Serbia i ka ndaluar ministrit kroat të mbrojtjes Damir Krsticeviç të hyjë në Serbi në përgjigje të vendimit të Kroacisë për të ndaluar homologun e tij serb, Aleksandar Vulin.
Serbia njoftoi të enjten se nuk do ta lejojë Ministrin kroat të Mbrojtjes Damir Krsticeviç të hyjë në vend në shenjë hakmarrjeje për vendimin zyrtar të Zagrebit për të mos lejuar Ministrin serb të Mbrojtjes Aleksandar Vulin të hyjë në Kroaci.
“Serbia i konsideron këto veprime të Kroacisë si kundërvënie ndaj frymës së bashkëpunimit të mirë fqinjësor dhe respektit për vlerat themelore europiane, të cilat përfshijnë lirinë e lëvizjes,” tha qeveria serbe në një njoftim për shtyp.
Kroacia i ndaloi Vulinit të marrë pjesë në përkujtimoren zyrtare për viktimat e kampit të Luftës së Dytë Botërore në Jasenovac më 22 prill, duke thënë se deklaratat e tij kishin paraqitur një “përpjekje për të mohuar sovranitetin e Kroacisë”.
Vulin kishte thënë se pjesëmarrja e tij në përkujtimoren e Jasenovacit duhet të ishte “vendim i komandantit suprem të Ushtrisë Serbe, (presidenti) Aleksandër Vuçiç, jo i ministrave kroatë”.
Kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiç njoftoi të hënën se Serbia do t’i përgjigjej vendimit të Kroacisë.
Përpara një seance të qeverisë serbe, kryeministri kroat Andrej Plenkoviç tha se ishte i gatshëm të bashkëpunonte me Serbinë, por ripohoi se masa për ndalimin e Vulinit nuk do të hiqej.
“Kroacia mbetet e hapur për bashkëpunim të mëtejshëm me Serbinë, por mbron në mënyrë të vendosur dinjitetin e saj dhe interesat kombëtare,” tha Plenkoviç.