Serbë të rinj, të aftë dhe aventurierë po i drejtohen gjithnjë e më shumë Kinës për punë, të joshur nga pagat e larta që ofrohen në gjigandin ekonomik të Azisë.
Njëzetë e gjashtë vjeçarja Ana Sparoviç ishte e bindur se ajo kishte gjithçka. Ajo ishte çmendurisht e dashuruar dhe kishte një punë që ajo e pëlqente. Këto dy gjëra pothuajse e bënë atë ta harronte planin e saj për të emigruar.
“Kisha menduar prej kohësh të largohesha nga Serbia dhe të shkoja jashtë vendit për ta provuar. Por pastaj rashë në dashuri dhe mendova se syzet e mia me ngjyra do ta ndryshonin botën reale, por nuk e bënë,” tha për BIRN Sparoviç, e cila është diplomuar në Fakultetin e Sportit dhe Edukimit Fizik të Beogradit.
“Dashuria mbeti, por syzet morën ngjyrën e realitetit,” shton ajo.
Sparoviç shumë shpejt filloi të pyeste veten. A ishte ajo e paaftë që të fitonte para të mjaftueshme për një jetë të mirë? Ajo kishte dy punë tashmë, si trajnerë vrapi dhe noti, por rroga e saj mujore ishte ende vetëm rreth pagës minimale kombëtare, rreth 220 euro.
“Kështu që nuk mund të sëmuresha apo ndonjë gjë e ngjashme,” shpjegon ajo.
Një ditë, ajo e kapi demin prej brirësh dhe aplikoi për një punë si mësuese edukimi fizik në dy shkolla ndërkombëtare në Kinë.
Së shpejti e lajmëruan se i kishte fituar të dyja vendet e punës, por Sparoviç zgjodhi atë në Yongqing, një qytet në Kinën veriore, rreth 75 km nga kryeqyteti, Pekin.
Në fund të korrikut, Sparoviç e la Serbinë për Kinën.
“Arsyeja pse shkova në Kinë ishte mundësia për të bërë punën për të cilën kisha studiuar – mësuese edukimi fizik – sepse kjo nuk ishte e mundur në Serbi,” thotë ajo.
Paratë ishin një faktor i rëndësishëm, shpjegon ajo, pasi donte të ndihmonte familjen e saj dhe t’u shpërblente atyre gjithçka që ata kishin bërë për të.
“E di që paratë s’mund të blejnë lumturinë dhe dashurinë, por do të jem në gjendje t’i ndihmoj ata ndonjëherë kur të jenë në vështirësi dhe në Serbi ka gjithmonë periudha të vështira,” thotë Sparoviç.
Ajo tani fiton rreth 2,500 euro në muaj, rreth dhjetë herë më shumë se paga e mëparshme që merrte në vendin e saj.
Muajt kalojnë, ajo duket e lumtur. Ajo shkruan poezi, mëson gjuhën kineze dhe poston rregullisht për jetën e saj të re në Kinë në blogun e saj dhe në Facebook.
Ajo thotë se mund të mos kthehet kurrë, vetëm për vizita të shkurtra familjare.
“Ideja ime ishte se Kina do të shërbente si një trampolinë për një vend më pranë Serbisë. Por tani jam këtu, e kuptoj që mund të përfitoj nga gjithë kjo njohuri dhe entuziazëm,” thotë ajo.
Perspektiva të reja në Lindjen e Largët
Sparoviç është një nga shumë serbë të rinj dhe të arsimuar që zgjedhin të punojnë dhe jetojnë në Kinë, gjë që është bërë më e lehtë pasi këto dy vende i hoqën vizat për vizita më pak se 30 ditë në vitin 2017.
Disa vijnë për të qëndruar një kohë të shkurtër. Të tjerë vijnë vetëm për të fituar para të mjaftueshme dhe më pas të kthehen në Serbi.
Shumica e të diplomuarve serbë japin mësim gjuhën angleze në kopshte ose shkolla. Disa shkolla kërkojnë një certifikatë të gjuhës angleze, ndërsa disa të tjera jo.
Të dhënat e Ministrisë së Jashtme të Serbisë, të marra nga Ministria e Brendshme e Kinës, thonë se në mars 87 shtetas serbë me viza pune të rregullta hetonin në Kinë.
