Opinion9 Sep 2020

Serbia, Kosova duhet të angazhohen të hetojnë si duhet rastet e personave të zhdukur

Dialogu Beograd-Prishtinë do të ketë efekt maksimal nëse qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë angazhohen të hetojnë me besueshmëri rastet e mbetura të personave të zhdukur nga konflikti në Kosovë, ndërsa mbështeten në proceset ekzistuese për bashkëpunim rajonal.

Autor: Kathryne Bomberger, Matthew Holliday BIRN
Printo

Billbordi i personave të zhdukur në Prishtinë, Kosovë në vitin 2014. Foto: BIRN

Të paktën 1,600 njerëz rezultojnë ende të zhdukur nga konflikti në Kosovë. Marrëveshjet e nënshkruara në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator nga presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, si edhe dialogu Beograd-Prishtinë i ndërmjetësuar nga BE-ja, përfshijnë të dyja një referencë për çështjen e personave të zhdukur dhe mund të japin një kontribut të çmuar në vazhdimin e përpjekje për të gjetur të zhdukurit.

Procesi i dialogut, ose ndonjë përpjekje tjetër për të gjetur të zhdukurit nga konflikti në Kosovë, do të ketë efekt maksimal vetëm nëse thekson përgjegjësinë e qeverive për të hetuar rastet e personave të zhdukur në përputhje me sundimin e ligjit dhe nëse bazohet në arritjet e Grupit të Personave të Zhdukur, një mekanizëm rajonal i krijuar në kontekstin e Procesit të Berlinit të Ballkanit Perëndimor, i cili është krijuar për të ndihmuar vendet e rajonit të përgatiten për anëtarësimin e ardhshëm në BE.

Kosova dhe Serbia marrin pjesë në Procesin e Berlinit bashkë me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, të cilët përballen me sfida të ngjashme në zgjidhjen e rasteve të personave të zhdukur.

Hetimet e besueshme dhe transparente janë mënyra e vetme për të siguruar të drejtat e familjeve të të zhdukurve për drejtësi, të vërtetën dhe dëmshpërblime.

Po ashtu, mënyra e vetme për të rindërtuar besimin në shoqëritë e shkatërruara nga lufta është të garantojmë që qeveritë t’i përmbahen shtetit të së drejtës, që ato të marrin përgjegjësinë për gjetjen e të zhdukurve dhe që ato të bashkëpunojnë për të gjetur të gjithë personat e zhdukur, pavarësisht nga etnia, feja apo roli i tyre në konflikt. Kjo qasje përbën një investim në paqe dhe stabilitet.

Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, ICMP, ka punuar për çështjen e personave të zhdukur në Ballkanin Perëndimor që nga viti 1996 dhe ai ka udhëhequr përpjekjen që ka bërë të mundur gjetjen e më shumë se 70 për qind të 40,000 njerëzve që u zhdukën si pasojë të konflikteve në ish-Jugosllavi.

Kjo është arritur përmes një procesi të integruar që bashkon qeveritë dhe familjet e të zhdukurve, vënies në përdorim të aftësive të sofistikuara mjeko-ligjore dhe informatike dhe mbështetet fort në sundimin e ligjit.

Nëpërmjet këtij procesi, vendet në të gjithë rajonin kanë qenë në gjendje të veprojnë në një mënyrë të koordinuar dhe efikase, dhe një përpjekje e ripërtërirë për të zgjidhur çështjen e personave të zhdukur nga konflikti në Kosovë mund të përfitojë nga mësimet e nxjerra në të gjithë rajonin.

Në Mostar në gusht 2014, Serbia iu bashkua Kroacisë, Malit të Zi dhe Bosnjës e Hercegovinës për të nënshkruar Deklaratën mbi Rolin e Shtetit në Adresimin e Çështjes së Personave të Zhdukur si Pasojë e Konfliktit të Armatosur dhe Abuzimeve të të Drejtave të Njeriut, një marrëveshje e realizuar nën kujdesin e ICMP.

Deklarata njeh rëndësinë e zgjidhjes së fatit të të zhdukurve në një mënyrë që është në përpjesëtim me të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit.

