Lajm14 Nov 2017

Sfidat e grave shqiptare në Itali marrin zë në një libër të ri (Video)

Përmes rrëfimeve, analizave dhe reflektimeve, libri "Gratë e Shqipërisë: Mes emigracionit, traditës dhe modernitetit" sjell jetën dhe sfidat e emigranteve shqiptare në Itali.

Autor: Ivana Dervishi BIRN Tiranë
Printo

“Gratë e Shqipërisë” një libër i promovuar së fundmi në Tiranë, ka në qendër emigrantet shqiptare në Itali dhe sfidat e tyre të integrimit dhe tranzicionit.

Autorët Rando Devole dhe Klaudio Paravati, i kanë dhënë formë librit përmes reflektimeve, analizave dhe dëshmive të grave dhe vajzave shqiptare prej dy brezash në Itali.

“Unë shpresoj që libri nga një anë të fillojë një proces njohjeje për Shqipërinë në përgjithësi dhe për gruan shqiptare në veçanti. Gruaja dhe vajza shqiptare janë një urë lidhëse midis dy vendeve,” tha Devole.

Anila Husha, një eksperte e migracionit, peshoi në promovimin e librit ndikimin e largimit drejt Italisë në vitet ’90. Sipas saj, gratë shqiptare në anën tjetër të bregdetit hasen me sfida të mëdha kulturore, ekonomike, por kanë korrur edhe fitore në fusha të ndryshme të jetës.

“Gratë imigrante duke ardhur në Itali gjetën një terren, në të cilin puna ishte shumë e vështirë të gjendej dhe titujt e tyre të studimit nuk u njohën,” tha Husha për BIRN duke shtuar se bashkimi familjar i la gratë të pafuqishme përpara legjislacionit italian për shkak se vështirësonte ndarjen nga burrat në situata kritike.

“Tashmë vajzat shqiptare nuk ruajnë mentalitetin e prindërve të tyre, nuk pranojnë të martohen shpejt… apo me ndërmjetësi, ato sot kërkojnë bashkëjetesën,” shtoi Husha.

Libri “Gratë shqiptare mes emigracionit, traditës dhe modernitetit” ngjalli diskutime në Tiranë, ku pjesëmarrësit në event hoqën paralele mes grave dhe vajzave që emigruan dhe atyre që qëndruan në Shqipëri apo që vendosën të kthehen në atdhe.

Duke i dhënë diskutimit një frymë feministe të sfidave globale të grave në botë Diana Çuli, drejtuese e Forumit të Pavarur të Gruas Shqiptare tha për BIRN se gratë shqiptare ia kanë dalë ta çojnë përpara kauzën e tyre në dy dekadat e fundit.

“Unë mendoj se gratë nuk janë të pandërgjegjësuara. E gjithë puna është si të kenë mjetet, si të dalin nga një situatë e izoluar ose nga një situatë që nuk i lejon të shkollohen,” tha Çuli duke theksuar se progres ka pasur, ndonëse të padukshëm.