“Në dy vitet e fundit, numri i shtetasve serbë është rritur, sidomos që nga viti 2017, pasi një marrëveshje për heqjen e vizave për të qëndruar deri në 30 ditë hyri në fuqi,” tha ministria për BIRN.
Megjithatë, shifra jozyrtarë të ofruara nga shumë të rinj dhe disa media serbe sugjerojnë se rreth 1,000 serbë tani jetojnë dhe punojnë në Kinë, rreth 300 prej tyre janë në Pekin.
Sipas njerëzve me të cilët foli BIRN, shifrat ndryshojnë, sepse shumë prej tyre përdorin marrëveshjen për heqjen e vizave për të gjetur një punë dhe për të punuar në Kinë në mënyrë të paligjshme.
Pas mbarimit të muajit të tyre të ligjshëm, ata shkojnë në Hong Kong ose Korenë e Jugut për të vulosur pasaportat e tyre dhe pastaj rikthehen në Kinë.
Kjo vlen sidomos për serbët që punojnë në kopshte, pasi zakonisht nuk mund ta ndihmojnë stafin e tyre që të marrin viza pune, por kanë nevojë për mësues anglishteje.
Pagat e ulëta më shumë sesa papunësia janë faktori kryesor që nxisin serbët e rinj të largohen nga vendi.
Sipas Zyrës Statistikore të Serbisë, paga mesatare në vend mbetet rreth 423 euro në muaj, ndërsa shkalla e papunësisë te njerëzit mbi 15 vjeç është 11.9 për qind.
Jovo Bakiç, një profesor sociologjie në Fakultetin e Filozofisë në Beograd, thotë se të rinjtë largohen sepse “ata duan të kenë një perspektivë në jetë”.
“Perspektiva e të rinjve në Serbi është e errët. Ata mundohen shumë për të gjetur një vend pune dhe ku e gjejnë, paguhen shumë keq,” tha Bakiç për BIRN.
Nuk është habi që disa shkojnë në Kinë, vazhdon ai, “sepse Kina ka shënuar rritje të madhe ekonomike në 30 vitet e fundit.
“Kur zhvillohesh aq shpejt, ke nevojë për njerëz me aftësi të ndryshme. Anglishtja e tyre nuk është dhe aq e mirë, ndërsa njerëzit e rajonit tonë e flasin mirë dhe mund të japin mësime gjuhe,” tha Bakiç.
Pagat në sektorin e arsimit në Serbi janë të ulëta, kështu që njerëzit thjesht shkojnë atje ku i njëjti profesion fiton më shumë, thotë Bakiç.
“Nuk është e pazakontë që mësuesit të shkojnë në Kinë. Ne gjithashtu edhe mjekë që largohen për në Gjermani, nëse ata flasin gjuhën. Është e njëjta gjë,” përfundon ai.
Largimi nga një mjedis “i ndotur”
Njerëzit me të cilët foli BIRN thanë se s’është dhe aq e vështirë të gjesh punë në Kinë. Ndërsa shumë persona aplikojnë nëpërmjet faqeve të shumta të internetit, të tjerë kontaktojnë agjentë kinezë, të cilët më pas i lidhin me punëdhënës të mundshëm.
Një mënyrë tjetër e preferuar është përdorimi i lidhjeve shoqërore – miq ose miq të miqve që tashmë punojnë në Kinë.
Kjo është rruga që ndoqi Djordje Joksiçkur u largua nga Beogradi për në Pekin në korrik 2015.
Një mësues edukimi fizik në profesion, Joksiç kishte punuar si trajner basketbolli për gjashtë vjet përpara se një shok që punonte në një klub basketbolli në Pekin e ndihmoi atë t’i bashkohej të njëjtit klub.
“Gjithçka ndodhi brenda një jave,” tha Joksiç për BIRN në intervistën në WeChat, një aplikacion që përdoret gjerësisht në Kinë, ku aplikacionet popullore si ËhatsApp ose Viber nuk punojnë dhe Facebook zakonisht përballet me probleme teknike.
“Shtysa fillestare ishte aventura, pasi bëhet fjalë për Azinë, një botë krejtësisht e ndryshme,” thotë 32 vjeçari.
