregut.
Ndërkohë në një operacion të mëhershëm policia njoftoi vendosjen e sekuestros preventive mbi dy pallate dhe një bar e hotel. “U bë ekzekutimi i vendimit penal të Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për vendosjen e masës së sigurimit pasuror, “Sekuestro të pasurive”, të shtetasit P. T., 51 vjeç, banues në Durrës, i dënuar për veprat penale “Trafikimi i drogave” dhe “Shfrytëzim Prostitucioni”. Pasuritë e sekuestruara janë dy pallate dhe një bar hotel në lagjen Nr. 13 Durrës. Shuma e sekuestrimit kap vlerën 2 milion eurove sipas çmimit të tregut”, thuhet në njoftim.
BIRN nuk arriti të kontaktonte me të akuzuarit apo mbrojtësit e tyre.