Lajm19 May 2021

Serë me kubikë kanabisi, tre të arrestuar në Skrapar

Komisariatet e Policisë së Poliçanit dhe Skraparit arrestuan tre persona pas zbulimit të një parcele dhe një serë me kubikë të mbjellë me fara kanabis sativa.

Autor: Erjola Azizolli BIRN Skrapar
Printo

Kubikë me kanabis. Foto Ilustruese:Policia e Shtetit

Drejtoria Vendore e Policisë në Berat bëri me dije paradites e së mërkurës se zbuloi një serë dhe disa dhjetëra kubikë të mbjellë me fara të kanabis në pronat e tre personave. Kubikët u gjetën pas një sërë kontrollesh të bëra në fshatrat Braç dhe Tomor.  Policia bëri me dije se arrestoi  në flagrancë tre personat e dyshuar për kultivim dhe procedoi penalisht kryeplakun e fshatit Braç dhe sekuestroi një pushkë.

“Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Poliçan dhe në Komisariatin e Policisë Skrapar arrestuan në flagrancë shtetasit: S. H., 47 vjeç, dhe Y. H., 38 vjeç, banues në fshatin Braç, pasi në tokat në pronësi të tyre u gjetën kubikë në të cilët ishin kultivuar fara të dyshuara cannabis sativa”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sera sipas policisë iu gjet Sh. B., 40 vjeç, banues në fshatin Tomorr, Poliçan. Policia nuk dha shifra të sasive të kubikëve, por u shpreh se kishte gjetur një “miniserë në ambientet e banesës” së 40-vjeçarit. Këtij të fundit policia i gjeti edhe një pushkë.