“Por arsyet kryesore ishin pakënaqësia me gjendjen e shoqërisë serbe, mungesa e perspektivës për ngritjen e një familjeje dhe klima e përgjithshme politike dhe sociale,” shpjegon Joksiç.
Ai punon tani në një klub basketbolli në Pekin, duke trajnuar nxënës shkollash. Ndërsa paratë nuk ishin arsyeja e vetme për t’u larguar nga shtëpia, ai e pranon se tani fiton më shumë sesa më parë.
“Fitoj rreth 3,000 euro në muaj dhe arrij të kursej rreth gjysmën e kësaj shume,” thotë ai.
Kjo është tre herë më shumë se të ardhurat mujore që ai merrte më parë në Beograd, ku ai bënte tre punë, duke punuar shtatë ditë në javë. Në Kinë, ai ka disa ditë pushim në të njëjtën kohë, në varësi të orarit të klubit të basketbollit.
Ai është “mëse i kënaqur” me jetën në Kinë, pasi ky është vendi ku ai gjeti atë që kërkonte – një jetë normale.
“U largova nga një mjedis i ndotur politik dhe shoqëror. Pa marrë parasysh se sa ajri këtu në Kinë është i ndotur, është më keq në Serbi,” thotë ai.
Rikthimi në Serbi mbetet një opsion, por vetëm pasi kushtet të ndryshojnë, këmbëngul ai.
“Do të kthehesha nëse do të kishte një mundësi për një jetë normale, një jetë ku fëmija im do të kishte modele të ndryshme dhe më të mira në mjedisin tonë, ose në TV,” përfundon ai.
Njohja e gjuhës angleze është çelësi
Marko, i cili kërkoi t’i referoheshim vetëm me emrin e tij, punon si mësues arti në një shkollë të mesme në qytetin Shenzhen në Kinën juglindore.
Ai tha për BIRN se arti ishte lënë pas dore prej kohësh në Kinë, ku shteti tani dëshiron ta riafirmojë atë, duke punësuar profesorë për të drejtuar programe të reja.
Marko nuk pranon të tregojë të ardhurat e tij mujore, por thotë se në qytetet e mëdha si Shenzhen, edhe punët më të këqija paguhen shumë mirë në krahasim me kostot e jetesës.
Njohja e gjuhës angleze është çelësi për të fituar një punë të paguar mirë, thotë ai.
“Në krahasim me Serbinë, mund të kurseni shumë para dhe ky është thelbi,” shpjegon 28-vjeçari.
“Në Serbi, me një pagë mesatare, nuk kursen asgjë,” thotë Marko, duke shtuar se “në Kinë, kostot e jetesës janë më të larta, por po ashtu edhe rroga”.
Pasi u diplomua në Akademinë e Arteve të Bukura të Beogradit, Marko kaloi muaj duke kërkuar një punë të përshtatshme dhe madje duke marrë parasysh të pranonte çfarëdolloj pune.
“Pastaj kuptova se nuk isha i detyruar të pranoja gjëra dosido dhe se Serbia nuk është e gjithë bota,” thotë Marko.
Ai u largua nga Serbia për në Kinë në shkurt. Ndërsa Kina ofron shumë për ata që kanë dëshirë të punojnë, siç është një standard i mirë, jeta në Serbi është e mbushur me mungesë stabiliteti dhe pasiguri.
“Nuk e di kurrë se kur do të të godasë tsunami, në kuptimin e taksave të larta, rastet e korrupsionit dhe gënjeshtrat e politikanëve,” argumenton Marko.
Pavarësisht kësaj, ai ka në plan të kthehet në shtëpi një ditë, por vetëm pasi të jetë i sigurt se atje mund të bëjë një jetë të hairit.
“Çdo fryt jep më të mirën e tij në tokën nga e cila vjen. Kështu është edhe për njerëzit,” thotë Marko.
“Por unë nuk dua të kthehem pa një plan dhe organizim të mirë, sepse, pavarësisht sa para fitoj, do t’i shpenzoj kur të kthehem.
“Mund të qëndroj më shumë ose më pak këtu, por për momentin po e shijoj të gjithë këtë,” përfundon ai.
Ky artikull u publikua në të përdyjavshmen e BIRN Belgrade Insight. Këtu mund të gjeni një kopje të tij.