Serbia ka refuzuar të lejojë kombëtaren e Kosovës në boks të hyjë në vend dhe të marrë pjesë në kampionatin botëror që po zhvillohet në Beograd.
Një ekip kombëtar boksi nga Kosova e kaloi fundjavën duke udhëtuar tri herë nga Kosova drejt kufirit me Serbinë në përpjekje për një udhëtim të planifikuar për në Kampionatin Botëror të Boksit për meshkuj në Beograd, përpara se të kthehej përfundimisht në shtëpi pasi Serbia refuzoi t'i lejonte të hynin në vend.
Kampionati, i cili do të zhvillohet nga 24 tetori deri më 6 nëntor, mbledh më shumë se 500 atletë nga mbi 88 vende për të garuar në 13 kategori peshash.
Federata e Boksit e Kosovës ka qenë anëtare e plotë e Shoqatës Ndërkombëtare të Boksit AIBA që nga nëntori 2014 një muaj para se Komiteti Olimpik i saj të bëhej anëtar i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.
Të shtunën, AIBA tha se ekipi i Kosovës pritej të merrte pjesë në kampionat dhe sugjeroi që delegacioni i Kosovës “nuk do të trajtohet ndryshe nga delegacioni i çdo anëtari tjetër të AIBA-s”.
“AIBA synon të garantojë një shtëpi mikpritëse për çdo boksier dhe bota e boksit nuk ka kufij. Ne besojmë se të gjithë atletët duhet të kenë një shans të drejtë për të garuar dhe për të demonstruar aftësitë e tyre më të mira në ring. Sporti synon t'i bashkojë njerëzit dhe duhet të jetë i lirë nga politikat kombëtare”, tha AIBA, duke shtuar se është në kontakt me organizatorin e eventit, Federatën Serbe të Boksit, në një përpjekje për të korrigjuar situatën.
Por Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, IOC, fajësoi AIBA-n se nuk ishte në gjendje të siguronte të drejtën e sportistëve kosovarë për të marrë pjesë në një turne në Beograd.
“Duket se AIBA nuk ka zbatuar kujdesin e nevojshëm para se t'ia caktojë këtë turne Beogradit, pavarësisht faktit se IOC ka këshilluar vazhdimisht federatat ndërkombëtare për domosdoshmërinë e një kujdesi të tillë të duhur”, Reuters citoi të ketë thënë një zëdhënës i IOC.
Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Besim Brahimi, tha të hënën për televizionin Klan Kosova se AIBA u ka kërkuar atyre që të shkojnë në Serbi pa i shfaqur simbolet e tyre kombëtare.
“AIBA na dërgoi një mesazh duke na kërkuar që të marrim pjesë pa simbole shtetërore, nën flamurin e AIBA-s, por kjo do të ishte një fyerje për Kosovën sepse ne jemi anëtarë të plotë si çdo shtet tjetër”, tha Brahimi.
Blerimi, Vela, shefi i kabinetit të presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, e quajti ndalimin një “shkelje të qartë të vlerave universale sportive” dhe i bëri thirrje AIBA-s që “të gjobisë rëndë Serbinë për promovim të qëndrimeve politike”.
Kjo nuk ishte hera e parë që atletët e Kosovës dhe Serbisë po paguajnë çmimin e mosmarrëveshjeve të gjata politike mes dy vendeve.
Në maj të vitit 2018, një ekip i karatesë nga Kosova nuk u lejua të hyjë në Serbi për të garuar në Kampionatin Evropian të Karatesë në qytetin verior serb të Novi Sadit.
Kjo erdhi disa ditë pasi Federata e Futbollit e Kosovës refuzoi të lejonte ekipin e Yllit të Kuq të Serbisë të luante një ndeshje në qytetin e Graçanicës.
Në mars të vitit 2019, Beogradi u detyrua të anulojë një ndeshje të planifikuar midis ekipeve të hendbollit për femra nga Serbia dhe Kosova, mes tensioneve në rritje dhe frikës nga përplasjet mes tifozëve serbë dhe policisë.
Në tetor të atij viti, autoritetet e Kosovës ndaluan zhvillimin e një ndeshje futbolli në veriun me shumicë serbe midis klubit serb Ylli i Kuq dhe një ekipi lokal, Trepça, i cili nuk njihet nga autoriteti i futbollit të Kosovës.
Kosova shpalli pavarësinë e saj nga Serbia në vitin 2008, pasi u shkëput në vitin 1999 si rezultat i sulmeve ajrore të NATO-s kundër forcave serbe në krahinën e atëhershme.
Shumica e vendeve perëndimore, duke përfshirë SHBA-në, e njohën Kosovën shumë kohë më parë, por shtetësia e saj ende kontestohet ashpër nga Serbia dhe Rusia, ndër të tjera.
Si rezultat, Serbia ngurron të lejojë çdo angazhim sportiv me Kosovën që mund të sinjalizojë njohjen de facto të Kosovës si shtet.