Në korrik 2018, në një takim në Londër në samitin e pestë të Procesit të Berlinit, kryeministrat e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor, përfshirë ata nga Serbia dhe Kosova, nënshkruan një deklaratë të përbashkët duke kujtuar parimet e shprehura në Deklaratën e Mostarit dhe duke përsëritur angazhimin e tyre për llogaridhënie për ata që vazhdojnë të jenë ende të zhdukur.

Në nëntor 2018, në selinë e ICMP në Hagë, nënshkruesit e Ballkanit Perëndimor të Deklaratës së Londrës pranuan zyrtarisht të punojnë së bashku si Grupi rajonal i Personave të Zhdukur, MPG.

MPG raportoi në Samitin e Poznanit të Procesit të Berlinit në korrik 2019. Sipas planit të saj kornizë, qeveritë rajonale pranojnë përgjegjësinë e tyre për të kryer hetime zyrtare, adekuate dhe transparente të rasteve të personave të zhdukur si një element themelor në mbështetjen e sundimit të ligjit.

Një nga sfidat me të cilat përballen anëtarët e MPG-së është çështja e ndërlidhur e identifikimit të gabuar bazuar në metodat tradicionale (jo atë të ADN)-së të identifikimit dhe rastet NN (e paidentifikuara) të eshtrave njerëzore. Kjo çështje prek jo vetëm Kosovën dhe Serbinë, por edhe Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Kroacinë.

Në Serbi, Zyra e Prokurorit e Dhomës së Krimeve të Luftës të Gjykatës së Qarkut në Beograd ka udhëhequr hetimet. Që nga viti 2001, pas një marrëveshje me ICMP-në, është aplikuar në mënyrë uniforme testimi i ADN-së. Si rezultat i kësaj, më shumë se 900 persona të zhdukur nga konflikti në Kosovë, të cilët ishin varrosur në varre të fshehta në Serbi, janë identifikuar me saktësi dhe eshtrat e tyre u janë kthyer njerëzve të tyre të dashur në Kosovë.

Eshtrat e gjetura në Serbi u identifikuan që në fillimi vetëm duke përdorur ADN-në, jo metodat tradicionale. Shkalla e përgjithshme e përputhjes së profileve nga eshtrat e gjetura në Serbi me mostrat referuese të siguruara nga familjet e të zhdukurve për ICMP-në është 97.2 për qind. Ndryshe nga kjo, profilet nga eshtrat e gjetura në Kosovë (ku përdoreshin metodat tradicionale të identifikimit para se ICMP të bëhej pjesë e procesit) përputhen me një normë prej vetëm 68.9 për qind.

Ky kontrast tregon një identifikim të gabuar të mundshëm të rasteve të zhvarrosura në territorin e Kosovës bazuar në metodat jo-ADN.

Identifikimet e gabuara shkaktojnë një numër të lartë rastesh të paidentifikuara në morgje. Sot në morgun e Prishtinës ka rreth 400 raste eshtrash të paidentifikuara të gjetura dy dekada më parë. Këto eshtra mund t’u përkasin njerëzve familjet e të cilëve besojnë se i kanë varrosur të afërmit e tyre, por që në fakt kanë varrosur dikë tjetër.

Përfshirja e vazhdueshme e procesit të personave të zhdukur që kanë lidhje me konfliktin e Kosovës në punën e vazhdueshme në rajon për të gjetur 12,000 njerëzit që rezultojnë ende të zhdukur nga konfliktet, përfshirë rastet e mundshme të identifikimit të gabuar, do të ndihmonte që nismat e BE-së dhe SHBA-së të përfitojnë nga përpjekjet rajonale, janë tashmë duke u zhvilluar, për të ruajtur dhe forcuar bashkëpunimin midis shteteve në rajon.

Adresimi i çështjes së personave të zhdukur duhet të bazohet në përgjegjësinë e qeverisë dhe sundimin e ligjit si një element i domosdoshëm për ndërtimin e besimit midis Beogradit dhe Prishtinës dhe për të garantuar që familjet e të zhdukurve nga të gjitha komunitetet të kenë besim te procesi i personave të zhdukur.

Opinionet e shprehura janë vetëm ato të autorëve dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.