Në 24 orët e fundit u kryen 149 testime, nga të cilat 28 rezultuan pozitivë me COVID-19. Numri total i të prekurve të konfirmuar në Shqipëri shkoi në 361 persona.
Numri i personave të infektuar me COVID-19 në Shqipëri shkoi në 361 paraditen e së dielës, ndërsa 28 raste të reja u zbuluan në qytetet e Tiranës, Shkodrës, Durrësit dhe Elbasanit. Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico deklaroi se në 24 orët e fundit ishin kryer 149 testime të personave të dyshuar, mes të cilëve 28 rezultuan pozitivë.
Dy gra të moshuara humbën jetën në 24 orët e fundit në Shqipëri, duke e çuar numrin e viktimave të koronavirusit në 20. Niveli i vdekshmërisë në Shqipëri vazhdon të mbeten në 5.5 për qind të rasteve të identifikuara me COVID-19.
Njëra prej viktimave është një 84-vjeçare nga Tirana, e cila ndërroi jetë si pasojë e infarktit kardiak. Viktima e dytë u shënua në Shkodër, ku një 80-vjeçare humbi jetën mbrëmjen e së shtunës si pasojë e COVID-19.
Fico tha se e moshuara nga Shkodra mbërriti në spital në gjendje të rëndë më 4 prill dhe u vendos në terapi intensive, pasi iu nënshtrua testit të COVID-19.
“Për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, transporti i saj drejt Tiranës ka qenë i pamundur dhe gjatë mesnatës ndërroi jetë,” tha Fico në deklaratën për mediat.
Aktualisht po trajtohen në spital 71 persona të prekur me COVID-19, nga të cilët 64 ndodhen në shërbimin Infektiv dhe 7 të tjerë në spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë. Njëmbëdhjetë prej të prekurve ndodhen në terapi intensive dhe tre prej tyre janë të intubuar.
Tirana vazhdon të mbetet qyteti më i goditur nga COVID-19 me 174 raste, i ndjekur tashmë nga Shkodra me 38 raste të konfirmuara. Në qytetin e Durrësit janë infektuar 36 persona, ndërsa në Fier numri i të prekurve nga COVID-19 është stopuar në 25.
Drejtoresha e ISHP-së, Albana Fico fajësoi mungesën e zbatimit të distancimit social si shkaktar për shtimin e numrit të të prekurve në Tiranë dhe në Shkodër. Ajo përsëriti apelin që masat e rrepta duhet të zbatohen edhe Brenda rretheve familjare.
Ndërkohë, pesë persona të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve nga COVID-19 në Shqipëri, duke e çuar numrin e atyre që e kanë mundur tashmë sëmundjen në 104.